Detaje të reja janë zbardhur rreth eshtrave të gjetura pasditen e 18 shtatorit në periferi të Tiranës në zonën e Shëngjergjit. Burime brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore bëjnë me dije se është dorëzuar në prokurori dhe raporti rreth ekzaminimeve të kryera. Sipas të dhënave rezulton se eshtrat dhe kafka e gjetur në vendngjarje i përkasin një femre rreth 30-35 vjeç, e cila dyshohet se është vrarë dy vite më parë. Ndërkaq, në vendngjarje pas një kontrolli të para dy ditëve në malin e Fagut vend ku janë gjetur dhe eshtrat, policia ka gjetur pjesë të tjera të kufomës mes tyre dhe fije floku. Nga hetimet paraprake dyshohet se viktima është vrarë dhe më pas copëtuar me mjete të mprehta dhe është hedhur në Malin Fagut, për të humbur gjurmët. Dyshohet se organet e brendshme të kufomës janë dëmtuar nga kafshë të ndryshme. Ndërkaq pritet që të kërkohet një ekzaminim i ADN së kockës jashtë vendit, për përcaktimin e identitetit të kufomës. Ndërkaq mësohet se policia po verifikon edhe dosjet e femrave të denoncuara si të zhdukura, nga vitit 2009-2010. Deri në këto momente asnjë e dhënë nuk ka mbëritur në polici, rreth identitetit të femrës së gjetur në malin e Fagut.
(eq/shqiptarja.com)