Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim drejtorin dhe disa specialistë të Agjencisë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër, të akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Sipas organit të akuzës është provuar se të pandehurit kanë vepruar dhe mosvepruar në kundërshtim me ligjin, duke mos përmbushur rregullisht detyrat funksionale, pavarësisht rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe auditimeve të brendshme të Ministrisë së Mjedisit.
Hetimet kanë zbuluar se ish-drejtori Arben Voja, (aktualisht Drejtor i Spitalit Rajonal Fier) dhe specialistët e agjencisë kanë miratuar dhe refuzuar leje mjedisore të tipit “C” në shkelje të kritereve ligjore dhe nënligjore, pa kryer verifikime në terren dhe, në disa raste, në mungesë të dokumentacionit të detyrueshëm.
Gjithashtu, është konstatuar aplikimi i standardeve të ndryshme në vendimmarrje, duke favorizuar disa subjekte dhe penalizuar të tjera pa bazë ligjore.
Po ashtu, një numër i konsiderueshëm subjektesh të pajisura me leje mjedisore nuk kanë dorëzuar raportet e detyrueshme të vetëmonitorimit, ndërkohë që Agjencia Rajonale e Mjedisit nuk ka ndërmarrë masa për pezullimin apo revokimin e lejeve, siç e parashikon ligji.
Njoftimi i plotë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq punonjësit e Agjencisë Rajonale Mjedisore Fier/Vlorë/Gjirokastër për veprën penale ‘Shpërdorimi detyre’ e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve të procedimit penal nr.1051, u provua se, drejtori dhe specialistët e Agjencisë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër, duke vepruar e mosvepruar në kundërshtim me ligjin, duke mos përmbushur rregullisht detyrat funksionale, pavarësisht rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, auditimeve të brendshme të kryera nga Ministria e Mjedisit:
Kanë miratuar dhe refuzuar leje mjedisore të tipit “C” në kundërshtim me ligjin, pa kryer verifikime në terren dhe pa respektuar kriteret ligjore dhe nënligjore; disa leje mjedisore të tipit “C” ishin miratuar në mungesë të dokumentacionit të detyrueshëm që kërkohet nga ligji dhe aktet nënligjore; si dhe janë konstatuar standarde të ndryshme vendimmarrjeje, duke favorizuar disa subjekte dhe penalizuar të tjera pa bazë ligjore.
Një numër i konsiderueshëm i subjekteve të pajisura me leje mjedisore nuk kanë dorëzuar raportet e detyrueshme të vetëmonitorimit, ndërkohë që DRM-Fier nuk ka kërkuar pezullimin apo revokimin e lejeve, siç parashikon ligji.
Nuk është ndjekur vjelja e tarifave vjetore të lejeve mjedisore, duke shkaktuar një dëm ekonomik për buxhetin e shtetit në vlerën mbi 3 (tre) milionë lekë për vitet 2017–2019. Rezultoi se për vitin 2017 nuk kanë likuiduar këtë tarifë 424 subjekte në shumën 848 000 lekë, për vitin 2018 nuk kanë likuiduar tarifën 421 subjekte në shumën 842 000 lekë dhe për vitin 2019 nuk kanë likuiduar tarifën 702 subjekte në shumën 1 404 000 lekë, duke mos realizuar të ardhurat në shumën totale prej 3 094 000 lekë.
Në përfundim, prokuroria ngriti akuzë dhe dërgon për gjykim të pandehurit:
- A.V., ish-Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Fier;
- B.F., specialist për lejet mjedisore dhe VNM-të në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër;
- E.B. specialist për lejet mjedisore dhe VNM-të në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër;
- E.Z. specialist për lejet mjedisore dhe VNM-të në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër;
- E.B. specialiste për lejet mjedisore dhe VNM-të në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër;
- V.G., specialiste monitorimi në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër; dhe
- P.T., specialist finance në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër;
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë punonjësve shtetërorë ose në shërbim publik që kryejnë vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Lajm në përditësim...
Komente








