Mjeshtri i fotografisë, Petrit Kumi: Burim i suksesit tim, njerëzit në fokus të aparatit

Në objektivin e aparatit mjeshtri i fotografisë, Petrit Kumi, gjatë krijimtarisë së tij, ka realizuar më shumë se 400 mijë fotografi. Nuk kanë munguar peizazhet natyrore, në tokë, det edhe në ujë, por nuk kanë munguar as personazhet më të rëndësishme të jetës politike edhe kulturore gjatë 50 viteve nën diktaturë, që fotografi i ka botuar edhe në albumin e tij, të jetës. Kësaj here fotografi i njohur, në një ekspozitë fotografike me të rinj, teksa u dorëzon atyre albumin e tij edhe u jep certifikata për arritjet e tyre në fotografi u shpjegon edhe se fotografia është një profesion, që të lejon nëpërmjet së bukurës të ndërtosh historinë e popullit tënd, me imazhe njerëzore dhe fakte reale.

 “Fotografia nuk vërteton gjë në vetvete, por tregon, emocionon. I jep zgjidhje shumë problemeve dhe të dëshmive të ndryshme, programon edhe jep një kulturë të jashtëzakonshme, në formimin edukativ të njerëzve. Tani të rinjtë kanë mundësi të madhe për ta bërë këtë punë, sepse edhe temat janë të lira. Prandaj mendoj se do të ketë në të ardhmen edhe mjeshtra të fotografisë shqiptare”.

Nga Enver Hoxha tek Ismail Kadare, Dritëro Agolli e Kadri Roshi, Edi Rama më të atin, skulptorin Kristaq Rama, edhe më pas tek njerëzit e thjeshtë

“Duheshin patjetër personazhe të të gjithave fushave, që t’i tregonim ato figura se si kanë punuar. E meritonin që ta bëja këtë, sesa të merresha me një temë apo me sfilata. Jeta ka shumë tema, është kaq e bukur, sa aty mund të zbulosh tema të çuditshme”.

Njeriu i punës, ata që çdo ditë kontribuojnë në zhvillimin e vendit, sipas fotografit, duhet që të jenë në vëmendjen e fotografëve të rinj.

“Të gjithë krijimtarinë time unë jam marrë me temën e njeriut, më pëlqen që të fotografoj njerëzit më shumë sesa vendi ku jetoj. Në çdo profesion jam futur, në të gjitha fushat. Marrja me temën e fotografisë për njerëzit të jep shumë garanci për sukses. Ky është edhe burimi i suksesit tim. Albumi pati jehonën e vet, por do të thosha se brezi i ri duhet që të bëjë albumin e kësaj periudhe. Mua më pëlqente që njerëzit të ishin të qeshur, mos të shprehnin vështirësitë. Por mos harroni që edhe një kërkesë e medies së asaj kohe, nuk e pranonte një fotografi të zymtë të njerëzve shqiptarë. Ata e donin njeriun të gëzuar, por unë e kam çuar deri në ato limite, duke mos e ekzagjeruar, duke mos e lënë armikun në ‘gryk të topit’. Prandaj këshilla ime është që tema e njerëzve në punë duhet që të evidentohen. Sukseset e Shqipërisë janë fryt i punës, por kjo i përket edhe medies ta bëjë. Edhe shtypi botëror i bën shumë jehonë punës”.

Mjeshtëri e cilëson punën e bërë për gjysëm shekulli, si pjesë të krijimtarisë së kësaj fushe në historinë e vendit të tij, që brezat e rinj duhet ta njohin

“Kjo është një dëshmi e periudhës, unë kam fotografuar atë që kam jetuar. Brezi i ri duhet që ta shikojë veten e vet tek brezat e shkuar, se si janë rritur edhe kulturuar. Prandaj unë këtë doja që të evidentoja sot, sepse më pëlqen që të fotografoj njerëzit. Njerëzit e asaj kohe janë sot këtu, prandaj duhet e kësaj kohe duhet që të fotografohen. Për mua këto janë veprat e mia. Nuk mundet që t’i ndaj ato. Kam pas edhe peripeci kur i kam bërë që mos të ndërhyhej në to. Ishte e vështirë që të bëje një fotografi në atë periudhë, kur ne kishim vetëm pasionin dhe punën”.

Mjeshtëri i fotografisë përfundon se, në të gjithë këtë larmi të krijimtarisë së tij, ndoshta jo çdo gjë është e goditur, por ai ka bindjen se ka kontribuar sadopak në njohjen reale të asaj periudhe.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

GJKKO firmos masë të dytë sigurie për Taulant Tushen

GJKKO firmos masë të dytë sigurie për Taulant Tushen