TIRANE - Dy ditë më parë, PD-ja Mirditë u përfshi nga debatet e ashpra për klientelizëm dhe akuza për shpërdorimin e pushtet nga drejtuesit dhe përfaqësuesit e partisë në qendër. N/kryetari i PD-së Gjon Ndoj, pasi nuk u lejua të fliste në konferencën e PD-së, hodhi një lumë akuzash ndaj deputetëve, dhe vetë drejtimit të PD-së, duke denoncuar faktin se shumë emërime në administratën e drejtuar nga PD-ja janë bërë përmes pagesave të ryshfeteve, duke ofruar dhe prova për këtë.

Ai akuzoi deputetin e zonës Mark Marku dhe ish-kryetarin e PD-së Mirditë, Gjovalin Prenga për përcaktimin e delegatëve të konferencës në mënyrë klienteliste. Ndërsa deputeti Marku ia ktheu Ndojt se ai reagonte kështu, ngaqë nuk i kishte ardhur emri për kandidat për kryetar të degës së PD-së Mirditë. Pas akuzave, Ndoj dha dorëheqjen e menjëhershme nga posti i n/kryetarit të PD-së dhe dhe nga antarësia e saj. Ndërsa në një intervistë për "Shqiptarja.com", ai sqaron akuzat, pse i bëri dhe çfarë parashikon për PD-në në Mirditë.

Z. Ndoj, si qëndron e vërteta e "konfliktit" me deputetin e deleguar të PD-së në Mirditë, Mark Marku pasi në një sms të shkëmbyer me atë,ju i thoni se ai ka ndryshuar qëndrim lidhur me përfaqësimin e partisë në Parlament. Ju si e keni parë performancën e Markut si deputet?
Është e vërtetë që unë kam shkëmbyer mesazhe me z. Mark Marku dhe mesazhet nuk është etike që të nxirren në shtyp pavarësisht nga marrëdhëniet politike të momentit që mund të jenë të ndezura, por meqenëse z. Mark abuzoi para demokratëve të Mirditës duke thënë se unë isha i vetmi që i kam kërkuar të më mbështeste për të kandiduar dhe për këtë kishte edhe mesazhe, nga atëherë vendosa që t`i bëj publike. Unë asnjëherë nuk i kam kërkuar ndihmë, por i kam thënë se: 'me këto veprime klienteliste do te na detyrosh të largohemi nga PD" dhe kur më tha se është për procedurë i kam thënë se po qe për procedurë bjer kandidaturën tënde të votohet me mua, pavarësisht nga manipulimet që janë bërë në zgjedhjen e seksioneve dhe kjo besoj se nuk është kërkesë për ndihmë, por është sfidë. Përsa i përket performancës së z. Mark Marku si deputet, më pëlqejnë deputetët që i ngrenë problemet, por i urrej ata që ndryshe thonë dhe ndryshe bëjnë dhe kur vjen puna për të marrë përgjegjësi për një problem i shmangen përgjegjësive. Me sa kam informacion për zgjedhjet lokale z. Mark Marku nuk ka marr përgjegjësi për Mirditën, por i është shmangur atyre. Njerëz të tillë nuk më pëlqejnë.

Akuzat tuaja shkojnë dhe më tej, kur ju thoni se nuk keni frikë nga kërcënime të tipit pushime nga puna nëse dikush largohet nga partia. Në dieninë tuaj ka patur raste të tilla për pushime nga puna për persona që kanë shprehur qëndrime të kundërta në PD?
Një nga personat që ka vuajtur jam edhe unë,vetëm se nuk i përshtatesha performancës së z. Paloka. Jam detyruar të punoj jashtë qarkut të Lezhës për më shumë se 3 vjet dhe megjithëse unë kam qenë dy mandate në krye të PD, sepse ai nuk firmoste që unë të isha në ndonjë pozicion brenda qarkut të Lezhës. Kemi pas kandidatë të kryesisë së PD në Mirditë që i kanë hequr nga puna pasi kanë kandiduar për kryetar komune të pavarur, por njëri që mori shumë vota e afroi PD-ja menjëherë dhe me këtë nuk është rasti i parë që PD jep mesazhin që "vetëm po dole kundra të vlerëson" përndryshe hyn të ata gomerët që "thon ec se ky mban".

Ju lëshoni akuza për emërime klienteliste, ku bazoheni për këtë?
Apsolutisht janë bërë emërime klienteliste dhe për vetë faktin së askush nuk mund të fillojë punë pa firmën e deputetit, i cili është i pari i listës së qarkut, duke shmangur gjitha forumet e PD. Kjo nuk ka shpjegim tjetër se po t`iu interesojë PD-ja këtyre zotërive nuk do t`i shmangnin forumet. Kemi pas një rast në kryesinë PD-së Mirditë, ku ishte hera e parë që meqenëse sekretari i qarkut do të dilte në pension do ta zëvendësonin me një që do të merrte votat në kryesi, u futën disa kandidatura në garë po kur u mor vesh nga deputeti Mark Marku dhe ish- kryetari Gjovalin Prenga(dr.i mardhënieve me publikun pranë kryeministrit)se kandidatura e tyre nuk i merrte votat në kryesi, erdhën dhe iu lutën kryesisë që të mos bënin votim të fshehtë se përçahej PD-ja, por t`ia linin deputetit Marku dhe kryetarit megjithëse 7 vetë kërkuan votim të fshehtë përsëri këta zotërinj nuk pranuan. Statuti i PD-së e ka që në qoftë se kërkojnë 4 vetë votim të fshehtë, kryesia është e detyruar të bëj votim të fshehtë.

Tashmë që keni dhënë dorëheqje nga posti i nënkryetarit të PD-së në Mirditë, a do të kontribuoni për këtë parti për zgjedhjet e 23 qershorit?
Përsa kohë të jenë në listën e PD-së Mark Marku, Edi Paloka apo ndonjë rikthim tek Gjovalin Prenga unë do të punoj kundër PD-së. Do të punoj për PD nëse këta persona do të votohen në strukturat e PD në Mirditë me kandidatura alternative, ku të kem të drejtë edhe unë të votohem me ta. Nëse marrin mbështetje më të madhe se unë atëherë unë do të jem ushtar i tyre.

Si e shikoni performancën e mazhorancës në organizimin e strukturave të saj, vetëm pak muaj para zgjedhjeve?
Është me të vërtetë për të ardhur keq, flas vetëm për Qarkun e Lezhës, ku unë kam informacion, nuk di më larg, por në qoftë se PD në të gjithë Shqipërinë është si në Lezhë, Mirditë dhe Kurbin vaj medet. Shpresoj që nuk është kështu. Ne në Mirditë kemi qenë shumë të organizuar. Ka 22 vjet që kush ka pas dëshirë për të kandiduar, nuk i është hequr emri askujt në Tiranë, por është ballafaquar me votën, ka humbur po ka mbetur në PD. Vetëm në konferencën e fundit janë hequr emrat e disa figurave të PD- së dhe e kemi ditur se kujt do hiqej emri dhe kujt jo që 3 muaj më parë. Kjo merrej vesh nga deklaratat e grupit të punës, të cilët e deklaronin në rreth të ngusht se "sa të jem unë, filanin nuk e lejoj të vij" dhe sikur kjo të mos mjaftonte, si rrallë herë janë manipuluar edhe seksionet, të cilat në shumë vende nuk jan thirrur anëtarët e PD, por janë emëruar delegat sipas preferencave. Në një seksion ka pasur delegat burr grua apo babë e bir apo dy djem xhaxhajsh se bashku me kunatë në një seksion dhe numri i këtyre rasteve i kalon 20 delegatë. Ajo që është më e randësishmja në ato seksione, ku janë bërë manipulime të tilla ka qenë deputeti Mark Marku dhe kryetari Gjovalin Prenga të deleguar nga kryesia e PD-së rrethit. Kemi pasur raste që kemi marr vendim kryesie për t`i hequr mandatin dhe përsëri ditën e konferencës kanë pas emrin në listë dhe kanë votuar. Në kushte normale kur ka mbi njëzet delegatë të një familje dhe konferenca është mbyllur me 10 vota, duhet të anullohet kjo konferëncë sigurisht se nuk do të ndodhë një gjë e tillë sepse nuk jemi në kushte normale.

Shkrimi u botua sot në gazeten Shqiptarja.com
(eç/shqiptarja.com)