Misteri 2500 vjeçar i tempullit antik të Shtyllasit

Janë rikthyer pas 20 vitesh arkeologët për të kryer gërmime në tempullin antik të Shtyllasit, pjesë e parkut arkeologjik të Apolonisë.

Gërmimi arkeologjik dhe zbulimet e kryera kane sjelle dëshmi autentike të një tempulli rreth 2500 vjeçar, i cili ruan plotësisht bazamentin e tij.

“Emërtimi i saktë është kodra e Shtyllasit. Dhe jemi në qendër të një tempulli klasik grek ku ne akoma nuk e dimë se cilës Perëndi i është përkushtuar. Ky tempull i shenjtë i periferisë së Apolonisë është një nga monumentet e para që mund të shihnin njerëzit që vinin nga deti dhe ky monument është i vetmi që ne kishim mundësi ta identifikonim sepse është i vetmi ku ruhet dhe kolona.” -tregon arkeologu gjerman Grigor Doehner.

Bashkëpunimi ka qenë mes institutit të arkeologjisë dhe institucioneve të ndryshme studimore gjermane dhe si  Instituti “Dioain” apo Instituti arkeologjik gjerman, Universitete të ndryshme siç është ai i Köln-it, i Berlinit, etj. Sipas profesor Bashkim Lahi ky bashkëpunim ka filluar mbi 20 vjet më parë dhe fryt janë gërmimet dhe botimet po ashtu ne teatrin e Apolonisë.

“Vetëm në Apoloni, muri amforave të Apolonisë dhe tani ky është i treti projekt, pra tempulli i Shtyllasit. Ndërkohë si bashkëpunim kemi dhe gërmimet në qytetin e Babunjës në afërsi të Lushnjes. Kështu gjej rastin këtu për të theksuar se bashkëpunimi jonë institucional ka qënë shumë shumë i frytshëm.- shprehet arkeologu Bashkim Lahi.

Ky bashkëpunim sipas profesor Lahit është falë mbështetjeve financiare që kanë gjetur kolegët gjermanë në institucione të ndryshme financuese shkencore, të kërkimit shkencor në Gjermani. Por nuk ka ndodhur e njëjta gjë në Shqipëri.

“Për fat të keq detyrohem të them që nga pala shqiptare ne nuk kemi patur asnjëherë një mbështetje financiare për ushtrimin e aktivitetit.”-nënvizon profesor Lahi.

Kolona ndodhet vetëm një km larg nga porta jugore e Apolonisë. Në qytetin antik gërmimet kanë nisur në fillim të shekullit të 19.

Më konkretisht në vitin 1924 deri 1944 në Apolloni fillon gërmimet një ekip francez i udhëhequr nga Leon Rei, i cili në përjashtim nga arkeologët e tjerë zhvilloi gërmime së bashku me arkeologun shqiptar Hasan Ceka. Ai i përqendroi gërmimet në pjesën më të lartë të qytetit, në anën perëndimore të kodrës ku gjendeshin rrënojat e një tempulli arkaik, Stoa me gjatësi 78 m, me një arkitekturë të veçantë dhe e ruajtur në tërë katin përdhe. Në nishet e saj ai gjeti katër shtatore dhe tri koka të bukura. Pas zbulimit të Stoas, Rei u orientua në drejtim të agoras ku në shpatin e kodrës ai zbuloi teatrin, të cilin e quajti Odeon. Midis shumë zbulimeve të rëndësishme të Reit, me interes ishin zbulimet në nekropolin e qytetit, ku ai ndeshi varre me materiale korintike më të herëshme se data tradicionale për themelimin e Apolonisë (588 p.e.s).

Ndërsa hamendësimet për kolonën që i ka dhënë emrin fshatit Shtyllas në Fier janë për një sipërfaqe rreth 1000 m2. Funksioni i tij ishte për shërbesat religjioze të qytetit antik të Apolonisë, si një prej tempujve ndër më të rëndësishmit në rajon duke qenë edhe afër portit lumor të qytetit.

“Në vitet ‘70 për herë të parë kanë bërë gjurmime rreth këtij tempulli. Dhe kanë bërë të njohur rëndësinë e këtij monumenti por në atë kohë ishte e vështirë të vije këtu, të punoje dhe të bëje dhe gërmime. Kështu në 1999-2000, së bashku me kolegët francez, ne bëmë gjurmimet, gërmimet e para në këtë tempull. Dhe nga këto gërmimet e para ne morëm informacionin se me çfarë tempulli kemi të bëjmë. Pra kemi të bëjmë me një tempull dorik të periudhës klasike, tempull i kulturës greke. Meqë kishin ngelur shumë çështje pa u sqaruar, ne bashkë me kolegët shqiptarë morëm iniciativën që ta studiojmë më tej këtë tempull dhe ta lidhim me historinë e qytetit”, tregon arkeologu gjerman.

