'Misteri' i pushkatimit të 129 karabinierëve italianë në malet e Çermenikës

'Misteri' i pushkatimit të 129 karabinierëve italianë në malet e Çermenikës

Antonio Magagnino, libri i Kadri Hoxhës dhe libri i Xh. Staraveckës

Disa ditë më parë lexova rastësisht në internet, intervistën e një studiuesi italian, i quajtur Antonio Magagnino, e cila intervistë ishte e hedhur nga Redaksia e portalit “VOX News”, më 22 maj 2022. Sipas intervistuesit (që çuditërisht nuk e tregonte emrin e tij) studiuesi italian ishte autori i një libri me titull “L’Eccidio della Colonna Gamucci” (Masakra e kolonës Gamucci), 2005, kushtuar pushkatimit mizor nga partizanët e Brigadës së Parë S. të 129 karabinierëve italinë prapa Gurit të Muzhaqit në Çermenikë.

Pyetjes së gazetarit: “Çfarë është kjo histori dhe pse deri më tani është folur pak?”, Antonio Magagnino i ishte përgjigjur: “Shkrimi tregon të vërtetën e pastër në lidhje me atë që ka ndodhur me kolonën Gamucci, e cila u zhduk papritur kur ra në duart e partizanëve shqiptarë dhe atyre të Titos, për t'u mashtruar më vonë me bashkëpunimin e partizanit të vetëshpallur Kolonel Kadri Aziz Hoxha, i cili u paracaktoi atyre një fat mizor (shënimi im-A.A.)”.

Pasi e lexova intervistën u binda menjëherë se autori i librit nuk po e tregonte aspak “të vërtetën e pastër”, siç pretendonte. Së pari, ai nuk kishte pasur informacionin e plotë të ngjarjes, se kush e kishte dhënë urdhërin për pushkatimin e ushtarëve italianë, kush i kishte “mashtruar më vonë” karabinerët italianë…, si dhe kush u “paracaktoi atyre një fat mizor”, por i kishte rënë shkurt, duke akuzuar drejt për së drejti Kadri Azis Hoxhën (?!). Së dyti, informacionet se kush i kishte vrarë karabinierët, autori i librit i kishte marrë në mënyrë të njëanshme nga një trakt dhe një librër të Xhelal Staraveckës (“Përpara gjyqit të historisë”, Tiranë 2012), i cili e kishte pranuar se ishte autori i pushkatimit të karabinerëve italianë. Por dhe këto të dhëna studiuesi italian i kishte shtrembëruar, pasi, në librin e tij, Staravecka shkruante: “Pas katër ditëve në Labinot, më thirrën në Shtab e më thanë të merrja batalionin e të shkoja në Çermenikë, afër Martaneshit, pranë një qendre të formuar nga Kadri Hoxha për të pushkatuar një sasi karabinierësh dhe oficerësh italianë… kur arrita, ia vura në dispozicion batalionin Kadri Hoxhës, duke e porositur nënkomandantin tim t’i ekzekutonte urdhrat e Kadriut… Për pushkatimin e karabinierëve dhe oficerëve të tyre, u angazhua Kadri Hoxha, duke përdorur batalionin tim, ndërsa 17 prej tyre i kam pushkatuar unë me dorën time…” (“Pse, kush dhe si u vranë 111 robër italianë në Shqipëri, Traktet e mia antikomuniste dhe pushkatimi i italianëve”. Gazeta “DITA”, 7 qershor 2016).

Është e vërtetë se kjo ngjarje, për gati 44 vjet me radhë (1943-91), mbeti mister në Shqipëri, pasi udhëheqësit komunistë donin që ajo ngjarje, e një krimi makabër, assesi të mos përmëndej më kurrë. Pas rënies së komunizmit ngjarja e pushkatimit të karabinierëve italianë u bë e njohur në Shqipëri vetëm nga një artikull i shkruar nga N/Kolonel Kadri Azis Hoxha (1913-1997), ish komandanti i Batalionit partizan të Çermenikës, i cili kishte qenë protagonist në atë ngjarje. Shkrimi i zotit Hoxha u botua në gazetën e asaj kohe, “Republika”, me titull: "Terror i kuq me plumba pas shpine" dhe me nëntitull: “Një katin i vogël për karabinierët italianë”. Në shkrimin e zotit K. Hoxha për herë të parë u denoncuan krimet komuniste gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe u përmënd për herë të parë masakra e 129 robërve (karabinierëv) italianë. Shkrimi i z. K. Hoxha pati një jehonë të jashtëzakonshëm, si në vendin tonë, por dhe në Italinë fqinje. Ndaj nuk mund të thuhet se për këtë ngjartje se çfarë ishte kjo histori dhe pse deri më tani është folur pak?! Gjithashtu, nuk është aspak korrekte për autorin Italian të librit “L’Eccidio della Colonna Gamucci”, i cili, për t’i shkuar deri në fund ngjarjes, do t’i duhej të ishte njohur me të gjithë autorët dhe botimet rreth ngjarjes. Ndaj nuk duam që ta besojmë se intervista ka qenë e vërtetë, por mund të ketë qenë një sajesë e “gazetarit” anonim të “VOX News”.

