TIRANË- Para kryeministrisë po mbahet protesta e nëntë radhazi kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec. Me pankarta në duar dhe me thirrjet dorëheqje drejtuar kryeministrit Edi Rama, protestuesit marshuan nga sheshi Skëndërbej deri para Kryeministrisë.

Në nisje të fjalimeve, mes protestuesve dhe njerëz të Partisë Demokratike që ishin në protestë pati një përplasje verbale që nisi pas thirrjeve “Berisha në burg”. Të rinjtë demokratë u përplasën verbalisht me protestuesit e tjerë, të cilët iu përgjigjen me thirrjet në kor: opozitë e shitur, PD jashtë, opozita jemi ne.

Protesta shënoi një ndryshim në zhvillimin e saj. Sot do të mbahen vetëm 5 fjalime nga personalitete të shkencës, arsimit dhe kulturës, të cilat do të jenë të shkurtra.

“Sot s’do të mbahen fjalime të gjata. Kanë ardhur ankesa të panumërta, sa më pak fjalime, slogane dhe parulla: dorëheqje! Pas 5 fjalimeve shumë të shkurtra, sheshi është i qytetarëve!”

Qytetarët kanë kërkuar të mënjanohen përfaqësues të kastës politike duke u shprehur se protesta nuk ka karakter të tillë.

Lajm në përditësim…

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:27
Qytetarët e Korçës mblidhen në pedonale dhe nisin marshimin, protesta për Zvërnecin vijon në ditën e 4-t

Po mbahet në Korçë dita e 4 e protestet qytetare kundër investimit 4 miliard dollarësh në Zvërnec. 

Qytetarët janë mbledhur pranë pedonales së qytetit dhe kanë nisur marshimin në bulevardin kryesor të Korçës

 

Ora 19:22
‘Shpresa e një Shqipërie të re!’ Dojna Mema protestuesve: Nuk luajmë investimesh me të ardhmen!

1780939302_proteste.JPG

Dojna Mema i është bashkuar protestës kundër investimeve në Zvërnec duke iu drejtuar qytetarëve se janë shpresa e një Shqipërie të re. Moderatorja shprehet se nuk ka dorëzim dhe tha se protesta vjen edhe në emër të emigrantëve e atyre që përballen me probleme të jetesës e shëndetit çdo ditë, ndërsa kërkoi të demonstrojnë qytetari.

“Jeni absolutisht njerëzit më frymëzues që kam parë ndonjëherë dhe shpresa e një Shqipërie të re! Ne nuk heshtim, ne nuk dorëzohemi dhe mbi të gjitha, ne nuk luajmë investimesh me të ardhmen tonë! Zëri ynë është më i fortë se kurrë sepse kur shqiptarët bëhen bashkë, nuk ka para, pushtet që ua mbyll gojën! Ne jemi këtu për të gjithë shqiptarët që u mungon toka e tyre dhe nuk e shohin dot, të shitet si mall tregu. Ne jemi këtu për të gjithë ata që u detyruan të linin vendin e tyre. Ne jemi këtu për të gjithë ata studentë që shkuan gjetkë për të marrë arsim e të ardhme më të mirë. Ne jemi këtu për të gjithë ata që duan të jetojnë në një shtet normal, ku ujë e drita 24 orë nuk është luks, të kurohesh brenda vendit tënd pa t’u dashur të shesësh shtëpinë nuk është luks! Të tregojmë qytetari, siç kemi bërë nga dita e parë në këtë protestë, sepse vetëm kështu do të ndërtojmë Shqipërinë e shqiptarëve, Shqipërinë e re!”, tha moderatorja.

Ora 19:13
As pankartë, as flamur, qytetari proteston me çadër plazhi

1780939003_protesta.jpg

Një protestues ka zgjedhur një objekt ndryshe për ta përdorur në protestë.

Në vend të një pankarte, banderole apo flamingoje siç janë parë deri më tani, ai ka marrë një çadër plazhi, mbi të cilën ka bërë disa shkrime.

Çadrën e rrotullon vazhdimisht mbi kokat e qytetarëve.

Ora 19:01
‘Berisha në burg’, thirrjet shqetësojnë militantët e PD! Përplasje verbale në protestën e Zvërnecit, qytetarët: Opozitë e shitur! (VIDEO)

Tensione në protestën kundër investimeve në Zvërnec. Ndërsa thërrisnin “Berisha në burg”, protestuesit u përballën me reagime nga një grup të rinjsh që mbështesnin Berishën.

Si përgjigje, morën thirrje të tjera nga protestuesit që thanë “PD jashtë” dhe “opozitë e shitur”. Vijoi edhe fraza “poshtë patronazhistët.”

“Opozita jemi ne!”, dëgjohet të thonë qytetarët.

Ora 18:43
Adriatik Lapaj merr pjesë në protestën për Zvërnecin

1780937009_lapaj.jpeg

Kreu i partisë Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, ka marrë pjesë në protestën kundër investimeve në Zvërnec.

Protestuesit janë shprehur kundër afrimit të subjekteve politike. Një ditë më parë ata artikuluan formimin e një partie të re, ndërsa sot dëgjohet thirrja “Shqipëri e re” që po shihet edhe si një emër i mundshëm, ndonëse nuk ka ende asgjë konkrete.