Kur nisën gërmimet, arkeologët gjermanë e ata shqiptarë menduan se këtu nuk është ruajtur gjë nga themelet. Sot ata janë surprizuar më tepër seç prisnin që në strukturën e tempullit kanë mundur të nxjerrin në pah një gjetje shumë të rëndësishme, shumë të bukur, përmes të cilave shpresojnë që në fund të gërmimeve të kuptojmë çfarë madhësie kishte ky tempull, me çfarë teknike është ndërtuar dhe në çfarë kohe është ndërtuar.

“Përshembull, kolonën që kemi këtu, në literaturë është interpretuar në forma të ndryshme. Disa studiues mendonin se kjo është kolona e Celës ndërsa të tjerë mendonin se është kolona e Prestazës dhe kanë vendosur kolonën në qoshe të tempullit. Dhe tani, edhe pse jemi në fazën e parë të këtyre gërmimeve, ne tashmë e kemi të qartë që kemi të bëjmë me një kolonë të Prestazës ose si të thuash korridorit të kolonave. E dyta gjë që përcaktuam është se kjo kolonë nuk është në qoshe të Prestazës por kolona e dytë e këndit verilindor të monumentit.”- sqaron arkeologu Grigor Doehner.

Ky vend ishte vazhdimisht i mundshëm për t’u identifikuar, pikërisht për këtë kolonë që është ruajtur që nga periudha antike.

Në gjysmën e parë të shekullit të 19, duhet të kenë qenë të ruajtura shumë më tepër pjesë të këtij monumenti dhe jo vetëm kolona sipas arkeologut Doehner:

“Dhe nga burime të ndryshme ne dimë që ky tempull u shkatërrua dhe elementët e tij u përdorën për ndërtim në territore të ndryshme të Shqipërisë. Në gjysmën e dytë të shekullit të 19, ky tempull ka tërhequr vëmendjen e shumë udhëtarëve. Prandaj dhe nga udhëtarët që kanë udhëtuar në këtë kohë, në gjysmën e dytë të shekullit të 19, ne kemi dhe vizatime të kolonës që po shohim. Dhe një nga këta udhëtarë ka bërë dhe një vizatim sesi mund të ketë qënë tempulli në kohën e tij.”

I pari që ka dokumentuar monumentin nga ana grafike është piktori shëtitës anglez Eduard Lir në tetor 1848. Ai shkruan:

Një kolonë e lashtë dorike në Shtyllas, rrethi i Fierit, Shqipëri, pjesë e rrënojave të Apolonisë, 19 tetor 1848. “Duke marrë si udhërrëfyes një fshatar nga manastiri, shkova në lindjen e diellit në kolonën e vetme Dorike, e vetmja e mbetur shenjë e Apolonisë mbi tokë. Ajo qëndronte në një kodër të vogël të zymtë, e mbuluar me bar të gjatë dhe gjemba të fortë, dhe një histori më e vetmuar dhe më e zymtë e kohërave të vjetra nuk mund të mendohej. Shtylla ishte prej guri ranor të trashë dhe të gjitha shenjat dhe dimensionet e Celës dhe tempullit ishin të dallueshme, megjithëse kolonat e mbetura ishin transportuar nga disa pasha për të zbukuruar Beratin. Në çdo anë të kësaj relike të vetme madhështie, sa fisnike ishin objektet në distancë.”

“Sivjet po i kushtojmë vëmendje, qoftë gërmimeve arkeologjike që tha kolegu pak më parë, qoftë koncermimit të kolonës. Shikoni kolonën, shikoni si është bërë. Të thotë mendja se kjo është ndërtuar dje. Çfarë bëmë? Një muaj punë pastrim. Pse mos ta bëjnë institucionet shqiptare? Pse mos ta bëjnë këtë punë? Thjesht pastrim. Me një furçë metalike. Por specialistët natyrisht. Unë smund ta bëj. “-tregon profesor Bashkim Lahi.