Në shkrimin e tij Kadri Hoxha shkruan se ai e pati kundërshtuar me forcë urdhërin e dhënë nga Enver Hoxha, komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare, për pushkatimin e 129 karabinerëve italianë. K. Hoxha shkruan: “Një ditë të mirë të tetorit 1943 vjen nga Labinoti në Fushë-Gurrë batalioni i 2-të i Brigadës I-rë Sulmuese, i komanduar nga Xhelal Staravecka. Ai më dorëzoi një letër të Enver Hoxhës, në të cilën, ndër të tjera, shkruante: “Unë me “Vjosën”(Mehmet Shehu-K.A.H.) po dërgojmë aty një batalion të Brigadës I-rë Sulmuese me komandant shokun Xhelal Staravecka që të pushkatohen të gjithë karabinierët që ndodhen aty. Aksioni duhet të kryhet në mënyrë shumë konspirative që të mos merret vesh në asnjë mënyrë, jo vetëm nga vetë italianët e tjerë aty dhe nga anglezët që janë aty pranë, në Bizë, por absolutisht edhe nga asnjë nga populli…”. Me të marrë këtë letër, shkova urgjent në Labinot, te Enver Hoxha dhe ia kundërshtova urdhërin, meqë ai ishte në kundërshtim flagrant me thirrjen publike që i ishte bërë ushtrisë italiane. Me këtë rast ndërhyri Mehmet Shehu, duke thënë: - “Urdhëri i dytë anullon urdhërin e parë”.  –“Këtë që thoni ju unë e di, këtu nuk është shkelje urdhëri, por është shkelje parimi”, – iu përgjigja unë. Megjithëkëtë Enver Hoxha u solodarizua me Mehmet Shehun dhe më tha: -“Karabinierët dhe këmishat e zeza me i vra si qentë. Prandaj ti zbato urdhërin”. Në bazë të këtij urdhëri, ia dorëzova repartin e karabinierëve Xhelal Staraveckës, i cili nga Fushëgurra i çoi në periferinë e saj dhe i ekzekutoi të gjithë”.     

Kush ishte Kadri Azis Hoxha? Lindi në Orenjë të Çermenikës më 15 gusht 1913. Pas mbarimit të shkollëns Teknike Amerikane në Tiranë, në vitin 1934 vijon Akademinë Ushtarake në Napoli (Itali), por, për shkak të bindjeve antifashiste, si dhe të kundërshtimit që i bëri pushtimit të Abisinisë nga Italia Fashiste, në vitin 1937 përjashtohet nga kjo Akademi. Pas themelimit të PKSh-së, në dhjetor të vitit 1941 Kadri Hoxha zgjidhet sekretar politik i Komitetit Qarkor të Elbasanit. Që nga kjo periudhë K.Hoxha fillon të projektojë organizimin e rezistencës së armatosur kundër okupatorëve fashistë. Më 15 gusht 1942 në Orenjë griti Çetën partizane të Çermenikës, një ndër njësitë e para luftarake antifashiste në Shqipëri. Pas shtatorit të vitit 1943 Kadri Hoxha caktohet udhëheqësi politik ushtarak i gjithë Qarkut të Elbasanit, detyrë që e mbajti deri në mars të vitit 1944, kur u caktua komisar i Brigadës VII S. Më 24 maj 1944, në Kongresin të Përmetit, i jepet grada ushtarake N/Kolonel. Në shtator të vitit 1944 caktohet kryetar i Misionit Ushtarak shqiptar pranë Komandës së Përgjithshme Aleate të Mesdheut në Bari të Italisë. Pas çlirimit të Shqipërisë, me ndërhyrjen e jugosllavëve, marrëdhëniet e Misionit shqiptar me ato të aleatëve u keqësuan deri me ndërprerjen përfundimtare të tyre. Me kthimin në atdhe Kadri Hoxha zgjidhet deputet i Kuvendit Popullo. Mëritë që kishte pasur Enver Hoxha, si dhe disa abstenimet që u bëri disa ligjeve në Kuvend, i acaruan më tej marrdhëniet e tij me E. Hoxhën. Më 3 shkurt 1947 ai arrestohet në zyrat e K.Q. të P.K.Sh. pa iu hequr imuniteti i deputetit dhe, për mbi 40 vjet, ai e kaloi jetëm nëpër burgje dhe indernime, deri në vitin 1990, kur ra komunizmi në Shqipëri. Kadri Hoxha vdiq më 30 dhjetor1997 në Tiranë, në moshën 85-vjeçare.

***

Për të qenë korrekt me lexuesin tonë, po ribotojmë shkrimin e z. Kadri A. Hoxha, botuar fillimisht në gazetën “Republika”, me titull: “Terror i kuq me plumba pas shpine - Një katin i vogël për karabinierët italianë” ("Republika", dt. 01.12.1991), si dhe shkrimin e ing. Hilmi Balla: “Kadri Hoxha në zbardhjen e misterit të vrasjes së 129 karabinierëve italianë”.

TERROR I KUQ ME PLUMBA PAS SHPINE

- Një katin i vogël për karabinierët italianë -*)

Shkruar nga Kadri Azis Hoxha

Italia fashiste kapitulloi pa kushte më 8 korrik 1943. Por qysh në korrik 1943, zotëroja dhe shpërndava thirrjen e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-çlirimtare Shqiptare, drejtuar ushtrisë pushtuese italiane, ku ndër të tjera, shkruhej : “…Robërit e luftës që do t’u dorëzohem trupave tona, do të kenë të njejtin trajtim që gëzojnë robërit italianë në Angli, BRSS dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të gjithë ata që do të duan të kalojnë në radhët tona dhe të luftojnë për kauzën e përbashkët, do të konsiderohen si vëllezër armësh” (“Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm”, Dokumenti Nr.6, Vol.I).

Në bazë të kësaj thirrjeje bëra apel si Komandant i Grupit të forcave partizane të Qarkut të Elbasanit. Më 12 shtator 1943 u dorëzuan në Pishkash vullnetarisht 1000 forca ushtarake italiane, ndër të cilët edhe 129 karabinierë me në krye kolonel Gamuçin. Fakti, që vetëm unë me gjashtë partizanë e udhëhoqa atë njësi të madhe ushtarake italiane nga Pishkashi deri në bazën kryesore partizane në Fushëgurrën e Orenjës, provonte më së miri se ata kishin vendosur me besim e ndershmëri t’i bashkonim armët kundër armikut të përbashkët, kundër Gjermanisë naziste.

Në Fushëgurrë, pas thirrjes që u bëri Komanda e Grupit të Elbasanit forcave italiane, përgjithësisht, se kush dëshironte të luftonte krahas forcave partizane kundër armiqve të përbashkët, nazistëve gjermanë, përveç përgjigjes pozitive të rreth 150 ushtarëve, me në krye nënkolonel Akile Rosito, u përgjigjën pozitivisht edhe 129 karabinierët, me në krye kolonel Gamuçin.

Mirëpo, ndërsa unë qëndroja në bazën e Fushëgurrës me një brengë të madhe shpirtërore, dëgjova krismat e automatikëve. Mbas disa orësh u kthye Xhelal Staravecka me batalionin e tij të ekzekutimit. Ai kishte mbushur një çantë shpine me sendet personale, që iu kishin marrë viktimave, ndërsa partizanët ishin ngarkuar me veshmbathjet komplet të tyre. Batalioni i ngarkuar me këto plaçka shkoi në Labinot sipas urdhërit të Enver Hoxhës.

Enver Hoxha, siç më qortoi mua për kundërshtimin e urdhërit, qortoi edhe Gogo Nushin, në lidhje me pushkatimin e karabinierëve në subjekt. Në letrën dërguar atij, në tetor 1943, ku në të tjera i shkruante: “Çështja e xhandarëve që ka vrarë Brigada I-rë Sulmuese s’është aspak një arsye që t’ju alarmojë dhe brigada ka patur fare të drejtë që t’i pushkatojë dhe ju keni gabuar që keni hequr shënimin në komunikatë…” (E.Hoxha, Vepra l, Tiranë, faqe 498).

Kështu qëndron e vërteta historike për pushkatimin padrejtësisht e në kundërshtim flagrant me humanizmin dhe besën e popullit tonë dhe normat ndërkombëtare në lidhje më robërit e luftës. Kjo është një e vërtetë historike, që vërteton edhe një herë, se Enver Hoxha ishte një kriminel lunatik, i cili të hante në besë, siç e tregoi gjithë jeta e tij.

*Botuar në gazetën “Republika”, datë 01.12.1991.

KADRI HOXHA NË ZBARDHJEN E MISTERIT TË VRASJES SË 129 KARABINIERËVE ITALIANË

Shkruar nga Ing. Hilmi BALLA

Ky shkrim i kushtohet zbardhjes së misterit mbi të vërtetë historike të pushkatimit të 129 robërve italianë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ngjarja pat ndodhur më 1 tetor të vitit 1943, në malin e fshatit Orenjë, në VP të Gurit të Muzhaqit, rreth 25 m në lindje të rrugës këmbësore Fushgurrë-Martanesh.

Për këtë të vërtetë flet edhe artikulli i Kadri Azis Hoxhës me titull “Terror i kuq me plumba pas shpine”,1) i cili zbardhi të vërtetën historike të pushkatimit makabër të 129 karabinierëve robër, me në krye Kolonel Gamuçin. Këtë artikull ndoshta nuk kanë patur mundesi që ta kenë lexuar të gjithë, por edhe ata që e patën lexuar kanë dhënë interpretime nga më të ndryshme. Kjo ngjarje tronditëse pat qenë e njohur nga banorët e Orenjës, Neshtës, Zdrajshës, Gurakuqit etj., pasi ngjarja pati ndodhur në kufijtë e këtyre fshatrave, prapa Gurit të Muzhaqit.

