TIRANE- Mjekët që janë diplomuar në Universitetin Mjekësor të Tiranës do të testohen në 20 mars. Urdhëri i Mjekëve të Shqipërisë bën me dije se regjistrimEt për provimin e shtetit do të pranohen deri në 15 mars dhe testi do të zhvillohet në Agjensinë Kombëtare të Provimeve. Kandidatët duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim për të dhënë Provimin e Shtetit dhe të plotësojnë formularin ku të saktësojnë, vitin e diplomimit dhe Universitetin ku kanë mbaruar studimet.

Në rregulloren për Provimin e Shtetit, përcaktohet se mjekët mund të japin deri në 5 herë provimin dhe nëse në asnjë rast nuk rezultojnë kalues, atëherë i rikthehen praktikës profesionale. Mjekët të cilët japin provimin për herë të parë duhet të paguajnë një tarifë regjistrimi prej 10 mijë lekë.

Për ata kandidatë që rijapin provimin për herë të dytë, tarifa e regjistrimit është 12.500 lekë, për herë të tretë 15.000 lekë, kur provimi jepet për herë të katërt 17.500 lekë dhe për testimin e fundit kandidatët paguajnë 20.000 lekë. Nga Provimi i Shtetit përjashtohet mjekët të cilët sot ushtrojnë profesionin në një nga spitalet publike ose private, si dhe mjekët që fitojnë të drejtën për të ushtruar profesionin jashtë Republikës së Shqipërisë.
 
Provimi dhe vlerësimi
Sipas Agjensisë Kombëtare të Provimeve pyetjet synojnë të vlerësojnë njohuritë e përgjithshme të kandidatit për profesionin e mjekëve. “Pyetjet e provimit të shtetit janë me alternativa. Vetem një nga alternativat është përgjigje e saktë. Pyetjet shfaqen në monitorin e kompjuterit të kandidatit dhe me një klikim zgjidhet pyetja e dëshiruar. Pyetja me alternativa është në një kuadrat me ngjyrë portokalli. Klikimi mbi këtë kuadrat ndryshon ngjyrën e kuadratit.

Klikimi mbi alternativë nuk konsiderohet automatikisht si përgjigje e pyetjes. Kandidati ka të drejtë të klikojë më shumë se një herë mbi alternativat pastaj ta konfirmoj atë. Pas dhënies së përgjigjes, në monitor shfaqet njoftimi “Zgjidhni pyetje tjeter!”. Në monitorin e kompjuterit shfaqet edhe koha e mbetur në dispozicion, deri në përfundimin e provimit.

Koha e provimit përfundon kur në monitor shfaqet tabela përmbledhese e dhënies së përgjigjeve e ballafaquar me përgjigjet e sakta, sasinë e pikëve të grumbulluara si dhe përqindja e pikëve të grumbulluara”, - përcakton udhëzimi për zhvillimin e Provimit të Shtetit. Kandidati vlerësohet me notën 10 nëse merr 95-100% të pikëve, me notën 9 nëse 85-94% të pikëve, me notën 8 nëse merr 75-84% të pikëve, me notën 7 nëse merr 65-74%,  me notën 6 nëse merr 55-64% të pikëve dhe me notën 5 nëse merr 50-54% të pikëve.

Kandidatët që grumbullojnë nga 0-49 pikë, nuk quhen kalues në Provimin e Shtetit dhe duhet ta rijapin provimin në një datë tjetër që përcaktohet nga AKP. Në testet e zhvilluara në dy vitet e fundit nga Agjensia Kombëtare e Provimeve për infermierët, famacistët dhe mjekët, këta të fundit kanë arritur rezultatin më të lartë të kalueshmërisë, me 82% të kandidatëve kalues.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)