Misioni i panjohur i të besuarës
së Berishës në Moskë në prill 2012

Misioni i panjohur i të besuarës<br />së Berishës në Moskë në prill 2012
Në vitet 2011-2012 Shqipëria përpiqej të vinte në funksionim të gjitha nivelet e marrëdhënieve me Rusinë, duke siguruar një ftesë për kryeministrin Berisha në Petërburg dhe një vizitë të kryediplomatit rus Lavrov në Shqipëri.

Këto fakte bëhen të ditura në një intervistë që i ka dhënë agjencisë shtetërore ruse të lajmeve ITAR-TASS zëvendësministrja e Punëve të Jashtme Edit Harxhi, më 12 prill 2012.

Ndërkohë është i pashpjegueshëm fakti që ndërsa MPJ-ja dhe mediat ruse i bënë jehonë vizitës të Harxhit në Moskë, vartësit e saj në Tiranë nuk e pasqyronin në sajtin e Ministrisë së Punëve të Jashtme veprimtaritë në “Romën e Tretë”.

Për më tepër që Harxhi, një nga njerëzit më të besuar të Berishës dhe PD-së, kishte arritur sukses, teksa siguroi një ftesë për Kryeministrin shqiptar në forumin ekonomik të qershorit 2012 në Shën-Peterburg.

Po hedhim dritë për një vizitë të gjatë të ish-nr. 2 të MPJ-së, Edith Harxhi në Moskë, por që nuk është bërë publike as nga MPJ-ja dhe as nga mediat shtetërore.  Përtej misterit që shkakton ky fakt, ngjallin interes deklarimet e Harxhit në vendin e stepave të pamat.

TATIM PULSI
“Tani në kuadrin e NATO-s po formohet në mënyrë aktive sistemi evropian i mbrojtjes nga raketat. A po planifikon Shqipëria t’i bashkohet kësaj strukture, a do të instalohen në të ardhmen në territorin shqiptar elemente të sistemit pan-evropian të mbrojtjes nga raketat?”, kjo ishte një nga pyetjet e porositura nga lidershipi i Rusisë për agjencinë e shtetërore telegrafike ITAR-TASS për t’iu bërë zëvendësministres shqiptare të Jashtme Edith Harxhi.

Por, ajo, me elegancë, përdori një dredhi ala Berishë në përgjigjen e saj: “Që nga viti 2009, Shqipëria është anëtare e NATO-s. Angazhimi ynë në Aleancë nuk konsiston vetëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në botë në tërësi, si edhe në rajon, por edhe në pjesëmarrjen në operacionet paqeruajtëse. Do të vazhdojmë të përmbushim detyrimet tona në kuadër të ISAF-it në Afganistan, si dhe në operacione të tjera të NATO-s në të gjithë botën.

Shqipëria është një vend i cili jo vetëm garanton siguri, por edhe e prodhon, dhe, duke qenë një shtet i tillë, ne kemi instrumentet përkatëse për zgjidhjen e çështjeve të agjendës ndërkombëtare.

Pozicioni ynë mbetet i pandryshuar lidhur me çështje të ndryshme në OKB, OSBE dhe Këshillin e Evropës. Në bisedimet me Vladimir Titovin u konstatua se negociatat në kuadër të Këshillit Rusi-NATO duhet të vazhdojnë, nuk ka rëndësi se në çfarë niveli do të bëhen”. Rusia tatoi pulsin për faktin se në vitin 2008 Berisha kërkoi që radarët amerikanë anti-raketë të instaloheshin në Shqipëri, gjë që solli reagimin e ashpër të Moskës. Se sa me merak e ka këtë problem, mjafton të citojmë radion shtetërore “Golos Rossii” (Zëri i Rusisë) në një lajm të 17 prillit: “Rusia synon të vendosë një radar mbi-horizontal në territorin e Transnistrias.

Stacioni i ri i radiolokacionit, i përfshirë në sistemin e paralajmërimit të sulmeve raketore, do të jetë një nga përgjigjet e Rusisë ndaj vendosjes së Mbrojtjes Evropiane Antiraketë dhe krijimit të bazave ushtarake të NATO-s në Rumani”. Sikurse ka dalë nga dokumentet e shklasifikuara amerikane, në vitin 1961 Presidenti Xhon Kenedi anuloi një bombardim atomik të Shqipërisë për shkak të një radari sovjetik të Paktit të Varshavës në ishullin e Sazanit, me t’u prishur marrëdhëniet e Hoxhës me Hrushovin.

Por Moska e sotme është dhe pragmatiste. Sipas njoftimit për shtyp të MPJ-së ruse, në konsultimet midis Titovit dhe Harxhit, më 4 prill, “u diskutuan çështje të ndërveprimit të dy vendeve në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në kontekst të kryesimit të ardhshëm të Shqipërisë në Këshillin e Evropës, një numër çështjesh të politikës globale dhe gjendja në Evropën Juglindore”. Me sa duket, Rusia mund t’i jepte kënaqësi Tiranës duke i çuar ftesë Kryeministrit Berisha për një forum ekonomik në qershor dhe ku të takonte kryeministrin e ri rus. Të paktën, kështu del nga intervista e Harxhit që priste të realizohej ky event.

NOSTALGJIA
“Po bëjmë përpjekje të aktivizojmë lidhjet tona”, tha në intervistë Harxhi, e cila 9 ditë më parë, më 3 prill, në universitetin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse MGIMO, në një leksion kushtuar zhvillimit të marrëdhënieve miqësore midis Rusisë dhe Shqipërisë, tregoi me hollësi mbi bazat e bashkëpunimit, që u vendosën në marrëdhëniet mes dy vendeve në vitet 1940-50.

Harxhi nënvizoi se kujtimi për këto tradita është ende i gjallë në Shqipëri. Por. me sa duket, rusët janë mosbesues. Në një shkrim të 19 gushtit 2009 gazeta zyrtare e qeverisë ruse botoi artikullin me titullin “Kryeministri shqiptar akuzoi Rusinë se po përpiqet “të kthejë Bashkimin Sovjetik”.

Kreu i qeverisë shqiptare Sali Berisha, me t’u kthyer nga ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike, në një konferencë shtypi të improvizuar, e gjykoi ashpër agresionin e Moskës kundër shtetit të lirë të pavarur dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndërhynte me urgjencë për të rregulluar gjendjen.

Sipas fjalëve të kryeministrit të Shqipërisë, Rusia ne veprimet e saj nuk do as më shumë as më pak “të kthejë Bashkimin Sovjetik”. Për Kremlinin,“hipokrizia e shqiptarëve, natyrisht, shpjegohet me faktin se ata thjesht përsërisin fjalë për fjalë çka u thonë amerikanët”.

Por Berisha ka ndryshuar. Madje, ai u tregua tejet i sjellshëm, kur priti një vit më parë në një audiencë drejtorin e Antidrogës Ruse dhe urdhëroi aderimin e Shqipërisë në Pesëshen e udhëhequr nga Rusia dhe Serbia për të rrethuar Kosovën me një “kordon sanitar” për luftën kundër narkotrafikut. Jo vetëm kaq, Harxhi u udhëzua të deklaronte në intervistën e cituar se Shqipëria beson që “ndërveprimi në Ballkan krah për krah me Rusinë ka shumë rëndësi për garantimin e sigurisë në rajon”. Berisha u ka kërkuar rusëve të fusin në Shqipëri një degëzim të gazsjellësit rus “Rryma Jugore”.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?