I gjithë mister i vrasjes enigmatike të robërve italianë padrejtësisht i ngarkohej sikur të ishte vepër e Kadri Hoxhës, pasi ai ishte udhëheqësi kryesor i Luftës Naçl. për Qarkun e Elbasanit dhe robërit italianë i ishin dorëzuar batalionit që komandohej prej tij, por edhe se ekzekutimi i robërve ishte kryer në fshehtësi dhe konspiracion të plotë. Ky fakt, i pa sqaruar mirë në atë kohë, vazhdoi deri në ditët e sotme, si një kundërvënie ndaj figurës së Kadri Hoxhës, si nga miqtë, por edhe nga armiqtë e tij, të cilët, këta të fundit, qëllimisht heshtën mbi të vërtetën, duke e lënë opinionin të shëtisë lirisht, siç thotë Uolltër Ralei: “Nuk është e vërteta, por opinioni ai që bredh botën pa pashaportë”.

Megjithëse Enver Hoxha kishte dhënë urdhër të prerë për konspiracion, krimi u krye në një pyll ku kalonin barinjtë dhe  masakra doli në shesh, pasi trupat mbetën të pa varrosur. Për fat të keq Kadri Hoxha, njëri prej dëshmitarëve të asaj ngjarjeje, u persekutua gjatë gjithë jetës së tij dhe nuk e pati mundësinë ta thotë të vërtetën. Ai e pa Orenjën dhe Çermenikën vetëm në gusht të vitit 1993.

Pas botimit të së vërtetës nga Kadri Hoxha, jehona e këtij shkrimi u përhap menjëherë në të gjithë Shqipërinë, sepse shkrimi nuk kishte të bënte vetëm me terrorin e kuq në zonën e Çermenikës, por edhe për krime të kryera edhe në krahina të tjera të vendit, si në Martanesh dhe Dumre, ku janë pushkatuar fshatarë të pafajshëm.

Por jehona e këtij shkrimi i kaloi edhe kufijtë e Shqipërisë dhe kaloi edhe në Italinë fqinje.

Më 28 shkurt 1992 erdhën në shtëpinë e Kadri Hoxhës dy persona që u paraqitën si gazetarë të Kinostudios shqiptare dhe një kameraman, të cilët u prezantuan me emrat Kliton Gjilani, Halit Kamberi dhe Rakip Zemeli. Qëllimi i vizitës së tyre ishte që t’i bënin një intervistë Kadriut dhe ta regjistronin në një video dhe këtë material, sipas tyre, do ta dërgonin në Itali.

Më datë 27.07.1992 vijnë përsëri në shtëpinë e Kadriut tre të lartpërmendurit, por këtë radhë të shoqëruar edhe nga një gazetar italian i RAI-2, i quajtur Toto Palma. Veç aparaturave filmike, ata ishin të paisur edhe me një automjet tip veture dhe i kërkuan Kadriut që të shkonin në vendin e ngjarjes dhe ta intervistonin atje. Kadriu, në pa mundësi që t’i shoqëronte vetë (për arsye shëndetsore), m’u drejtua mua, duke më bërë thirrje me takt, që unë ta ndihmoja atje në këtë problem, duke i shoqëruar ata dhe të bëja çështë e mundur, që, edhe si gjeolog, të përcaktoja vendin saktësisht, duke më dhënë hartën e tij personale, që e kishte ruajtur me kujdes që nga koha e luftës. Harta ishte me shkallë zvogëlimi 1:50 000, ku ishin vendosur me shenja të kuqe nga Kadriu vendet e pushkatimit, si dhe më shpjegoi situacionin e relievit të fiksuar në memorien e tij. Me anë të sistemit kordinativ, kordinatat grafike të hartës së Kadriut i hodha në hartën time me shkallë 1:25 000,e cila ishte më precise. Për fatin tonë në hartën e re figuronte një rrugë e shfrytëzimit pyjor, e cila lidhte rrugën e Bizës me Fushë-Gurrën. Më datën 25.07.1992 me shumë vështirësi (pasi rruga ishte shumë e vështirë) arritëm në afërsi të objektit që kërkonim dhe, vetëm me anë të busullës  dhe konfiguracionit të relievit, arrita të përcaktoj vendin e ngjarjes. Them me vështirësi, sepse për fatin tonë të keq, ky vend ishte shpyllëzuar dhe shumë përrenj ishin rrafshuar nga lëvizja e traktorëve, duke përfshirë edhe vendin e ekzekutimit.

Të nesërmen, duke pirë kafe në klubin e Bizës, takohem rastëssht me shokun tim të fëmijërisë Zydi Muzhaqi nga Gurakuqi. I tregoj për qëllimin e vizitës sime në ato anë. Zydiu më thotë se e kishte fiksuar mirë vendin e ngjarjes, që kur kishte qenë fëmijë. Zydiu kishte kaluar rastësisht me bagëtitë e veta tek vendi i ngjarjes dhe i kishte parë trupat e pa jetë të karabinierëve të pushkatuar, të cilët kishin qenë gjysëm të djegur e të pa varrosur. Sipas tregimit të Zydiut, trupat kishin qenë të ndarë në dy grupe dhe e gjithë pamja kishte qenë një tmerr i vërtetë për të si fëmijë.

E pyeta Zydiun nëse e mbante mend vendin, sepse kishte shumë ndryshime nga shfrytëzimi pyjor. - “Po, m’u përgjegj Zydiu, sepse sa herë që e kujtoj atë pamje makabre ndjej akoma të rrënqethura, së dyti kam kaluar edhe shumë herë të tjera aty edhe pas shfrytëzimit pyjor,bile kam si shenjë një gur të madh gëlqeror i cili ka qenë i rrethuar me pyje të dendura dhe shumë të lartë, tani ata nuk figurojnë”.

Unë iu luta Zydiut që të më shoqëronte deri në vendin e ngjarjes, për t’u siguruar më mirë. Ai u tregua i gatshëm dhe sëbashku me ekipin shkuam tek vendi i pushkatimit, që fatmirësisht korrespondonte me atë që figuronte në hartën e Kadriut, të ripërcaktuar edhe nga unë. E falenderova Zydi Muzhaqin për mundimin. Toto Palma, me gjithë insistimet e mia, nuk e shpërbleu për gadishmërinë e tij, megjithëse Zydiu nuk pretendonte asgjë.

Në datat 26-27-28-29, me disa punëtorë të Bizës, kryesisht nga Zdrajsha, bëmë gërmime, me anën e të cilave arritëm që, në thellësitë e humusit pyjor, të gjejmë disa fragmente kockore, të shkatërruara nga ndikimi i faktorëve dhe agjentët atmosferikë. I ambalazhuam ato në qese plastmasi dhe i dorëzuam tek Toto Palma bashkë me gazetarët shqiptarë.  Në datë 29 korrik vendosëm një dru ahu të prerë në vendin e pushkatimit të Kolonel Giulio Gamucci bashkë me oficerët e tjerë dhe mbi të ngritëm flamurin Italian dhe bëmë nderimet për të rënët.

Gjatë gjithë kësaj kohe, që në ditën e parë të misionit e në vazhdim, personalisht pata ndjerë një emocion të veçantë, sepse më përfytyrohej ngjarja e treguar nga bashkëfshatarët e mij që kur isha fëmijë, e vërteta që më kishte treguar Kadriu dhe të gjitha këto i lidhja me romanin e Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që pasqyronte pikërisht ato momente që po kalonim ne.

Gazetari italian e vuri re shqetësimin tim dhe më pyeti: “ Inxhiniere, çfarë po mendoni?!” Unë i tregova arsyen e vërtetë. Ai me indiferentizëm, duke më treguar këmbën e tij, më tha:“Inxhiniere, e shikoni këtë këmbën time? (Në fakt ai çalonte nga njëra këmbë). Këtë këmbë unë e kam aksidentuar në Afrikë, duke kërkuar këto varreza. Pastaj kam qenë ne Vietnam, Kore etj.” Unë, paksa i habitur nga ato që dëgjova, ia ktheva: “Ju qënkeni profesionist, zoti Palma, kurse unë e kam për herë të parë që marr pjesë në një mision të tillë”.

Pas kësaj bisede ne vazhduam punën dhe u kthyem në Tiranë tepër vonë. Të nesërmen, më 30 korrik, gazetarët intervistuan Kadriun në shtëpinë e tij. Pas dy ditësh, më 2 gusht, regjistrimet me kamera i vazhduan jashtë shtëpisë, në qendrën e Tiranës, duke e filmuar Kadriun së bashku me Zyranë, bashkëshorten e tij, në sheshin “Skënderbej”, përpara Ministrisë së Rendit etj. Në datën 5 gusht më lajmëroi Halil Kamberi se ekipi i Rai-2 ishte larguar në drejtim të Vlorës për të ikur në Itali me traget. Pas disa javësh në TVSh u dha një njoftim se kishte humbur nje video-kasete dhe kush e gjente do të shprblehej me 100 $(?!). Më vonë mora vesh se video u gjend në shtëpinë e vjehrrit të H. Kamberit (?!).

Më pas nuk dëgjuam më për gazetarin Palma dhe xhirimet e tij në Çermenikë. Palma na kishte lënë një nr.telefoni dhe unë e kërkova disa herë, por nuk përgjigjej njeri. Gjithçka, në mënyrë misterioze, mbeti enigmë…

Në datën 15 gusht, ndërsa ishim duke përkujtuar ditën e dindjes së Kadriut në shtëpinë e tij, papritur vjen një përson që u paraqit me emrin Eduard Mane nga Vlora, që ishte i shoqëruar nga një oficer italian i reparttit “Pelikan” me gradën e kapitenit dhe që quhej Pino Poseddu. Pas një bisede të shkurtër ata kërkojnë që të intervistojnë Kadriun për gazetën italiane “Il gornale”. Intervista u botua në datën 23 janar 1993. Po kjo intervistë ribotohet edhe në shqip në gazetën “RD”. Në të dyja botimet intervista e Kadriut ishte shtrembëruar plotësisht.

