Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në kuadër të turit elektoral që po zhvillon në të gjithë vendin për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ishte sot në qarkun e Gjirokastrës, ku bëri jo vetëm vizita dhe inspektime, por edhe takime si ai me operatorët turistikë.

Pas këtij bashkëbisedimi, kryeministri mori edhe takim me gratë e vajzat e qarkut Gjirokastër, një ‘ritual’ politik që ai e ka kthyer në mision elektoral si risi për një parti politike, duke mos munguar metaforat politike, ironitë për kundërshtarët dhe deri te “thumbimi” i ‘burrave çyrykë që votojnë kënetën’.

"Voto 5! Gjirokastra është grua, Shqipëria është grua, Europa është grua!", shprehej kryeministri në llogarinë e tij në Facebook në nisje të takimit.

Në hapje të takimit, një prej grave përfaqësuese të strukturës socialiste u shpreh mes të tjerash:

"Kryeministër Edi Rama, mirëseerdhe te gratë e dashura të zemrës tënde...!"

Por para se ministrja dhe drejtuesja politike e PS për qarkun Gjirokastër, Mirela Kumbaro, të merrte fjalën, Rama u mirëprit edhe me një këngë polifonike nga grupi i qytetit.

Kumbaro përshëndeti të pranishmit, edhe përfaqësuesit minoritarë në gjuhën greke, teksa vlerësoi edhe marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe zhvillimin në këtë qark me investime dhe projekte nga qeveria.

"E kemi kthyer Gjirokastrën në një destinacion turistik, Gjirokastrën e 600 mijë turistëve që erdhën në një vit. Por edhe për ato që janë bërë që nga 2013 kur PS mori qeverinë dhe detyrën, ku janë bërë investime deri në thellësi të fshatrave. Ju jeni zemra e socialistëve. Burrat e këtij qarku i kemi po aq trime, punëtore dhe të guximshme sa gratë, sepse burrat dhe gratë janë 100% socialiste. Gjirokastra do dalë 4 me 0 në zgjedhjet e 11 majit, madje edhe burrat demokratë e pranojnë me mesazhet e tyre", tha Kumbaro para grave dhe vajzave.

Kryeministri Rama vuri në dukje "ujin e kënetës" te kundërshtarët deri të infiltruar në media, që shikojnë vetëm zi dhe sulmojnë, deri duke akuzuar edhe popullin si të sëmurë. 

Duke folur për drejtësinë, kryesocialisti krahasoi historiksiht atë që kishte ndodhur me drejtësinë, duke bërë paralelizma juridikë. Rama kujtoi se Shqipëria prej 1912, përjashto regjimin komunist, nuk kishte pasur kurrë zyrtarë të lartë para drejtësisë, madje as në kohën e 'bufit të kënetës', i cili bënte sehir kur 4 njerëz vriteshin në bulevard gjatë protestës dhe i tha 'lavire bulevardi' kryeprokurores, duke mos lejuar ekzekutimin e urdhër-arresteve.

"Altin Dumanit ia dhamë ne, unë dhe PS shpatën e drejtësisë për të bërë drejtësi. Sepse në BE shkohet vetëm me barazi ligjore dhe vetëm hyrja në BE na garanton reformën në drejtësi. Altin Dumani është profesionist dhe i aftë, një prokuror shumë i mirë, por që ishte prokuror edhe kur nuk ishim ne dhe nuk i thërriste zyrtarët për t'i pyetur, as kur ndodhi 21 janari. Askush nuk e njihte, a e njihnit ju? Ne e bëmë Dumanin të njohur, ia dhamë shpatën të godiste majtas dhe djathtas. Majtas për çfarë? për të na goditur edhe ne, sepse po të mos donim reformën, nuk e bënim. Por ne e duam BE-në dhe Shqipërinë të integruar", tha Rama mes të tjerash.

Kreu i mazhorancës solli disa nga faktet që shfaqin të kundërtën e asaj që pretendohet nga kundërshtarët. Ai solli rastin e sondazhistit të presidentit Donald Trump, që vlerësonte se 50% e shqiptarëve mendonin se vendi po ecte në drejtimin e duhur.

Fjala e Edi Ramës:

“Mbrëmë po shihja pas punëve të ditës që bëra, pashë në një nga ekranet televizive sondazhin e njeriut të fushatës së Trump, një nga sondazhistët më të mirë, që këmbëngulte për Trump gjatë sondazheve që ai i kishte kundër në Amerikë. Isha kurioz të shihja çfarë kishte nxjerrë në sondazhimet e para, por uë nuk shoh TV kur është fjala për berberhanet dhe sallonet e atyre që shtrohen në kolltuqe dhe bëjnë analiza, që nga 2009 nuk i shoh, ndonjëherë shumë rrallë futem në YuTube e shoh ndonjë pjesë. Futem aty dhe ai kishte marrë opinionet e publikut dhe kishte nxjerrë se 50% e shqiptarëve mendonin se vendi po ecën mirë, në drejtimin e duhur. Është gjë domethënëse dhe shumë e rrallë. Ajo që më la pa fjalë dhe s’po i besoja ishin komentet që bënin ata atje, e që më jep të drejtën se gjysma e burrave janë çyrykë, ata po e vërtetonin atë. Ata thoshin se si kishte mundësi që shumica mendonte se vendi po shkon në drejtimin e duhur, pasi mendimi për këtë është ai që kanë atta në kokë, duhet të ishte ajo. Pra sipas tyre populli është i sëmurë pse populli mendon se vendi poo shkon në drejtimin e duhur dhe këta tipa nuk e mendojnë fare nëse janë ata të sëmurët.

Tjetri që thoshte është më keq, s’ka qenë më keq asnjëherë, tjetri thoshte se Rama ka blerë, ka blerë popullin! Kjo është Shqipëria e moçaleve mediatike, ku merr mbrapsht një lum të rëndë kënete. Dakord le ata marrim nga populli, shumica e popullit është e sëmurë, nuk kupton, ndërkohë që këtë popull s’e përdor dot, të jep ujë në bisht të lugës, po le ta marrim kështu, po BE që ka grupin më të rrepte të kontrollit, që ndjek paramentrat të gjitha, që kur ne morëm detyrën na shikonin sikur donin të mbaronin sa më parë, s’kishin asnjë respekt dhe as besim për ne, sepse shqiptarët ishin bombarduar nga të gjitha anaët me paragjyjkime dhe trillime. Si ka mundësi që këta kanë arritur në përfundimin se e duan Shqipërinë në BE, janë të sëmurë? Po këto organizmat ndërkombëtarë, fondet monetare që kontrollojnë ekonominë, administratën, janë të sëmurë dhe këta? Po organizatat që merren me luftën ndaj krimit dhe korrupsionit që japin vlerësimet, janë të sëmurë edhe ata? Po sondazhisti i trump që jep vlerësimet për Shqipërinë në sondazh, apo edhe ky është blerë nga Sorros?

Problemi me këta njerëz është se nuk duan ta shohin Shqipërinë reale që ndryshon çdo ditë. Unë erdha në Gjirokastër dhe pazari ishte plot me turistë, kur nuk është as sezon dhe as fundjavë. Kur nisëm detyrën kishte vetëm 2-3 dyer që i prisnin, madje edhe ata që ishin nuk nxirrnin fitime se s’kishte turistë. Pa llogaritur Përmetin që nuk shkonte njeri dhe s’i kishte kurrë këta numra, e tani ka arritur 150 mijë turistë. Po Libohova për të cilën jam shashtisur kur shkova në fillim, e braktisur, kurse tani me bujtina. Po Tepelena që ishte xhep, shkonin vetëm për të bërë dasma, për t’u martuar dhe iknin.

Edhe Tërmeti ma tha njëherë, “ku kishim parë ne bjonde nëpër rrugët e Tepelenës!”, bjonde nga Sudeia që bënin xhiro para Ali Pashait. Pale në Memaliaj apo gjendja e ujit në Përmet dhe më gjerë, Tepelena, që vuanin për ujin, tani kanë 24 orë ujë. Pa folur për infrastrukturën dhe të tjerat”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:26
Rama batuta me Peçin: Tërmeti më tha që se kishte imagjinuar që në Tepelenë do të shihte bjonde suedeze

 

Kryesocialisti Edi Rama njëherësh , gjatë takimit me gratë dhe vajzat në Gjirokastër ka bërë batuta me kandidatin për deputet në këtë qark Tërmet Peçi.

Ndërsa po fliste për rritjen e turizmit Rama tha se gjatë bisedës me Tërmet Peçin ky i fundit i kishte thënë se nuk e kishin imagjinuar që në Tepelenë do të shihnin bionde suedeze.

“Unë dje erdha me Mirelën në Gjirokastër dhe i gjithë pazari ishte plotë. Nuk është as fundjave. Në këtë qytet kur ne e kemi filluar detyrën kishte dy tre dyer ku mund të trokisje për të fjetur. Edhe ata përpëliteshin për mbijetesë nga mungesa e turistëve.

Kur kam vajtur në Libohovë jam shastisur. Kishte vetëm një kafene. Sot ka bujtina. Tepelena kishte një xhep fals. Ma ka thënë Tërmeti njehere, komandat, se kishim imagjinuar ndonjëherë bionde nga Suedia të bënin xhiro në Tepelenë. Bjonde, sy bojqelli, suedeze, duke bërë xhiro te Ali Palashi, deri në Memaliaj. Kjo Shqipëri është një Shqipëri krejt tjetër", tha Rama.

Ora 19:16
Momenti pikant/ Rama vallëzon me vogëlushen Aleksia, ‘kryeministren e të ardhmes’! U përgjigjet dhe kundërshtarëve: Më thonë se përdor fëmijët, pas 25 vitesh mund ta keni dhe në krye

 

Kryesocialisti e mbylli fjalën e tij me praninë e një vajze të vogël të quajtur Aleksia.

Vogëlushja e ndërpreu teksa recitoi një poezi me numrin 5, që përfaqëson PS-në në fletën e votimit, duke theksuar se është "numri më i mirë dhe i bukur". Ajo mbante të veshur edhe një bluzë të stampuar me yllin e BE-së, të ngjashme me bluzen që kishte veshur kryeministri.

Rama e shfrytëzoi këtë moment të veçantë emocionues edhe për t’iu përgjigjur kundërshtarëve të tij që e akuzuan prej ditës së djeshme për bisedën rreth fotove nudo të tij para të rinjve, që rivalët i quanin fëmijë.

“Meqë marr shkas nga Aleksia (vajza e vogël), këta të kënetës që thonë se “populli është i çmendur”, që merren me ‘shiko se ai po përdor edhe fëmijët,, ju them juve këtu para Aleksias, pas 25 vitesh mos u çudisni që ta keni edhe në krye të vendit. Ju faleminderit!”, u përgjigj kryeministri.

Dhe në mbyllje të takimit elektoral, me hitin muzikor të fushatës së PS dhe në atmosferë festive, kreu i qeverisë mori disa çaste për të vallëzuar me “kryeministren e të ardhmes”.

Ora 19:02
‘Burrat dy orë në këmbë, bravo dhe respekt...!’ Rama ironizon dhe këshillon: Bindni gratë dhe burrat demokrate, do mbeten vetëm me Tritanin si hudhër! I përgjigjet edhe ‘kënetës’ për bullizimin

 

Kryesocialisti pati edhe momentin e batutave të përhershme me gratë dhe vajat e pranishme, ndërkohë që detaji pikant ishte prania e një grupi burrash që qëndruan për 2 orë në këmbë dhe që i vlerësoi për “respektin dhe durimin e tyre ndaj grave”.

“Ja, imagjinoni ju të ikni një muaj nga Gjirokastra, të udhëtonit në BE për pushime dhe kur të ktheheshin çfarë do gjenit? Ja, shiko si janë (burrat që ndiqnin nga distanca takimin)! Po sikur të iknin ata një muaj, çfarë do ndodhte? Nuk do kishte asnjë bisht cigareje, do regjistrohej rekordi se nuk do kishte asnjë të dehur për një muaj”, u shpreh ai.

Dhe më tej ngriti lart figurën e bashkimit grua-burrë, atë që kërkoi edhe më 11 maj, duke dhënë edhe porosi për të bindur gratë dhe burrat demokrate që të mos votonin kënetën, apo të nxirrnin si “hudhër” për deputet Tritan Shehun.

“Më mirë kështu bashkë, sa më bashkë, më të fortë, gra, vajza, burra e djem, e dini detyrën vetë. Tre javë janë, mos lini njeri pa takuar, folur e bindur, uluni me gratë demokrate si nëna, si shoqe e qytetare gjirokastrite. E dini çfarë mund të bëni në rastin më të mirë? Të nxjerrin Tritanin si deputet, kjo është vepër e mirë që mund të bëjnë, nëse duan ta trajtojnë si një hudhër atje, le ta bëjnë. Dhe tani dua një duartrokitje për ata atje, që rrinë në këmbë, bravo ju qoftë, dy orë i keni shërbyer grave në këmbë, me respekt”, vijoi ai batutat e tij politike.

Dhe në fund me një përgjigje ndaj kundërshtarëve për akuzat se ‘bullizon dhe fyen burrat” Rama shtoi:

“Ja, shiko, se do na thonë ja po i bullizon ai ata atje, e dini çfarë është bullizimi?”, thumboi ai.

Ora 18:49
Rama: A doni negociata dhe anëtarësim në BE? Vetëm unë dhe PS e bëjmë, askush tjetër! Apo t’u çojmë bufin, që i fiket llamba tre herë në ditë!

 

Kryeministri Edi Rama apeloi sot nga Gjirokastra për një votë masive përtej të majtës dhe të djathtës, me qëllimin e vetëm anëtarësimin në BE dhe kapjen e afateve për negociatave, pasi “dera e hapur e BE mund të mbyllet me kënetën”.

Kryesocialisti theksoi se “vetëm PS dhe ai e çojnë Shqipërinë në BE”.

“A doni t’i mbyllim negociatat? Po! Negociatat me BE i mbyllim vetëm unë me PS-në, nuk ka tjetër. Se po prite 6 muaj, dera mbyllet dhe s’ka më negociata e anëtarësim, dera e BE mbyllet. Jo se ata i mori malli për ne, por sot kanë nevojë ata për ne dhe kanë hapur derën. Kurse ne ta shfrytëzojmë dhe të mos lejojmë të mbyllet ajo derë, një herë ndodh, ndryshe mbyllet, është koha e duhur, janë përputhur yjet e fatit”, tha kryeministri.

Më tej ai vuri përpara shqiptarëve alternativën e kundërshtarit, sikur Sali Berisha të shkonte për negociata në BE.

“Imagjinoni t’u çosh atyre atje bufin për negociata? E mendoni dot, ça do u thotë ai atje, bufit që i fiket tre herë në ditë llamba!”, ironizoi ai kreun e PD-së.

Kryeministri vuri në dukje qëllimin e opozitës për ta kthyer vendin pas, ndaj apeloi që forca e grave është e madhe dhe se me to anëtarësimi në BE është më i arritshëm.

“Ndaj ne populli shqiptar përtej dallimeve partiake, nuk ka më kohë për ne të qëndrojmë jashtë BE-së. Kjo është koha e duhur, nuk ka më kohë, ndaj ju lutem të gjithëve, besoj shumë të forca juaj, të gjitha me shoqe, fqinje, kushërinj e miq, të votoni më 11 maj për Shqipërinë në BE. Nuk kam asgjë me burrat, as me ata që janë çyrykë, por nëse Shqipëria ishte e prapambetur ishte se kishte grua të paralizuar, forca e gruas ishte e paralizuar, nuk qëndron dot një vend me një këmbë. Sa më shumë vendimmarrje i japim gruas, aq më shumë ecim përpara, unë jam shumë i bindur për këtë, edhe pse është opinion. Por duke iu referuar edhe Margareth Thaçet e ka thënë, muhabeti bëhet me burra dhe punët zgjidhen me gratë. Edhe Papa Francesku, ramët pastë, e tha se me gratë punët bëhen më mirë. Lum ata burra që e pranojnë se fal grave janë më të fortë, se bëjnë më pak gabime, janë më mirë”, vijoi ai.

Ora 18:32
Rama: Drejtësinë e bëri PS, Altin Dumanin s’e njihte njeri, ne ia dhamë shpatën! Ai tjetri bënte sehir kur vriteshin 4 protestues! Unë jam pengesë që ‘këneta’ ta na kthejë pas

 

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij u shpreh se reformën në drejtësi e bëri Partia Socialiste, edhe pse kishte kosto për qeverinë e majtë, pasi u godit edhe në krahun e mazhorancës.

