DIBËR - Ndeshja mes Korabit dhe Burrelit, e vlefshme për raundin e 17-të në Kategorinë e Parë dhe e projektuar për sot në orën 12:00 në stadiumin e Peshkopisë, nuk do të zhvillohet.

Mjegulla e dendur vijon të jetë prezente në Peshkopi për të dytën ditë radhazi, çka ka bërë që sfida të shtyhet sërish. Si fillim takimi do duhej të luhej të shtunën në orën 13:30, por u shty për sot.

Tanimë FSHF bën me dije se për shkak të mjegullës as sot takimi nuk do zhvillohet dhe është shtyrë për të martën në orën 13:00 në stadiumin e Peshkopisë.

"Ndeshja e Kategorisë së Parë KorabiBurreli është shtyrë sërish për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike dhe pranisë së dendur të mjegullës. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se ndeshja do të zhvillohet më 23 dhjetor, në orën 13:00, në Peshkopi", njofton Federata Shqiptare e Futbollit.