Në datën 25 nëntor 1992 vinë në shtëpinë e Kadriut dy ushtarakë të tjerë italianë, majori Cantore Cirs dhe një n/oficer me gradën e mareshallit, të cilët u paraqitën si të dërguar nga Kommissariato Onoranze Caduti in Guerra të  Ministrisë Italiane të Luftës. Të dy ushtarakët italianë ishin të shoqëruar nga kryeredaktori i gazetës “Republika”, zoti Lutfi Dervishi. Pasi na u prezantuan, paraqitën dokumentat dhe majori foli për qëllimin e vizitës. Problemi ishte përsëri për pushkatimin e karabinierëve. Kadriu, para se të jepte shpjegimet e veta, i kërkoi majorit italian që të dinte se kush ishte Toto Palma, që ishte paraqitur si gazetar i Rai-2. Majori ishte në dijni të plotë të vizitës së Palmës dhe shpjegoi se T. Palma këtë punë e kishte bërë për qëllime përfitimi. “Ne, si Ministri, e kemi ndaluar publikimin e këtij materiali”, përfundoi majori rrëfimin për Palmën. - “Unë për këtë qëllim kam ardhur, vijoi më tej ai, që të fillojmë përsëri nga e para ”.

Të nesërmen , në 26 nëntor, majori, mareshalli, Kadriu, L.Dervishi dhe unë, të shoqëruar edhe nga tre karabinierë, rreth orës 09.00 të mëngjesit u nisëm për në Bizë. Sapo mbërritëm në Bizë, u ulëm për të pirë një kafe. Pas pak pranë nesh u afruan disa fshatarë nga Shëngjergji dhe Çermenika që punonin dhe banonin në Bizë. Ata e morën vesh se kishte ardhur Kadri Hoxha dhe u grumbulluan menjërerë rreth tij. Takimi i Kadriut me ish partizanët dhe fshatarët shëngjergjas e çermenikas ishte shumë emicionanl. Ata ishin të etur për të parë komandantine tyre legjendar të cilin kishin 49 vjet që nuk e kishin parë. Gjithashtu edhe Kadriu u emocionua shumë. Majori italian mbeti i çuditur nga kjo skenë dhe pashë që krijoi një përshtypje të madhe për personalitetin e Kadri Hoxhës. Që nga ai moment ai filloi ta thërrasë: Komandante!

Më pas Kadriu u ngrit duke soditur fushën e Bizës dhe malet e saj përreth. Foli për ngjarjet e luftës, tregoi vendin ku kishte pritur gjeneralin anglez Devis dhe vendkomandën e tyre. Lajmi se kishte ardhur komandant Kadri Hoxha në Bizë u përhap me shpejtësi dhe turma sa vinte e shtohej. Kishte ndërmjet tyre edhe shumë të rinj që nuk e njihnin fizikisht Kadriun, por që kishin dëgjuar të flitej për të nga prindërit apo të afërmit e tyre. Bisedën e tyre me Kadriun po e ndiqte me vëmendje të madhe edhe majori italian. Tek i shihja të gjithë ashtu të grumbulluar rreth Kadriut, mua më vajti menjëhere mendja në Orenjë, tek festa e Çermenikës Në atë festë në mënytë absurde Kadri Hoxha nuk u lejua të shkonte( ?!). Sigurisht, njerëzit do të grumbulloheshin rreth tij, për të dëgjuar të vërtetën e luftës së Çermenikës dhe jo tek “i deleguari i partisë”.

Pasi u larguam nga Biza, u nisëm drejt vendit të për të cilin kishim ardhur. Sapo mbërritëm vura re se Kadriu vazhdonte të ishte i emicionuar. Panorama pyjore kishte ndryshuar nga agjentët atmosferikë dhe shfrytëzimi pyjor dhe peisazhi nuk ishte më si ai i vitit 1943. Ai ishte fiksuar vetëm në memorjen e K.Hoxhës dhe në hartën e tij. Pasi bënë një rikonicion, një njohje të terrenit për majorin dhe një rinjohje për Kadriun, u kthyem në Tiranë.

Në 27 nëntor vjen përsëri në shtëpinë e Kadriut majori me shoqëruesin e tij dhe bëjnë një plan pune për të ardhmen. Majori insistonte për gjetjen e një medalioni, kurse unë i thashë se nuk mund të gjendeshin, duke argumntuar se trupat kishin qenë në sipërfaqe dhe të pa varrosura. Po të gërmohej edhe mund të gjendej, por për këtë duheshin fonde. U diskutua edhe për vendosjen e një memoriali, por për këtë duhej marrë miratim nga Qeveria italiane. Të nesërmen majori italian u largua nga Shqipëria për t’u rikthyer përsëri në qershor të vitit 1993.