Kryesocialisti nënvizoi se po të mos donin të goditeshin edhe majtas, mjaftonte të mos e bënin reformën në drejtësi, por ai theksoi se ishte i vendosur për barazinë ligjore, që vendi të shkojë në BE.

Rama kujtoi edhe faktin se Altin Dumani është një profesionist i mirë si hetues dhe prokuror i vjetër, por deri para reformës në drejtësi ai dhe kolegët e tij nuk kishin marrë në pyetje apo arrestuar zyrtarë të lartë siç po bëjnë tani me SPAK, përtej të majtës dhe të djathtës.

Kryeministri theksoi se shpatën e drejtësisë Dumanit dhe të njohur e bëri Partia Socialiste, edhe pse shumë zyrtarë të mazhorancës janë arrestuar.

Fjala e Ramës për drejtësinë dhe BE:

"Si ka mundësi një popull ordiner t’i japi mandatin e katërt një njeriu që ka gjysmën e njerëzve të tij në burg, e do ia japim votën atij. Shiko se çfarë mendojnë?!

Unë po flisja me pensionistë, se ata janë analistët e vërtetë, atyre u besoj unë, ata dinë më shumë se analistët e studiove. Unë për vete në çdo panel emisioni do kisha analist edhe një pensionist. Këta të tjerët nuk janë analistë, po fare, s’kanë lidhje me analistin ata.

Kush ia kishte dëgjuar emrin Altin Dumanit? Ai është profesionist i vërtetë, jurist i vërtetë, meriton të gjithë respektin dhe mirënjohjen tonë. Por Altin Dumani nuk ishte në hënë, ishte këtu, ishte në Tiranë, në Shqipëri dhe ishte prokuror për vite. Si ka mundësi që askush nuk e dinte se kishte një njeri me emrin Altin Dumani, prokuror. Si ka mundësi që një njeri prokuror dikur nuk thërriste një njeri me pushtet dhe t’i thoshte hajde këtu të të marr një çik në pyetje? Çfarë ka ndodhur që tani ai i thërret dhe i pyet një nga një? Si është kjo punë, çfarë ndodhi? Sepse që nga 1912 nuk kishte ndodhur që një zyrtar i lartë të shkonte të jepte llogari në Prokurori, kishte ndodhur me pushkatime në diktaturë, por jo siç ndodhi pas 1990, kur i pari i vendit burgosi kryetarin e opozitës politikisht, për turpin tonë ndodhi kjo.

Por edhe para 14 vitesh a 15 vitesh kur i pari vendit bënte sehir në dritaren e zyrës së tij kur vriteshin njerëzit protestues në bulevard. Dhe kur drejtuesja e Prokurorisë i çoi fletët e arrestit për 3 drejtuesit e policisë për t’i arrestuar dhe marrë në pyetje, ai i tha “lavire bulevardi’. Nuk lejoi që të merreshin në pyetje, por çfarë ka ndodhur? Ka ndodhur ajo që vendi ka ndryshuar, situata ka ndryshuar, ndodhi ajo që ne, partia Socialiste, e jo Stamo Dumua, ju e njihni Stamo Dumon, ia lamë punët e drejtësisë, drejtësisë. Ia dorëzuam shpatën e drejtësisë Prokurorisë, e kam në zyrë shpatën unë, e kisha në zyrë e ua dhashë, atë shpatë që të tjerët gjithashtu e kishin dhe e mbajtën për vete. Ju e dini mirë, e kam thënë edhe në krye të herës na duhet drejtësi e çliruar nga politika dhe jo për politikën, të bënte punën e saj, një drejtësi që të godiste majtas dhe djathtas. Majtas për kë e kisha unë? Jo vetëm djathtas, por edhe majtas, qeverinë tonë. Kurse këta çyrykë tani na thonë se kemi gjysmat e njerëzve në burg, edhe pse unë kam pasur 60 ministra, por edhe sikur të jenë gjysma, është arsye për t’u turpëruar? Jo, ndaj e thosha që më jepni timonin se po të kem timonin do bëjmë drejtësinë dhe ja ku jemi.

