MOBILIZIM/ Basha i jep fund 'armëpushimit' dhe rikthehet tek akuzat për Ramën: Dështoi me menaxhimin e tërmetit

MOBILIZIM/ Basha i jep fund 'armëpushimit' dhe rikthehet tek akuzat për Ramën: Dështoi me menaxhimin e tërmetit

Opozita i ka dhënë fund "armëpushimit" me mazhorancën dhe ka nisur akuzat për kryeministrin Edi Rama dhe qeverisë për mënyrën se si e ka menaxhuar periudhën past- tërmet.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehet se ndonëse ka kaluar më shumë se dy javë nga tërmeti i 26 nëntorit, qeveria ka dështuar që nga shpërndarja e ndihmave dhe deri tek mungesa e informimit të qytetarëve të rrugëve që duhet të ndjekin për strehimin në banesa me qira.

Nga ana tjetër, ekspertët shqiptarë, por edhe të huaj vijojnë ekspertimin e banesave për të bërë klasifikimin e tyre të banueshme ose të pabanueshme. Një rol shumë të rëndësishëm në këtë proces kanë luajtur ekspertët izraelit, të cilët pas inspektimeve të shumë ndërtesave në zonat e prekura nga tërmeti kanë dalë në përfundimin se shtëpitë janë të ndërtuara në mënyrë të gabuar, që ka të bëjë me vendosjen keq të tullave.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:05
Komiteti për Emergjencat në Lezhë: Janë kryer 420 verifikime për dëmet në banesa (VIDEO)

Komiteti Ndërministror për Emergjencat në qarkun Lezhë njofton se vazhdon puna me skuadrat e terrenit për të verifikuar dëmet dhe godinat e dëmtuara. Deri mbrëmjen e sotme janë zhvilluar 420 verifikime në terren dhe janë njoftuar të gjithë banorët në rastet kur godinat duhet të evakuoheshin. Deri tani 351 familje kanë aplikuar për bonus qiraje.

Në Laç vijon puna për njoftimin e çdo banori në 7 pallatet që janë shpallur si të pabanueshëm, dhe më pas do të vijohet për shembjen e tyre nga grupet e IKMT-së. "Aktualisht janë duke u njoftuar individualisht banorët e pallateve numër 125, 126,127,129, 130, 131 dhe 133 të gjitha në lagjen numër 4 në Laç dhe pasi të jetë mbyllur e gjithë koha për këto njoftime, do të kemi edhe shembjen e tyre të kontrolluar nga grupet e IKMT-së dhe nga Ministria e Mbrojtjes.

Aktualisht sot janë shpërndarë dhe ngritur nga Forcat e Armatosura Shqiptare 57 çadra dimërore në terren duke zëvendësuar një pjesë të çadrave, me të cilat ishin pajisur në momentet e para të emergjencës banorët dhe të cilat duheshin ndryshuar.

Në bashkinë Kurbin, nga vlerësimet kemi 1000 objekte të inspektuara nga të cilat 239 janë të pabanueshme, 7 nga ato që u përmendën më sipër, janë për t’u prishur. Në bashkinë e Lezhës kemi 1200 objekte të inspektuara deri tani, nga të cilat 70 janë të pabanueshme. Bashkia Mirditë ka gjithashtu 80 objekte të inspektuara nga të cilat 51 janë të pabanueshme.

Aktualisht po vijon mësimi normalisht me 2 turne në ato shkolla, të cilat ku kemi spostuar një pjesë të nxënësve që kanë qenë pjesë e shkollave të dala jashtë funksionit për arsye të heqjes së riskut nga qytetarët. Gjithashtu kemi marrë deri sot 215 telefonata nga qytetarë të ndryshëm, të cilët kanë marrë përgjigjen, qoftë nga njësitë e pushtetit vendor, qoftë nga Qendra Operacionale për Emergjencën Civile në Lezhë" mbyllet njoftimi.

Ora 15:45
Basha i jep fund 'armëpushimit', rikthehet tek akuzat për Ramën: Dështoi me menaxhimin e tërmetit

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka lënë pas "paqen" dhe i është rikthyer akuzave ndaj kryeministrit Edi Rama dhe  qeverisë.

Pas një takimi me banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, Basha tha se mjaftoi ajo lëkundje tragjike për të nxjerrë në pah dështimin e qeverisë. Ai ka hedhur akuza shumë të forta duke nisur që nga shpërndarja e ndihmave, sipas së cilit është bërë në mënyrë selektive sipas preferencave partiak tek mungesa e transparencës dhe informimit të duhur të qytetarëve.