Gjatë kësaj periudhe Kadri Hoxhës, nëpërmjet Komitetit të Veteranëve të Luftës Naçl., i erdhi një lëtër  nga gjoja një “veteran” italian, në të cilën i bëhej presion Kadriut që të hiqte dorë nga ngjarja që kishte të bënte më pushkatimin e robërve italianë. Kjo letër, shtrembërimi i intervistës së gazetës “Il Giornale” si dhe disa ngacmime të rëndomta, po tregonin qartë se problemi ishte politizuar.

Në datën 10 qershor 1993, majori, shoqëruesi dhe unë vijmë sërisht në shtëpinë e Kadriut. Pasi u përshëndetëm, majori kërkoi sërisht që të vazhdonin punën. Në këtë moment ndërhyri Kadriu dhe i drejtohet majorit që nga vendi i tij i zakonshëm ku rrinte i ulur : - “Zoti major ! Ju po luani me dinjitetin tim. Unë botova në shtyp një të vërtetë dhe këtë e bëra për hir të familjarëve dhe të afërmëve të viktimave, të cilët, ashtu siç e keni thënë edhe ju, nuk dinin asgjë për fatin e njerëzve të tyre. Këtë e bëra edhe duke rrezikuar vehten time. Sepse, siç e dini, situata në Shqipëri akoma nuk është e stabilizuar. Ta kini të qartë edhe ju, unë kam luftuar vetëm për të vërtetën dhe për parimet e mija, por nuk lejoj që për këtë çështje të shenjtë dhe parimore për mua të fusë hundët kushdo. Në rast së ju, si përfaqësues i Ministrisë Italiane të Luftës dhe Ambasada italiane këtu në Tiranë, nuk do të më sqaroni ne mënyrë bindëse e serioze këto probleme që unë do t’ju parashtroj, çështjen me ju e konsideroj të mbyllur që sot”.

Kadriu i vuri në dispozicion majorittë gjitha materialet që kishte grumbulluar si disa vepra të E.Hoxhës, që flisnin për çështjen, dokumentat e Shtabit të Përgjithshëm me shënimet përkatëse, artikullin e tij të botuar në gazetën “Republika” të dt.01.12.1991, artikullin e gazetës “Il giornale” të dt.23.01.1993, letrën origjinale të “veteranit”   italian nga qyteti i Firences etj.

Majori, pasi lexoi me vëmendjë letrën e “veteranit” dhe gazetën “Il Giornale”, i drejtohet Kadriut : “Komandante ! Çfarë keni?! Përse shqetësoheni?! A keni besim që të ma jepni letrën për ta verifikuar?”. Kadriu, duke pasur besim në sinqeritetin e majorit, i përgjigjet : “Po !” Majori ngrihet menjëherë dhe niset për në Ambasadën e vendit të tij, ndërsa unë dhe mareshalli shkuam në shtëpinë time, ku kisha adresën dhe numrin e telefonit të kapitenit Pino Poseddu. Pasi i dhashë numrin e telefonit të P. Posedu-së, mareshalli u nis urgjent për në Ambasadën Italiane.

Pas katër ditësh, në 14 qershor, majori së bashku me mareshallin kthehen përsëri tek shtëpia e Kadri Hoxhës. Këtë herë ishin të gëzuar dhe u qeshte fytyra. Sapo futet tek pragu i derës, majori i drejtohet përsëri Kadriut me respekt: “Komandante! Çdo gjë u verifikua me dokumenta”. Dhe ndërkohë mareshalli nxjerr nga çanta e tij një trakt, “Traktin V” të Xhelal Staraveckës, dhe ja tregon Kadriut. “Ky është një dokument i gjetur në Arkivin e Shtetit tuaj, i cili vërton në mënyrë bindëse sinqeritetin tuaj në artikullin e shkruar nga ana e juaj dhe se nuk mbetet më asgjë për t’u verifikuar, nga kushdo qoftë ai”.

Pastaj u ulën shtruar dhe majori tregoi edhe për letrën e “veteranit” nga Firence. Bile, po ky person, i thotë majori, ka bërë presion mbi disa gazetarë, duke i kërcënuar se, po të tregonin të vërtetën, do t’ju digjte shtëpitë. Një fotokopje të traktit të Xhelal Staraveckës ja dhuruan Kadriut si dhe i rikthyen letrën origjinale të “veteranit” Italian.

Në datën 15 qershor unë, majori dhe mareshalli, të shoqëruar si gjithnjë edhe nga tre karabinierë, shkuam përsëri në Bizë. Atje u punësuan pesë punëtorë, të cilët gërmuan në vendin e ngjarjes dhe gjetën përsëri disa fragmente kockash. Kurse medalione nuk gjetën.

