MITROVICË, 28 Shkurt/ATSH-B.Jashari/.-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, sot në Mitrovicë, merr pjesë në përmbylljen e "Javës së Minatorëve", me rastin e shënimit të 26 vjetorit të Grevës së Madhe të Minatorëve të vitit 1989.
Me një ceremoni solemne, në 20 shkurt, në minierën në Stantërg, është hapur manifestimi "Java e Minatorëve", ku menaxheri i Trepçës, Ahmet Tmava, një falënderim të veçantë u ka shprehur të gjithë minatorëve për sakrificën që kanë bërë 26 vite më parë në mbrojtje të Kosovës.
"Të jesh minator, pjesë e Trepçës, trashëgimtar i veprave të minatorëve të vitit 1989, por edhe të tërë historisë së Trepçës, është përgjegjësi dhe obligim për sendërtimin e idealeve më fisnike kombëtare", ka theksuar ai.
Menaxheri Tmava ka shtuar se Trepça sot gjendet në një situatë, kur kërkohet me emergjencë të veprohet në sqarim të statusit, si mundësi për zhvillim dhe progres që ka reflektim në shkallë vendi.
"Ne minatorët dhe të gjithë punëtorët e Trepçës, zotohemi se do të jemi të pakursyer në punë dhe angazhim, që interesi i vendit dhe reflektimi i fuqisë reale ekonomike të Trepçës të përjetohet nga të gjithë", është shprehur Tmava.
Për tetë ditë me radhë, aq sa kishte zgjatur greva e urisë, me rastin e 26 vjetorit, janë zhvilluar veprimtari të ndryshme.
Greva e urisë e 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28 shkurt 1989, ishte në mbrojtje të Kosovës nga sulmet e Serbisë, ishte rezistencë e fuqishme kundër rrënimit të dhunshëm dhe kundërkushtetues së autonomisë që kishte Kosova si element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës, me Kushtetutën e vitit 1974.
reva minatorëve, e përkrahur nga populli në mbrojtje të Kosovës dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët, u pasua me demonstratat e gjithëpopullore të marsit, po të para 26 vjetëve, në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 mars 1989, forcat serbe, që kishin vendosur shtetrrethim të hekurt ushtarako-policor, vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.
Në këto rrethana tragjike terrori, derisa Kosovën po e përgjakte, Serbia në Kuvendin e saj në 28 mars të vitit 1989 miratoi kushtetutën famëkeqe të njohur si "kushtetutë e tankeve", që me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova si njëra nga tetë njësitë konstituive të ish-federatës jugosllave.
Pasuria minerare e nëntokës së Trepçës arrin vlerën së paku 13 miliardë euro, sipas një studimi të fizibilitetit të kryer nga ekpertë vendorë dhe ndërkombëtarë, vite më parë, por mendohet se është edhe shumë më e madhe e në vlerë më të lartë.
Trepça, me minera plumbi, zingu, argjendi e ari, ka pasur mëse 22 mijë punëtorë deri në vitin 1990, kur administrata e dhunshme e instaluar nga Beogradi dëboi shqiptarët nga puna. Përfundimi i luftës para afër 16 viteve Trepçën e gjeti me shkatërrime të mëdha nga shfrytëzimi kolonial.
Kuvendi i Republikës së Kosovës seancën plenare të mërkurën e nisi me "koha për deklarime jashtë rendit të ditës" pikërisht me urimin tradicional të minatorëve me "Me fat!" dhe përkujtimin e grevës së urisë në Trepçë para 26 vitesh. Me atë rast u përkujta se Trepça në vitin 2011 ka paraqitur një padi ndaj Serbisë për dëmet që i ka shkaktuar gjatë kohës së masave të dhunshme të viteve të okupimit, ndërsa u kërkua për këtë padi veprimi i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.
Pas seancës, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi një vizitë në Ndërmarrjen Trepça në Mitrovicë, gjatë të cilës u diskutua për gjendjen aktuale, për problemet dhe sfidat, si dhe për nevojën që të veprohet shpejt nga institucionet e vendit për nxjerrjen e Ligjit për Trepçën, nëpërmjet të cilit do të mundësohet vitalizmi i kapaciteteve ekzistuese dhe zgjerimi i tyre.
Kryeparlamentari Veseli zbriti deri në thellësi prej 600 metrash në horizontet e minierës në Stantërg, të cilat janë edhe më të thella, ku theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës do të angazhohen konkretisht që e ardhmja ekonomike e Trepçës të jetë e sigurt.
Në Trepçë, në të dy minierat në Stantërg dhe Artanë, me rritje të prodhimit të xehes dhe koncentratit mbi 20%, viti 2014 shënonte prodhim rekord të 15 viteve të pasluftës në Kosovë.
"Trepça, ristrukturimi dhe transformimi i saj do të rregullohet me ligj të veçantë", deklaronte për ATSH-në në muajin e parë të këtij viti kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Muhamet Mustafa, derisa në seanca plenare zhvilloheshin debate për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike.
"Trepça ka shumë probleme të ndjeshme, të natyrave të ndryshme, duke filluar prej emocionale, politike, e më së shumti ekonomike. Do të kemi mundësi që me një ligj gjithëpërfshirës të sigurojmë perspektivën e mëtejme të Trepçës", theksonte kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës, deputeti Mustafa./k.s/







