TIRANE- “Dua tju takoj për një problem.Marjon Mitro”. Ky është mesazhi telefonik që është dërguar në mesditën e 25 janarit, pikërisht ditën kur policia e kryeqytetit njoftoi arrestimin e vrasësit me pagesë Julian Sinanaj. Me sa duket Mitro, ka dashur ti paraprijë situatës, duke kërkuar një takim urgjent me prefektin e Vlorës Besnik Dervishi, ku mendohet se ai ka dashur ti rëfejë të vërtetën e atentatit me tritol C4, që u arrit të zbulohet në oborrin e kryeministrisë nga një efektiv i Gardës së Republikës. Ky mesazh dhe shumë të tjerë janë zbuluar nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, dhe se tashmë janë administruar si provë materiale në dosjen penale në ngarkim të 6 personave të proceduar penalisht.

Hetuesit e çështjes kanë zbuluar dhe disa thirje telefonike në adresë të Dervishit, që ishin kryer nga numri telefonik i Marjon Mitros, por në fakt Mitro dhe Dervishi nuk kanë komunikuar. Në dëshminë e tij, Mitro ka pohuar se kishte njohje të vjetra me prefektin e Vlorës Bensik Dervishi dhe se nuk kishte arsye për vendosjen e tritolit në makinën e tij. Por nga ana tjetër në dy dëshmitë e dhënë, Dervishi ka deklaruar se nuk ka njohje me Mitron dhe se nuk e kishte takuar ndonjëherë.

Dervishi për SMS-në
Zbulimi i mesazhit në telefonin e Marjon Mitros, dërguar prefektin të Vlorës Besnik Dervishi, ka ngjallur dyshime të forta në rradhët e grupit hetimor. Për të krijuar një ide më bindëse se në çfarë kushtesh dhe si e kishte pritur këtë sms Besnik Dervishi nga shtetasi Marjon Mitro, është vendosur marrja në pyetje e tij për të dytën herë, brenda një kohe të shkurtër. Gjatë procesit të intervistimit në prokurori, Dervishi është ballafaquar me tekstin e mesazhit të dërguar nga Mitro mesditën e pretme të datës 25 janar 2014.

Nisur nga kjo situatë prefekti i Vlorës ka deklaruar:”… E kam parë mesazhin dy ditë më pas, pra në datën 27 janar. Kjo vonesë ka ndodhur pasi kam qënë shumë i ngarkuar me punë, por edhe se kam pasur shumë telefonata gjatë kësaj kësaj kohe. E kam lexuar dhe nuk i kam kthyer asnjë përgjigje pasi këtë person nuk e njoh dhe se numrin e tij nuk e kam pasur të rregjistruar në telefon. Pas kësaj, kujtoj që e kam fshirë mesazhin.

Gjatë ditëve në vijim ky person nuk më ka telefonuar as më ka dërguar sms të tjera.”-ka deklaruar Besnik Dervishi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Pritet që për këtë detaj, prokuroria në ditët në vijim të marrë në pyetje dhe të arrestuarin për akuzën e “Akteve terroriste” Marjon Mitro, i cili u kap në aeroportin e Rinasit, katër ditë pasi i kishte dërguar mesazhin me tekstin e mësipërm prefektit Dervishi.

20 mijë euro kapar
Personi që ka dërguar sms në drejtim të numrit të Besnik Dervishit, për prokurorinë është njeriu që ka organizuar, paguar dhe vendosur sasinë prej 200 gramë tritol C4 të lidhur me dy telefonata, poshtë makinës tip “Peuget” në pronësi të prefektit të Vlorës. Sipas prokurorisë, Mitro i ka dhënë 20 mijë euro kapar vrasësit me pagesë Julian Sinanaj, me qëllim kryerjen e vrasjes së shtetasit J. Metushaj.

Në pamundësi për të çuar deri në fund porosinë e Mitros, lekët kanë mbetur në dorë të Julian Sinanaj. Në mesin e muajit Dhjetor 2013, Mitro kontakton me Sinanaj, duke i thënë se në këmbim të 20 mijë eurove duhet ti siguronte një bombë të telekomanduar. Për 20-30 minuta, Sinanaj ka përgatitur eksplozivin duke ja dhënë financuesit të tij Marjon Mitro. Fill pas kësaj, Mitro e ka vendosur poshtë makinës së prefektit tritolin C4, i cili fatmirësisht është zbuluar në kohë nga një punonjës garde,në oborrin e kryeministrisë.
 

Shkrimi u publikua sot (11.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)