Pas dy ditësh, në datën 17 qershor, takohemi në hotel “Dajti” unë, majori, mareshalli dhe një tenente-kolonel me një video-kamer dhe nisemi sërish për në Çermenikë. Rregjistrohet i gjithë vendi ku pat qenë zhvilluar ngjarja. Gjithashtu u zhvilluan edhe ceremoni homazhi para flamurit italian në kujtim të viktimave të luftës. Më morën edhe mua në intervistë. Verifikuam edhe nje herë kordinatat e harës me shkallë 1:25 000,  me anë të një aparati të sofistikuar që komunikonte me satelit. Për çudi, gabimi doli vetëm me 80 cm, që ishte një kënaqësi për mua dhe një përgëzim nga majori.

Po atë ditë, rreth orës 17.00, arritëm në shtëpinë e Kadriut ku bëmë edhe bilancin e punës. Italianët intervistuan përsëri Kadriun. Pas intervistës u ndamë me italianët. Majori premtoi se materialet e filmuara dhe intervistat do të botohen së shpejti dhe një kopje do të merrnim edhe ne.

Në datën 9 gusht 1993 rrevista prestigjoze “L’Europeo” botoi artikullin: “Na duhen kapota dhe Hoxha urdhëroi  masakrën”, e cila më vonë u ribotua e përkthyer edhe në shtypin shqiptar.

Këto rreshta të fundit do të dëshiroja që t’i mbyllja me thënien e Caris Raleb Kolton: “E varfëra e vërtetë, ashtu si i varfëri flori, është konsideruar i papërshtatshëm për të qarkulluar, sepse njerëzit kanë zbuluar që është shumë më e përshtatshme të infektosh të vërtetën se sa ta pastrosh atë”. Bashkëngjitur po botojmë edhe “Traktin V”, të hartuar nga Xhelal Staravecka, të cilën e vuri në dispozicionin tonë majori italian Cantore Cirs: Trakt’ i V.*)

...Më thirrën në këtë mesnatë nga gjumi, që nuk më kishte zënë, dhe më thanë: “Ngreu se të duan në Shtab”. U ngrita, shkoj në një shtëpi pa dritë dhe kur kapërxeva pragun njoha Dushanin (Mugoshën) me që sytë i shndritnin. Ishja i trëmbur e të më besoni, jo nga vdekja por nga terrori. Më thanë: “Xhelal në Orenjë të Çërmënikës janë 111 karabinierë italianë, merr Batalionin t’ënd, shko atje: vrai se kemi nevojë për petkat e tyre për veshjen e Partizanëve. Ruaj mos të shpëtojë ndonjë pse është konspirative e na del sekreti në shesh se italianët sot janë miq të aleatëve e protestojnë kundra nesh; aq më tepër po të kuptojnë këtë gjë Balli mer një armë në dorë për të na luftuar. Ç’ar del nga goja e Dushanit s’ka diskutim. Mar bat., shkoj në Orenjë në qendrën e Bat. Çermenikës e të Brigadës II që ishte në formim e sipër, në një pyllë rrëzë një shkëmbi. Të nesërmen të 111 karabinierët  bashkë me Kolonel Gamuçin në krye  dhe oficera të tjerë i mora duke ju thënë  se do t’i çoj në Burrel. Pas 2 orë udhëtimi, karabinierët i lidha, i ndava në 5 grupe  dhe mbasi i çvesha lakuriq i pushkatova. 17 i kam vra vet.  Dhe në i vrava mirë bëra; pse i vrava me ndienjë të pastër e duke marrë hekurat e keqbërjeve të tyre gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri; po ata faqe zinj që më nisën për një krim të këtillë më thanë: vriti për rrobat. Çfarë masakre. Për të veshur një njeri, vrasin një njeri. Ç’farë poshtërsie, a keni parë ndonjëherë? Kjo është partia Komuniste e Dushanit, e Miladinit (Popoviçit) dhe e këlyshëve të tyre. Ç’farë Komunistash të poshtër! Neve që shtojmë dashamirësinë dhe dhembshurinë e njerëzimint më tej kufirit tonë, vrasim për opinga e kuti duhani njerëz. Ky është terrori që s’e ka parë ndonjërherë historia. Kjo shtë barbarizma që s’ka barazim as në të kaluarën. Në këtë gjendje ndodhemi sot që na luan mendja. Ah, të mallkuar qofshin ata shqiptarë partizanë që ndjekin akoma gjurmët e politikës së Dushanit me shokë. Thyeni, thyeni prangat; mjaft me krime e tradhëtira. Gjak e gjak, e nuk u ngopët! Tmerr e terror mbollët; pemën që nuk e korrët; nëmë e mallkim paçit përjetë.

XHELAL STARAVECKA

(Botuar në gazetën “Çermenika”, Nr. 5, gusht 2003 dhe ribotuar në librin “K. Hoxha. Luftëtar i paepur për liri e demokraci”, Tiranë 2006, f. 168-177)

/LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave