Gjatë fazës përgatitore të këtij projektakti, Ministria e Drejtësisë ka bashkëpunuar ngushtësisht me aktorët e përfshirë në procesin e vlerësimit, përvoja e të cilëve ka qenë një vlerë e shtuar gjatë hartimit. Për këtë qëllim u ngrit një grup i përbashkët pune me përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Unioni i Gjyqtarëve, kryetarë gjykate, gjyqtarë si dhe përfaqësues të misionit të BE “Konsolidimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri (EURALIUS IV), që kanë asikstuar në çdo fazë të hartimit të tij. Projektligji iu nënshtrua fazës së konsultimit me të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë, grupet e interesit, si dhe me ekspertë vendas dhe të huaj.
Risitë që sjell ky bprojektvendim janë:
Qëllimi i këtij projektligji është përmirësimi i veprimtarisë së gjyqësorit në tërësi, duke promovuar cilësinë dhe eficiencën në dhënien e drejtësisë nëpërmjet vlerësimit të aftësive profesionale dhe etike të veprimtarisë së gjyqtarit.
Synimi i këtij ligji është të përmirësojë në mënyrë të vazhdueshme aftësitë dhe kapacitetin e gjyqtarëve, duke përcaktuar standarde të qëndrueshme për cilësinë dhe sasinë e veprimtarisë së gjyqtarëve.
Objektivat e këtij ligji janë përcaktimi i parimeve, kritereve dhe procedurava për vlerësimin profesional dhe etik të gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit.
Vlerësimi profesional dhe etik do të shërbejë për të informuar Këshillin e Lartë të Drejtësisë në procesin e vendimmarrjes në lidhje me ngritjen në detyrë dhe transferimin e gjyqtarëve duke siguruar një proces zhvillimi të karrierës së tyre të bazuar në meritokraci dhe kritere objektive.
Ky vlerësim do të informojë KLD-në dhe Shkollën e Magjistraturës në lidhje me nevojat për trajnim dhe për të lehtësuar planifikimin për trajnim.
Ky projektligj do të lehtësojë identifikimin e gjyqtarëve që mund të kenë aftësi të veçanta profesionale dhe do të kontribuojë në përmirësimin e strukturës organizative të gjykatave, të kushteve të punës të gjyqtarëve dhe të sistemit gjyqësor.
Ky projektligj nuk prek çështjet institucionale në lidhje me vlerësimin, por ndjek strukturën institucionale aktuale sipas të cilës Këshilli i Lartë i Drejtësisë është organi përgjegjës për vlerësimin. Aspekti institucional do të shqyrtohet në kuadër të reformës së sistemit të drejtësisë që është duke u hartuar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për Reformën në Sistemin e Drejtësisë”.
Sistemi aktual i vlerësimit bazohet në vendimin nr. 261/2, datë 14.04.2010, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili parashikon se vlerësimi përgatitet në formë përshkruese dhe statistikore nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe bëhet nga vetë Këshilli. Sistemi aktual i vlerësimit bazohet kryesisht në veprimtarinë që kryejnë inspektorët e KLD-së për të mbledhur të dhëna në lidhje me performancën e gjyqtarëve. Aktualisht kriteret dhe procedura i ofrojnë relativisht Këshillit të Lartë të Drejtësisë një hapësirë të gjerë diskrecioni. Sipas progres raporteve të Komisionit Europian për Shqipërinë vlerësimi i gjyqtarëve përbën një kriter vendimtar për një proces të bazuar në meritë dhe transparent të transferimit dhe ngritjes në detyrë. Nevoja e rregullimit të sistemit të vlerësimit me ligj përbën garanci dhe parakusht për objektivitetin e procesit dhe i jep rëndësinë e duhur zbatimit të tij.
Ky projektligj synon nxitjen e pjesëmarrjes aktive të gjyqtarit në procesin e vlerësimit të tij duke e bërë partner në këtë mekanizëm.
Në ndryshim nga sistemi aktual sistemi i ri i vlerësimit përqendrohet në vetëvlerësimin e gjyqtarit i cili bëhet i detyrueshëm duke kombinuar në këtë mënyrë bashkë-ekzistencën ndërmjet vlerësimit dhe vetëvlerësimit duke siguruar që vlerësimi të jetë objektiv dhe transparent.
Kriteret e vlerësimit janë të përcaktuara qartë dhe janë të matshme, bazuar në tregues të caktuar. Vetvlerësimi është i detyrueshëm dhe përbën pikënisjen e procedurës së vlerësimit.
Rregullimi i sistemit të vlerësimit me ligj: jep garanci për objektivitetin e procesit duke qenë se kriteret janë të përcaktuara dhe me tregues të matshëm. Një ndër qëllimet e këtij projektligji është të përcaktojë standarde të qëndrueshme për cilësinë dhe sasinë e veprimtarisë së gjyqtarëve. Vlerësimi kryhet, duke i dhënë rëndësinë më të madhe vlerave profesionale dhe cilësisë në punë në funksion të zhvillimit të karrierës profesionale.
Çdo gjyqtar vlerësohet së paku një herë në 3 vjet. Kryetari i gjykatës vlerësohet së paku një herë në 4 vjet, sipas kritereve dhe procedurave të parashikuara në këtë ligj. Në çdo rast veprimtaria e tij vlerësohet brenda kohëzgjatjes së mandatit, por jo më vonë se 3 muaj nga mbarimi i mandatit të tij.
Projektligji parashikon shprehimisht se në procesin e vlerësimit zbatohen rregullat e parashikuara në legjislacionin për papajtueshmërinë e ushtrimit të detyrës dhe për parandalimin e konfliktit të interesave.
Projektligji parashikon dhe procedurën e vlerësimit me kërkesë/ të përshpejtuar për të shmangur situatat e mungesës së një vlerësimi në rastet e ngritjes në detyrë dhe transferimit.
Vlerësimi kryhet nëpërmjet një procesi të shpejtë, me anë të procedurave të thjeshta dhe në afate kohore të arsyeshme për të siguruar të dhëna në kohën e duhur për karrierën e gjyqtarit.
Procedura e vlerësimit respekton standardet e procesit të rregullt ligjor për gjyqtarin, duke përfshirë të drejtën për t’u njohur me aktet, të drejtën e aksesit në dosjen e vlerësimit, të drejtën për të marrë pjesë në proces, të drejtën e kontradiktoritetit, të drejtën për t’u dëgjuar, të drejtën për t’u mbrojtur, të drejtën për të patur një akt vlerësimi të arsyetuar dhe të drejtën për t’u ankuar mbi aktin e vlerësimit.
Subjektet e ngarkuara me detyrën e vlerësimit janë të detyruar të ruajnë konfidencialitetin e të dhënave të gjyqtarit që vlerësohet, si dhe të dhënat e tij personale sipas legjislacionit në fuqi.
Kryetarët e gjykatave vlerësohen gjithashtu për veprimtarinë e tyre si kryetar gjykate, mbi bazën e kritereve të përcaktuara nga ky projektligj.
Gjithashtu parashikohet se gjyqtarët, të cilët janë rekrutuar në struktura të tjera juridiko-profesionale dhe ruajnë statusin e gjyqtarit, vlerësohen sipas rregullave të vlerësimit në strukturën ku ata janë rekrutuar.
Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)