Për të zbuluar misterin se cili nga fëmijët qëlloi për vdekjen babanë, Pëllumb Metën në Shënavlash, policia e Durrësit do të vendosë në provë 19-vjeçaren Hygerta Meta e cila këmbënguli në gjykatë se ajo e vrau të atin.

Vajza do të dërgohet në një poligon qitje dhe do t’i jepet arma e të njëjtit kalibër me të cilën u krye vrasja, duke dëshmuar se si e përdori për ekzekutimin e babait.

Policia e Durrësit do të kryejë edhe një eksperiment të dytë, atë të hapjes së gropës mbi një metër në kasollen e bagëtive ku u gjet trupi i pajetë i Pëllumb Metës.

Për vrasjen e tij janë arrestuar 3 fëmijët, dy prej të cilëve kanë ndryshuar disa herë dëshmitë për autorësinë. Sipas policisë djali i madh, Hysen Meta dyshohet se ka qëlluar, edhe pse Hygerta këmbëngul për të kundërtën. Vijojnë hetimet për rolin e nënës së tyre, Blerina Metës, e cila për momentin po hetohet në gjendje të lirë.