Por demokratëve nuk u intereson shumë se godet majtas dhe djathtas, por se godet me drejtësi. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, juve ju intereson barazia para ligjit. Dhe vijmë te pasaporta e BE-së, ju nënat dhe gratë e sotme, ju nuk mund ta lini në dorë se kush vjen te kryeministria, kur fiton, por edhe siç e shohim nuk biem të gjithë dakord për drejtësinë, por duhet të lëmë drejtësinë dhe SPAK të bëjnë punën e tyre, pavarësisht se sa na dhemb ne.

Kurse ata të tjerët na thonë më 12 maj do shkrijmë SPAK-un. Ata duan ta kthejnë në lojë, por kjo nuk është lojë, ndaj ju them nënave dhe baballarëve që më 11 maj votoni për të hyrë në BE dhe për drejtësinë, sepse po hyre në BE nuk ka më lojë me barazinë para ligjit apo ta hedhësh vallen si ta duash. BE është i vetmi opsion për ne.

Barazia para ligjit nuk bëhet dot, nuk bëhet dot sot se nuk kemi kapacitet, do bëjmë lojëra ne. Këtu është çështja që të mos guxojë njeri fare dhe këtë e garanton vetëm BE-ja, që të mos preket drejtësia dhe reforma.

Çyrykët dalin e thonë ça është kjo del e thotë kënetë, tepsi, buf, tani del e flet për pasaportën, s’ka ça thotë! Unë s’kam ça them? Por nëse do numëronim punët vetëm në Gjirokastër këto vite mund të rrime një ditë të tërë, kurse për punët në Shqipëri mund të rrimë këtu e të flasim deri pas 11 majit (bën batutë me vajzën që foli më herët dhe i kërkoi vëmendje, duke e quajtur “flori të vogël”).

Mami me babin tëndë do paguanin për të mundësuar shkollën ty me pagesa ekstra, por duke qenë në Bashkimin Europian ti do trajtohesh njëlloj si studentët europianë, me të drejta të barabarta dhe mami e babi do paguajnë e investojnë njëlloj si europianët, sepse ke pasaportën e BE.

Kurse tani të kërkojnë llogari për lëvizjen, kërkojnë sa para ke, ku do vesh, sa do rrish, kur do kthehesh etj.

Këtë mundëson pasaporta europiane. Shikoni të afërmit tuaj në Greqi, vuajnë për pensionin, kanë hallin e pensionit atje, sepse s’kanë dhënë kontribute, kjo çështje nuk është e lehtë për njohjen e tyre, kërkon dhe kohë. Por nëse merr pasaportën e BE-së, nuk ka më nevojë për pasaportën greke, sepse je njëlloj si ata, madje mund të zgjidhesh edhe deputet që nga atje.

Dhe rruga më e shkurtër për t’i mbyllur të gjitha historitë, është që më 11 maj të votohet për BE, të anëtarësohemi në BE, të mbyllim negociatat, anëtarësohemi dhe të marrim pasaportën e BE.

Ata të tjerët thonë se vetëm unë jam pengesa. Sepse po më hoqën mua nga rruga, do kthehen aty ku ishin. Se atë punë bëjnë më mirë, të kthehen aty ku ishin dhe për këtë duhet të më heqin mua".

Ora 17:51
Votuesja e re socialiste i ‘tërheq veshin’ Ramës: Më shiko pak...! Shqipërinë e bën vetëm ky burrë!

Takimin me gratë dhe vajzat socialiste në qarkun Gjirokastër e kanë hapur drejtueset politike të strukturave të partisë dhe kandidatët, por ajo që ra në sy ishte një vajze e re, votuese për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit, që sapo ka mbushur 18 vjeçe.

Ndërsa mbante fjalën e saj si votuese për herë të parë për Shqipërinë në BE më 2030 që ajo të marrë pasaportën europiane edhe për studime, vuri re se kryeministri Edi Rama nuk po i ‘kushtonte’ vëmendjen e duhur.

Me një buzëqeshje të lehtë ajo iu drejtua kryesocialistit me tërheqje vëmendjeje:

“Më shiko pak, se jam edhe votuese e re!”, iu drejtua ajo Ramës.

Ndërsa në fjalimin e shkurtër që mbajti, vuri në dukje se:

“Vetëm ky burrë e bën Shqipërinë dhe e çon në Europë!”