Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar 75.8 kg mish derri në tregun e Milotit ku tregtohej jashtë çdo standardi sigurie, pa certifikatë veterinare, pa vulë identifikimi dhe pa faturë tatimore. Mishi tregohej në një zonë të papërshtatshme, i ekspozuar në mes të baltës dhe në kundërshtim me ligjet.

Tregu i Milotit, i cili funksionon kryesisht ditëve të dielë, nuk plotëson asnjë nga kriteret ligjore dhe higjeno-sanitare të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Policia e Shtetit bëjnë thirrje për respektimin e rregullave të sigurisë ushqimore dhe paralajmërojnë se kontrollet do të vijojnë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe ndëshkimin e çdo shkeljeje të ligjit.

Njoftimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit:

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), në kuadër të informimit të publikut dhe rritjes së transparencës, informon opinionin publik mbi kontrollet e ushtruara dhe masat e marra në funksion të garantimit të sigurisë ushqimore.

Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Lezhë (DRAKU Lezhë), më datë 08.02.2026, ka realizuar një kontroll zyrtar në Tregun e Milotit, bazuar në urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm “Për kryerjen e monitorimit të Tregut të Milotit”.

Gjatë monitorimit u konstatua një individ që tregtonte mish derri pa certifikatë veterinare, pa vulë identifikimi dhe pa faturë tatimore, si dhe në kushte të papërshtatshme për tregtim, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Në vijim të konstatimeve, u bë bllokimi i një sasie prej 75.8 kg mish derri, për të cilën u mor masa e asgjësimit në prani të autoriteteve kompetente, si dhe u aplikua masë administrative me gjobë ndaj subjektit përgjegjës.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit siguron konsumatorët se masat janë marrë menjëherë dhe me efikasitet maksimal, me qëllim parandalimin e çdo rreziku që mund të lindë nga tregtimi i produkteve ushqimore jashtë standardeve ligjore.

AKU mbetet në gatishmëri të plotë për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit, duke ftuar njëkohësisht për bashkëpunim të ngushtë institucionet e tjera ligjzbatuese, me qëllim vijimin e kontrolleve të rrepta në të gjitha rastet ku evidentohen parregullsi në tregtimin e ushqimit.

Me këtë rast, AKU u bën thirrje të gjithë qytetarëve të denoncojnë çdo rast ku cenohet siguria ushqimore dhe të drejtohen vetëm pranë subjekteve të licencuara dhe të autorizuara për shitjen e produkteve ushqimore. Siguria ushqimore është siguri kombëtare.