Miratohet pr/ligji për KLD, sanksione me ligj që të zbatojë rregullat

Gjate mbledhjes se komisionit te ligjeve Foto Albert Myftaraj ATSH
TIRANË, 16 Korrik/ATSH-Almarina Gegvataj/-"Kur KLD është qeveria e sistemit të drejtësisë dhe ku ajo nuk respekton rregulloren e vet, ne ngremë shumë pikëpyetje se nuk ka transparencë në emërimin e gjyqtarëve", shprehu sot shqetësimin deputeti i PS-së Pandeli Majko gjatë diskutimeve në Komisionin e ligjeve për shqyrtimin e pr/ligjit "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë".
Ky ligj është miratuar sot vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa nga opozita i pranishëm ishte vetëm deputeti Nard Ndoka, i cili është shprehur se "këto ndryshime janë cënuese për pavarësinë e KLD-së, ato duan debat më të gjerë".
Gjatë diskutimeve në komision, Majko e cilësoi të nevojshme një ligj të ri për KLD-në ndërsa vuri në dukje se në ligjin e ri përcaktohet se anëtarët e zgjedhur nga parlamenti dhe nga konferenca gjyqësore, shkarkohen kur shkelin ligjin dhe Kushtetutën.
"Ka debate se kjo është ndërhyrje politike, por si mund të pranohet shkelja e ligjit dhe Kushtetutës?!Ne sanksionojmë me ligj që anëtarët e KLD të mos promovojnë vetveten. Një problem tjetër është inspektoriati i KLD-së. Kemi caktuar një varg normash, që rregullojnë marrëdhënien e Inspektoriatit me Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Gjithashtu në ligj përcaktojmë se anëtarët e zgjedhur nga parlamenti dhe nga Konferenca Gjyqësore, shkarkohen kur shkelin ligjin dhe Kushtetutën", është shprehur ai.
Ndërsa deputeti Subashi theksoi se "nëse sot ka situatë të rënduar dhe mosbesim dhe bien kambanat e alarmit, për investimet dhe të drejtat e njeriu, përgjegjësia është e KLD. Nëse të gjitha kompetencat e KLD do kryheshin siç duhet nuk do ishim në këtë gjendje".
Duke mbështetur draftin e paraqitur nga Ministria  e Drejtësisë, Subashi deklaroi se "nga vetë gjyqtarët kemi patur me dhjetëra e-mail ku shprehen të pakënaqur me mënyrën sesi ka proceduar e funksionuar KLD. Jo të gjithë janë të korruptuar dhe të paaftë. Ka mjaft gjyqtarë që nuk janë pajtuar me atë që ndodh. Ka disa performime të disa pikave të rregulloreve që me ligj e detyrojnë të zbatojë ato që ka miratuar vetë".
Kreu i Komisonit, Fatmir Xhafaj, në diskutimin e tij, tha se " reformën në drejtësi e kemi një premtim, që ne duhet ta mbajmë. Shumë shpejt në parlament do të kemi një komision parlamentar për të garantuar gjithpërfshirjen. Do të kemi ndërhyrje thelbësore në sistemin e drejtësisë, deklaroi Xhafaj, duke shtuar se "jo se këtë e do politika apo ndërkombëtarët, por se e duan qytetarët shqiptarë".
Sipas tij, ndërhyrjet nëpërmjet këtij ligji, janë emergjente, pasi kemi kaos në sistemin e KLD-së. " Më vjen keq pse kolegët e PD-së mungojnë në këtë komision. Nëse ata shqetësohen për qytetarët, duhet të ishin këtu dhe jo të na anatemonin nga foltorja e SHQUP-it," tha ai./a.g/

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Aksidenti i djeshëm në Ishull-Lezhë, arrestohet në spital një nga shoferët e plagosur! Ishte dhe i dehur në timon (EMRI)