Mjekja shqiptare në Gjermani, Aurora Meta Dollenerg, gjatë një lidhje live për Report Tv tha se ilaccet anti COVID, si antibiotikët, anti-viralët dhe oksigjeni ju jepen në mënyrë të tepruar pacientëve në Shqipëri.  Antibiotikët, anti-viralët si dhe oksigjeni ju jepen në mënyrë të tepruar pacientëve në Shqipëri sipas mjekes shqiptare në Gjermani, Aurora Meta Dollenerg. Ajo tha se teprimi i ilaçeve tani, do të sjellë pasoja të rënda në të ardhmen tek qytetarët.

“Si mjeke që shoh raste shumë të rënda duhet ta kemi në fokus mbylljen. Duke qenë se ka një koordinim të neglizhuar nga sistemi shëndetësor në Shqipëri, vumë re disa gabime në mënyrën e tepruar të ilaçeve që ju jepet pacientëve. Çdo gjë duhet të jepet në masën e duhur dhe kohën e kaluar. Jo në mënyrë të gjeneralizuar. Antibiotikët janë dhënë vend e pa vend. Është gabim nga ana mjekësore. Edhe anti-viralët që janë të shtrenjtë janë propaganduar që të shiten, gjë që nuk është e vërtetë. Edhe oksigjeni është dhënë gabim, duke e rënduar mushkërinë. Nuk është se është gjithçka gabim, por është dhënë në mënyrë të tepruar. Ne në vendet evropiane e kemi të qartë që të jepet një litër oksigjen, ose dy, nëse rastet janë të rënda. Pasojat do të ndjehen muaj më vonë. Kur të kenë nevojë për anti-biotik ato nuk do të veprojnë. Janë shitur dhe ilaçe që për mendimin tim janë shumë të shtrenjta”, tha mjekja Aurora Meta Dollenerg. 

Këtë të mërkurë Gjermania hyri në karantinë të plotë për 4 javë. Vendimi për shtrëngimin e masave, tha Dollenerg erdhi për shkak të ezaurimit të kapaciteteve shëndetësore në spitale.

“Duke filluar nga dita e sotme deri më 10 janar, Gjermania hyn në mbyllje të plotë. Më të rëndë se ai që kemi pasur në prill. Masat e izolimit nënkuptojnë se lëvizja e qytetarëve do të kontrollohet. Nuk do të lejohet që në periudhën e festave të bashkohen më shumë se dy familje. Që nga restorantet, ambientet publike, kinematë apo mbledhjet e njerëzve etj janë të ndaluara. Vetëm supermarketet do të jenë të hapura. Më tepër ezaurimi i resurseve në spitale e detyroi Gjermaninë të vendoste mbylljen. Kemi pasur rritje të numrit të infektuarve, pavarësisht se kanë qëndruar stabile shifrat. Për të evituar rritjen, u vendos karantina”, tregoi Dollenerg.