Eshtë një problem i madh për të cilin flitet dhe shkruhet pak. Të dhënat janë të reduktuara, ose nuk ekzistojnë. Cilësia e ushqimeve dhe e disa mallrave që serviren nëpër dyqanet shqiptare lë shumë për të dëshiruar. Dyshimet për produkte të falsifikuara rriten sa herë shton produkte në shportën e shpenzimeve të përditshme. Çfarë hamë? Dhe për më tëpër: Si janë prodhuar ushqimet që blejmë në dyqanet afër shtëpive tona?
Ndryshimin e madh e vunë re emigrantët, të cilët bënin dallimin në shije mes të njëjtit produkt që ata konsumonin në vendin ku kanë emigruar dhe atij që tregtohet në Shqipëri: ”- Ky vaj ulliri nuk është njësoj si ai që unë blej në Itali, edhe pse marka, etiketa është e njëjtë! - Përdor të njëjtën pastë dhëmbësh; e njëta markë, e njëta përbërje, pse këtu në Tiranë ndryshon?!” Dallimi është për gati çdo gjë: Shampo, makarona, verë, drithëra, ushqimet për fëmijë, deri te pije si amaro: I njëjti produkt, e njëjta markë, shijet ndryshojnë. Për keq, sepse çmimet janë të lartë njësoj.
Ka vite që qarkullon mendimi se firma të mëdha multinacionale prodhojnë produkte të caktuara për vende jashtë BE, me një cilësi që lë për të dëshiruar. Por sa të kontrolluara jane keto produkte tek ne? Por, edhe nëse do të ishte realisht kështu, do të ishte gjysma e të keqes. Frika është se ndryshimi aq i madh dhe për keq në shije të çon të mendosh se në ato shishe vaji ulliri italian, shitur në supermarketet më me zë të Tiranës, pas etiketave të bukura dhe me çmime shumë të larta, fshihet tërësisht tjetër gjë. Ndoshta prodhuar në kushte klandestine në fabrika inekzistente të Lindjes apo këtu në Shqipëri? Kush mund të na japë përgjigje për këtë veç dëshmive të atyre bashkëqytetarëve që jetojnë jashtë, apo të tjerëve që hyjnë e dalin nga Shqipëria? Një tjetër fakt: Të huajt që jetojnë në Tiranë, ashtu siç bënin në fillim të viteve ’90, kanë rinisur të vijnë me ushqime të blera jashtë. Arsyeja? Pasiguria e ushqimeve që blihen edhe në supermerkatat më të mira. Eshtë alarmante dhe e trishtë njëkohësisht.
Nuk është shumë i largët lajmi, kur kontrollorë të METE, që duhet të siguronin cilësinë e mallrave në treg, u zbuluan se mbyllnin sytë në favor të shpërblimeve financiare. U zbulua gjithashtu se i përkisnin të gjithë një partie, LSI. Pas arrestimeve të bujshme ata janë të lirë, ndoshta jo më në vendet e punës si kontrollorë të cilësisë së mallrave, por e sigurtë është, që kontrollorët e rinj të cilësisë mund të kenë ndryshuar vetëm parti, jo ndershmërinë në verifikimin e prodhimeve të falsifikuara.