PRISHTINË - Agjencia e Regjistrit Civil të Kosovës (ARC) vlerësoi se Mitrovica ka bërë një punë shumë të mirë në shërbimin civil. Drejtues të kësaj Agjencie ishin të entjen në Mitrovicë për t'u njohur me punën që ka bërë Shërbimi Civil në këtë komunë. Sipas Kosova Press, krerët e kësaj Agjencie takuan drejtorin e Administratës në Mitrovicë, Abdullah Bejtullahu, i cili i informoi mbi punën që është bërë në Shërbimin Civil të kësaj komune, që nga viti 2000 e deri më sot.
Krijimi i regjistrave civil dhe futja në sistem e librave elektronik, sipas drejtorit Bejtullahu, ka krijuar lehtësi të madhe në procesin e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve. "Vërtetë është bërë një punë e madhe, ndërkohë që janë edhe dy projekte për ekipe të lëvizshme që do të jenë në shërbim të qytetarëve, si dhe për sistemin e aplikimit "online", që pritet së shpejti të realizohet", tha Bejtullahu.
Ndërsa kreu i ARC-së, Besim Jonuzi, tha se vihen re ndryshimet që ka bërë Mitrovica. "Jemi të kënaqur me punën që keni bërë, e cila është punë e përbashkët. Përveç detyrimeve ligjore, kemi edhe detyrimet ndërkombëtare për të avancuar sa më shumë në këtë drejtim, për shkak të liberalizimit të vizave", theksoi Jonuzi.
Edhe shefi i Divizionit të Shërbimit Civil në ARC, Shefqet Ismajli, vlerësoi punën e kësaj komune në këtë drejtim. Ai u shpreh se Mitrovica është shembull për komunat e tjera. Palët ranë dakord për bashkëpunim të mirëfilltë edhe në të ardhmen, në mënyrë që shërbimet ndaj qytetarëve të jenë sa më efikase./ATSH/