Misioni arkeologjik shqiptaro-gjerman me punën kërkimore dhe konservuese ka si qëllim zbulimin e plotë të strukturës arkitektonike të tempullit dhe sigurisht kthimin e tij në një prej objekteve më të vizitueshme të Parkut Arkeologjik Apolonia. Ky është edhe shqetësimi më i madh i arkeologut shqiptar.

“Ajo që unë ndoshta do të tërhiqja vëmendjen në këtë rast është se si këto monumente mund të kthehen të vizitueshëm. Për fat të keq, kërkimi i institucionive kërkimore shkencore ose financuese të kërkimit shkencor në Gjermani të cilët e kanë mbështetur gërmimin tonë dhe projektet në përgjithësi projektet tona, ato kanë një praktikë, ato mbështesin vetëm kërkimin shkencor, por nuk merren me vizualizimin e monumentit çka u takon institucioneve të tjera. Dhe në rastin konkret, unë do tu bëja thirrje, shumë të fortë, të gjitha institucioneve shtetërore shqiptare të tërheqin vëmendjen, të kthejnë vëmendjen ndaj monumenteve.”

Apolonia është një nga qendrat shumë të vizitueshme, si nga turistët shqiptarë ashtu edhe të huajt. Dhe turisti normalisht kërkon gjithmonë të shohë diçka të re. Aftësia për të thirrur turistin është pikërisht në mundësinë që ne u ofrojmë atyre për të parë monumente të reja, vë në dukje profesor Lahi.

“Dhe është për të ardhur keq, në Apoloni, kryesisht monumentet që vizitohen, janë kryesisht monumente të periudhës të Luftës së Dytë Botërore. Monumentet që kemi zbuluar ne dhe kolegët tanë, për fat të keq janë të mbuluar me dhe, ku në emër të konservimit është një masë e nevojshme për ta konservuar por ne duhet të mendojmë për ta prezantuar.”

Dhe për këtë nevojitet bashkëpunimi i të gjitha institucioneve pa përjashtim- thekson profesor Bashkim Lahi,  duke filluar nga Ministria e Kulturës,  Ministria e Turizmit dhe jo vetëm.

Instituti i Arkeologjisë bën kërkimin shkencor ndërsa dy institutet e tjera mund të bëjnë investimet e tyre në fushën e vizualizimit dhe të ruajtjes së monumentit.- shprehet arkeologu shqiptar.

“Unë gjykoj se një bashkëpunim i tillë është shumë i nevojshëm. Ndoshta jo përmes ministrive që përmenda por përmes institucioneve të tyre vartëse. Për shembull, këtu ka një park arkeologjik. Në konceptin tim, ose si e njoh unë konceptin park arkeologjik në Evropë, ky është shumë larg. Parku arkeologjik duhet të jetë një institucion i pavarur. Me financimin e tij, ai mund të vendos shumë gjëra në vend sepse siç thotë populli: “ I zoti i shtëpisë e di ku pikon çatia”. Ai e di se çfarë nevoje ka Apolonia. Mirëpo tek ne për fat të keq kjo skemë nuk funksionon. Me sa kuptoj unë, park arkeologjik është më tepër një institucion administrativ se sa një institucion që përfaqëson vërtet statusin që duhet të ketë.”

Për profesor Lahin ky monument, së bashku me teatrin e Apolonisë dhe me Fontanën e Apolonisë, të cilat janë përballë lumit të lundrueshëm të asaj kohe, që do të thotë edhe përballë detit, kanë qenë në të gjitha kohërat si një kartvizitë që të ftonte për të vizituar një qendër të madhe.

“Aty nuk është i lyer. Tani kjo po del në ngjyrën e vetë natyrore. Dhe shikoje. E bardhë. Përfytyroje të gjithë këtë godinë të bardhë dhe përfytyro lundërtarët, udhëtarët që kalojnë përmes lumit Vjosa të asaj kohe për të ardhur tek porti, sepse këtu poshtë ka qënë porti i qytetit dhe përmes portit lidhej me detin. Çfarë monumenti madhështor prezantohej. Mendo se çfarë impresioni të krijonte ky monument. Dhe në të vërtetë, çfarë ambasadori do të thoja unë, ishte ky monument për qytetin, për udhëtarët që kalonin përgjatë lumit dhe të njëjtin koncept do të kërkoja të ndiqnin edhe sot. Unë e shoh autostradën, qarkullon vazhdimisht, ka vazhdimisht lëvizje. Dhe prej atje shihet shumë mirë monumenti, dhe pse është vetëm një kolonë.”

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja