Mitsotakis nuk e ftoi, Rama: Nuk e marr personale, të isha në vendin e tij nuk do ta bëja! Mbetemi sërish miq! Toni Blair ndërmjetës? Ai nuk di as shqip as greqisht

Duke i referuar punimeve artistike të Ramës, ekspozuar më 21 mars në Athinë gazetari grek Pavlos Papadhopulos, biseda mes të cilëve për median greke ‘Kathimerini’ zgjati plot 90 minuta, i kujtoi kryeministrit shqiptarë, se në 5 muaj, ka ndodhur një ndryshim i madh midis Greqisë dhe Shqipërisë. Papadhopulos, siç edhe e shprehu, është i tunduar të mësojë, a do të ketë Rama ndonjë e cila ilustron përkeqësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve

‘Këtë e kam bërë ndërkohë që po ju prisja. Është ende në fillim, por do të ngjyroset dhe do përpiqem ta ngjyros me të bardhë, blu, të kuqe dhe të zezë. Të shohim ç’do dalë dhe, nëse del mirë, do jua dërgoj.’- tha Rama.

I pyetur nëse u ndie i fyer personalisht që Mitsotakis nuk e ftoi në Athinë në darkën joformale të së hënës së kaluar me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, kreu i qeverisë shqiptare mohoi të jetë ndjerë i fyer personalisht, po shtoi se ai nuk duhet të kishte bërë një veprim të tillë.

‘Politika është një bishë e rrezikshme, që mund të të tërheqë poshtë e të të bëjë të thuash a bësh gjëra për të cilat nuk je krenar, kështu që, jo, nuk jam i fyer personalisht. Thjesht, unë nuk do ta bëja (atë që bëri ai)!’- thotë Rama.

Pas afro 60 minuta mbi çështjen Beleri dhe të Himarës, gazetari grek afroi një bashkëbisedim më ngrohtë me Ramën, kur e pyeti atë se a do ta pranonit Tony Blair-in si ndërmjetës midis jush dhe Mitsotakis, me qëllim kthimin e miqësisë.

‘Miqësinë? Nuk na duhet një anglishtfolës që nuk di as shqip, as greqisht, për të bërë bashkë një grek dhe një shqiptar, sepse, pastaj, kam frikë se problemin do e ketë Tony, jo ne.’- tha Rama.

Pjesë nga intervista

Gazetari: U ndjetë i fyer personalisht që kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis nuk ju ftoi në darkën joformale të Athinës me liderët e Ballkanit Perëndimor?

'Dëgjoni, pikë së pari, gjatë gjithë këtij rrugëtimi në jetë, kam mësuar se të ndihesh i fyer personalisht nuk është diçka që të bën të jetosh mirë. Ndaj, nuk e marr kurrë personale, kur bëhet fjalë për politikën, për gjëra që ndodhin e që mund të jenë të pakëndshme për ty a që mund të të bëjnë të ndihesh keq. Sepse, tek e fundit, politika është një bishë e rrezikshme, që mund të të tërheqë poshtë e të të bëjë të thuash a bësh gjëra për të cilat nuk je krenar, kështu që, jo, nuk jam i fyer personalisht. Thjesht, unë nuk do ta bëja (atë që bëri ai) e as nuk e imagjinoj të vihem në të njëjtën pozitë për të bërë diçka të tillë. Madje, për më tepër, mendoj se qëllimi i takimit dhe e nismës që ndërmori Qirjakosi lidhet me diçka shumë të madhe shumë të madhe. Kështu, të lidhësh këtë qëllim kaq të madh, të lidhësh një nismë kaq të rëndësishme me dërgimin e një mesazhi për mua, për Shqipërinë  Për çfarë? Çfarëdo rëndësie t’i japë pala greke kësaj çështjeje, që e dimë të gjithë se me çfarë ka të bëjë, nuk është kjo mënyra për të vepruar. Mendoj se, sidomos kur ndodhin gjëra të pakëndshme midis miqve, miqtë duhet të përballen me njëri-tjetrin, të flasin me njëri-tjetrin, të përpiqen të kuptojnë, ta nderojnë miqësinë duke qenë shumë të hapur e në të njëjtën kohë pa harruar asnjëherë se janë miq. Qirjakosi ishte një mik që e pëlqeja dhe e respektoja, e vazhdon të jetë një mik që e pëlqej dhe e respektoj. Shpresoj që kjo gjë do të ndreqet, por edhe nëse nuk ndodh, Qirjakosi do të mbetet gjithnjë një mik që e pëlqej dhe e respektoj. Pastaj, politika, siç e thashë, mund të jetë një ndikim shumë i keq; mund të të bëjë të thuash e të bësh gjëra që, me kalimin e kohës, kupton që nuk ishin gjërat e duhura.'- tha Rama.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:45
Tony Blair si ndërmjetës për të kthyer miqësinë me Mitsotakis? Rama: Ai s’di as shqip, as greqisht

 

Pas afro 60 minuta mbi çështjen Beleri dhe të Himarës, gazetari grek afroi një bashkëbisedim të ngrohtë me kryeministri Edi Ramën, kur e pyeti atë se a do ta pranonit Tony Blair-in si ndërmjetës midis jush dhe Mitsotakis, me qëllim kthimin e miqësisë.

‘Miqësinë? Nuk na duhet një anglishtfolës që nuk di as shqip, as greqisht, për të bërë bashkë një grek dhe një shqiptar, sepse, pastaj, kam frikë se problemin do e ketë Tony, jo ne.’- tha Rama.

Pjesë nga intervista

Gazetari: Mendoj se shumicën e pyetjeve i bëra, por do të doja të bëja edhe dy të tjera. Është e mirëdokumentuar se keni një bashkëpunim politik me Tony Blair-in dhe Alastair Campbell-in. Do ta pranonit Tony Blair-in si ndërmjetës midis jush dhe Mitsotakis për të zgjidhur çështjen “Beleri”?

KRYEMINISTRI EDI RAMA:  Po çfarë do të bëjë Tony Blair-i. Çfarë mund të bënte? 

Gazetari: T’ju kthente sërish miqësinë.

KRYEMINISTRI EDI RAMA:  Miqësinë? Jo, po ju them, dhe jam shumë i sinqertë për këtë, nuk kam asnjë lloj ndjesie të llojit “pse kam qenë mik me këtë njeri? Pse i kam besuar këtij njeriu?” Jo, e kam mik dhe i besoj. Ju thashë, politika mund të jetë një ndikim shumë i keq e, ndonjëherë, politika ka shkatërruar mendje shumë të bukura dhe zemra të mëdha...

Gazetari: Po, absolutisht.

KRYEMINISTRI EDI RAMA:  Por nuk ndryshon ndjenjat e mia. Qirjakosi për mua është një udhëheqës modern dhe ajo çfarë po ndodh tani nuk është moderne, është antike dhe nuk duhet të ndodhë! Por nuk i di saktësisht motivet. Mendoj se kjo është shumë e thjeshtë, është shumë e thjeshtë dhe i gjithë ky dyshim, të gjitha këto teori konspirative, gjithë kjo ide e marrë se Himara është një arenë ku duhet të ndeshemi sesa grekë jemi apo sa shqiptarë jemi, e gjitha kjo nuk është e shëndetshme. Eshtë shumë e dalë boje.

Gazetari: Zoti Kryeministër, kjo është puna e Tony Blair-it, t’iu shpjegojë situatën të dyja kryeqyteteve

KRYEMINISTRI EDI RAMA:  Qirjakosit? Nuk e di, nuk e di nëse mundet t’ia shpjegojë Qirjakosit, por nuk mendoj se na duhet një tjetër gjuhë në mes. Unë flas shqip, ai flet greqisht. Ai (Qirjakosi) flet anglisht më mirë se unë, por unë flas anglisht mirë mjaftueshëm, kështu që nuk na duhet një anglishtfolës që nuk di as shqip, as greqisht, për të bërë bashkë një grek dhe një shqiptar, sepse, pastaj, kam frikë se problemin do e ketë Tony, jo ne.

 

Ora 12:22
Rama ironi me Mitsotakisin: Ekspozita ime s’do të sjellë Syriza-n në pushtet

 

Në një intervistë për median greke ‘Kathimerini’, u pyet nga gazetari grek Pavlos Papadhopulos nëse do të mbajë një ekspozitë artistike në Athinë. Kreu i qeverisë tha se do të donte të rikthehej në Athinë për të ekspozuar, e shtoi se u bën thirrje miqve të Syriza-s të lënë artin menjëanë dhe mos ta përdorin ekspozitën e tij për t’i thënë Mitsotakis sa budalla është, sepse nuk është ide e mirë të luftosh kështu. Sipas Ramës kjo nuk është politikë është budallallëk. Rama shtoi se nuk mendon se ekspozita e tij do e sjellë Syriza-n në pushtet!

Gazetari: Kryeministër, do doja t’ju falënderoja për këtë intervistë të gjatë dhe, së fundi, dua t’ju pyes se kur prisni të mbahet ekspozitën e ardhshme artistike në Athinë?

KRYEMINISTRI EDI RAMA:  Nuk e di. Kam disa tani, njëra pas tjetrës. Do doja të kthehesha në Athinë për të ekspozuar. Do ta bëj me kënaqësi të madhe, por është ende shumë e freskët ajo që bëra dhe mora një ndjesi shumë të mirë atje, e cila nuk është ndikuar nga gjithë këto gjepurat (e fundit) rreth saj. Dua vetëm t’u them miqve të Syriza-s ta lënë artin mënjanë dhe mos ta përdorin edhe ekspozitën time për t’i thënë Mitsotakis sa budalla është, sepse nuk është ide e mirë të luftosh kështu.

Gazetari: Është politikë, Kryeministër, është politikë dhe ju e thatë edhe më parë që politika është helm në shumë raste.

KRYEMINISTRI EDI RAMA:  Jo, politika është gjëja më e mirë që mund t’ju ndodhë njerëzve, kur njerëzit e përdorin për të zgjidhur së bashku gjëra që nuk i zgjidhin dot të vetëm; kështu e shihnin politikën grekët e vjetër. Në të kundërt, kur politika përdoret për t’iu kundërvënë njerëzve, bëhet e keqe. Unë e dua politikën. Pa politikë, shumë gjëra nuk do të ekzistonin sot. Po kjo nuk është politikë, është budallallëk. T’i kundërvihesh çdo gjëje, të sajosh probleme me çdo gjë për kundërshtarin tënd. Duhet të ketë një arsye se pse Qirjakosi fitoi sërish, apo jo? Nuk mendoj se ekspozita ime do e sjellë Syriza-n në pushtet apo jo?

Gazetari: Po. Pra, ju faleminderit vërtet. Ju uroj çdo të mirë. Shpresoj t’ju shoh në Athinë.

KRYEMINISTRI EDI RAMA:  Jeni i ftuar të vini kur të doni, miku im, kur të doni dhe keni fituar të drejtën e trokitjes së parë në derën time, kështu që sa herë të ketë ndonjë gjë rreth meje në Greqi, ju do jeni zgjedhja ime e parë për të folur.

M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Edison Ypi: Spiun dhe Bariton

Edison Ypi: Spiun dhe Bariton