GJIROKASTËR- Nëndrejtor i spitalit të Gjirokastrës, Roland Karralli ka bërë me dije se shërbimi i kirurgjisë vijon normalisht punën, se salla e operacioneve është dezinfektuar pasi një nga punonjësit ka rezultuar pozitiv me COVID. Në një lidhje telefonike për Report Tv, Karralli tha se puna në këtë shërbim nuk është ndalur për asnjë moment, e ndërsa shtoi se punonjësve iu është bërë tamponi dhe kanë rezultuar negativ.
"Nuk ka reshtur puna asnjë ditë, kemi dezinfektuar sallën, e mbajtëm 2 ditë të mbyllur dhe tani ka funksionuar në mënyrë normale. Ai ishte ndihmës anastezist, i bëmë tamponin dhe personelit të sallës dhe kanë dalë negativ. Në gjithë qarkun kemi pasur shumë raste të rralla", tha ai.
Parë në syrin e një mjeku, që çdo ditë është në luftë me sëmundje të ndryshme, tani së fundmi me COVID-in, ai tha se sheh te të rinjtë një mugesë sensibilizimi për mbajtjen e maskës dhe distancës.
"Ka një defekt në popullatë, sidomos të rinj. Nuk praktikojnë distancimin fizik, madje më kanë thënë "hë mo se e bëni ju". Maska dhe distancimi social te brezat e rinj është shumë i pak", tha mjeku për Report Tv.