Deklarata e plotë
Tërmeti i 26 nëntorit nxori në pah Shqipërinë e vërtetë, të varfër dhe të vjedhur, nxori në pah paaftësinë dhe abuzimet e qeverisë që gjithë vëmendjen ua kishte kushtuar fasadave dhe projekteve me përfitues 10 oligarkë.  Sot ndihet edhe më shumë dështimi i qeverisë për të menaxhuar situatën pas tërmetit e po kështu edhe neglizhenca kriminale pas tërmetit të 21 shtatorit ndaj objekteve të dëmtuara që sollën humbje jetësh njerëzore. Në më shumë se dy javë që nga dita e tërmetit, familje të tëra nuk kanë marrë ende asnjë ndihmë, edhe në rastet kur kanë qenë me fat, u është dashur të presin me orë të tëra apo të sorollaten nëpër zyra për të marrë “ kuponin”

Në shumë raste, shpërndarja e ndihmave është bërë në mënyrë selektive për miq e kushërinj dhe me preferenca partiake. Nese nuk do të ishte ndihma e vullnetarëve, mjaft familje nuk do të kishin as buke për fëmijët e tyre. Shumë familje janë jashtë dhe pa asnjë ndihmë në këtë të ftohtë. Qytetarët thonë se nuk i njohin personat e ngarkuar për situatën, ndërkohë që nuk ka asnjë informacion për fondet e vëna në dispozicion për emergjencën. Asnjë transparencë, se kur do të nisë rikonstruksioni i banesave të dëmtuara , si do të bëhet, fondet e akorduara, e shumë pyetje të tjera pa përgjigje.

Edhe sot njerëzit janë të paqartë se çfarë do të bëhet me banesat e tyre. Grupe inspektimit janë kaotike. Për të njëjtin objekt ka inspektime dhe vendime të ndryshme. Për qindra të tjera ska ende as inspektim, as vendim. Banorët jetojnë me ankth për jetën por dhe fatin e shtëpive të tyre, të vetmen gjë që kanë nga puna e një jete.

Sot kemi hyrë në javën e tretë pas tragjedisë së rëndë dhe ende NUK KEMI EVIDENTIMIN E PLOTË të:

•sa banesa janë dëmtuar,

•sa pallate janë shpallur të pabanueshëm,

• sa qytetarë kanë mbetur të pastrehë,

• sa qytetarë janë strehur në hotele dhe sa janë ende në qiell të hapur.

• cila është lista e objekteve të dëmtuara dhe për të cilat deri më tani ka vendim për prishje.

• cilat janë shkollat e dëmtura dhe kur ishin ndërtuar apo rikonstruktuar ato.

Është alarmante që ndërkohë që banorët dëshmojnë se “nuk na ka ardhur asnjë ekspert për të vlerësuar nëse banesa është apo jo e banueshme”; “nuk kemi marrë asnjë ndihmë”; “jetojmë në qiell të hapur; “shteti nuk ekziston”, QEVERIA NUK NDËRMERR ASNJË VEPRIM. VETËM SHOË. VETËM BATUTA. VETËM PËRQESHJE ME FATKEQËSINË. Kjo është e papranueshme! Kjo është tallje me qytetarët ndër më të varfërit në Europë.

Ora 14:45
Ekspertët izraelitë: I keni ndërtuar shtëpitë gabim...Ja si duhet t'i vendosni tullat! Kini besim tek ne

Deri më tani kemi ndërtuar gabim, e këtë na e thonë izraelitët.

"I kanë vendosur tullat gabim, në një pjesë të madhe të objekteve që kemi inspektuar. Qytetarët duhet të përdorin shkumën për të siguruar apartamentet e tyre. Kjo e bën tullën më stabël. Është e rëndësishme për të mbyllur hapësirën mes tullave, nëse ka".

Kështu shprehet kolonel Golan Vach, eksperti izraelit që ndodhet me grupet e huaja të inspektimit në Durrës për të vlerësuar dëmet në objektet e dëmtuara nga tërmeti. Vach tha se në ndërtimin e mureve, përveç brezave ka rëndësi dhe vendosja e tullave me vrima, e cila duhet bërë gjatësore, jo horizontale, në mënyrë që të mbushen me llaç dhe t’i qëndrojnë goditjeve sizmike.

Nëse ata e thonë fjalën e fundit, shqiptarët duhet të kenë besim!

"Unë mund të vij të jetoj në këtë apartament bashkë me fëmijët e mi. Kur themi ka siguri, ka siguri; nëse them do ndërtojmë do ndërtojmë; kur muret janë shumë të dëmtuara prishen. Disa prej dëmeve janë të riparueshme. Mund të përforcohet muri, edhe nëse ka përplasje; dëmet janë një sfidë por realizohen" tha koloneli izraelit.

Ekspertët izraelitë janë duke kryer inspektime në Durrës, ku po bëhet një prezantim i metodologjisë së rindërtimit të godinave të dëmtuara nga ekipi i ushtrisë izraelite. Bashkë me grupin izraelit janë edhe punëtorët e bashkisë Durrës.

Ora 14:06
'Ne ishim pranë jush për tërmetin ' Ambasadori bullgar: Dy grupe inxhinierësh në Shqipëri, ditën e parë siguruam 100 mijë euro (VIDEO)

Ambasadori i Bullgarise, Momtchil Stoyanov Raytchevski ka folur rreth integrimit evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duke thënë se të dy vendet nuk janë në garë se kush është më i mirë, por duhet të punojnë në mënyrë që vitin e ardhshëm të kenë plotësuar të gjitha kushtet për nje vendim pozitiv. Ndërkohë Ambasadori ka folur edhe për situatën e tërmeteve në Shqipëri ku ka thënë se i vjen keq që ndihma e Bullgarisë për Shqipërinë erdhi në këtë rast tragjik.

Pyetja: Kryeministri Holandez vetëm pak ditë më parë ka bërë me dije se Shqipëria nuk është gati për çeljen e negociatave, ndërkohë që Maqedoninë e Veriut e sheh me afër,a ka të njëjtin mendim edhe qeveria Bullgare?

Ambasadori: Atë që mund të them është se kjo nuk është një garë, në tërësi në familjen europiane nuk është procesi i vërtetimit kush është më i miri, kush jo, është një proces, ku si qëndrimin e komisionit europian ashtu edhe të partnerëve tanë është e qartë, siç është e qartë edhe pozita e Bullgarisë që republika e Shqipërisë dhe republika e Maqedonisë së Veriut janë pjesë prej nesh.

Të dy shtetet kanë për të bërë akoma, kriteret janë të qarta por duhet punuar, të punojmë edhe ne edhe ju që të kemi mundësi gjatë vitit të ardhshëm të kemi plotësuar të gjitha kushtet për një vendim që do të na gëzojë të gjithë neve.

Por ju lutem mos e mendoni këtë si një garë se cili duhet të vrapojë me shpejt.

Pyetja: Cila është ndihma e qeverisë Bullgare për Shqipërinë, për ta ndihmuar sado pak ne eliminimin e pasojave të tërmetit?

Ambasadori: Për fat të keq, do të isha i lumtur që të shikoja ndihmën Bullgare për raste të tjera jo për këtë tragjedi ku ka edhe viktima dhe njerëz që vuajnë.

Bullgaria si dhe shtetet e tjera nga rajoni dhe BE dhe mbarë bota, reagoj në mënyrë humanitare, ne siguruam që në ditët e para erdhi ndihmë materiale në kuadër të mekanizmit europian për mbrojtje civile.

Më pas erdhi grupi i parë i Inxhinierëve bullgare të cilët së bashku me kolegët e tyre, inxhinierët shqiptarë, bënë analizën e godinave.

Dje erdhi ekipi i dytë, unë personalisht i kam shoqëruar deri në Durrës.Përveç kësaj shteti Bullgar siguroi që ditën e parë të tërmetit 100 mijë euro që u dërguan në Shqipëri, përsëri përfitoj nga rasti të them që Shqipëria nuk përjetoi vetëm këtë tërmet, Bullgaria dha ndihmën edhe për një nga shtëpitë e fundit që i kishte mbetur Korçës për tu rindërtuar dhe kjo shtëpi është në Vidohovë.

Ora 13:57
Edhe objektet shëndetësore të dëmtuara në planin e rindërtimit

 “Objektet shëndetësore të dëmtuara lehtë si pasojë e tërmetit po rehabilitohen, ndërsa ato me dëmtime serioze do të përfshihen në planin e rindërtimit”. Nga urgjenca e re e përkohëshme e Mamurrasit, ku aktualisht po transferohet shërbimi i qendrës shëndetësore 24 orëshe të këtij qyteti, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale garantoi ofrimin e shërbimit pa ndërprerje për banorët e prekur nga tërmeti. 

“Edhe pse jemi në këto kushte emergjence, jemi këtu për të garantuar që kujdesi shëndetësor do të vazhdojë në të gjitha zonat e prekura nga tërmeti, ku jemi duke ofruar shërbim, siç është rasti i urgjencës 24 orëshe të Mamurrasit, ku në kohë rekord qendra shëndetësore e dëmtuar nga tërmeti, është transferuar në një ambient të përshtatshëm, pa e ndalur punën për ofrimin e shërbimit për qytetarët”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se janë 12 objekte shëndetësore të dëmtuara, për të cilat ka nisur puna me riparimin e dëmeve si pasojë e tërmetit, për ato objekte që janë të riparueshme, ndërsa do të vijojë plani i rindërtimit.

“Janë 12 objekte shëndetësore, ku përfshihen kryesisht qendra shëndetësore, të cilas janë vlerësuar me demtime serioze apo dëmtime të lehta si pasojë e tërmetit. Për dëmtimet e rikuperueshme ne kemi marrë mastat që të fillojë menjëherë puna për rehabilitimin, sikundër kemi bërë me spitalin e Durrësit, me disa shërbime në QSUT, etj, ndërsa do të përfshijmë në planin e rindërtimit objektet me dëmtime të rënda siç është qendra shëndetësore 24 orëshe e Mamurrasit apo spitali i Laçit, ku ndërkohë kemi marrë masa për të ofruar shërbimin e urgjencës në kushte optimale, në një ambient të ri”, tha Manastirliu.

Manastirliu i bëri këto deklarata në Ditën Botërore të Mbulimit Shëndetësor Universal. “Po vijojmë të ofrojmë gjatë gjithë kohës, për të gjithë banorët mbulimin shëndetësor universal nëpërmjet njësive të lëvizshme edhe në ato zona ku qendrat shëndetësore janë dëmtuar si pasojë e tërmetit dhe deri tani janë rreth 463 mijë qytetarë që e kanë kryer kontrollin mjekësor bazë, që tregon për ndërgjegjësimin e tyre për t’u kujdesur për shëndetin”, tha Manastirliu.

Më shumë se 6 mijë vizita mjekësore dhe rreth 1500 vaksinime kundër gripit janë kryer nga ekipet mjekësore pranë banorëve të sistemuar në hotele apo në pikat e emergjencës, të mbetur të pastrehë si pasojë e tërmetit, ku po vijon shërbimi shëndetësor 24/7.

Ora 12:06
Rama rrëfen amanetin që i la babai para se të ndërronte jetë...zbulon dhe pse hoqi vëthin (VIDEO)

“Të mos më qani pasi të largohem nga jeta”,-ka qenë ky amaneti që Kristaq Rama i ka lënë të birit, Edit, para se ai të ndërronte jetë.

Amanetin që babai i kishte lënë, kryeministri Rama, e zbuloi gjatë një bashkëbisedimi me Ajet Meçjan, i cili humbi gruan, vajzën dhe mbesën nga tërmeti i 26 nëntorit.

 “Kur të iki unë nuk do i lejosh të më qajnë. Më thoshte aman kur të iki nuk do i lejosh të më qajnë e as nuk do mërzitesh vetë, se nuk do gjej rehat atje ku do shkoj. Unë atë të babës e kam pas të fortë shumë…”, u shpreh Rama,

Ndërsa, gjatë gjatë vizitës në banesën e familjes Gjana, të cilët humbën nën rrënoja Xhuljeta Xhanën 60-vjeç, kryeministrit Rama i ra ne sy vathi që mbante djali i shtëpisë. Rama filloi ta pyeste djalin e Fatmir Xhanës për vathin dhe aty shkëmbyen edhe batuta.

“19 kam qenë edhe unë. Unë e hoqa vathin kur më vdiq baba isha në Paris, kisha shumë marrëdhënie të afërt, duhet të nisesha të nesërmen se skishte avion, kam ndet nga stresi disa orë kam heq mjekrën, hoqa vathin dhe u bëra kështu si ai, normal pastaj se atëherë quhesha jo normal dhe erdha për varrimi. Dhe u bëra ministër dhe ishte koicidencë e paparë, atëherë e hoqa vathin.”- është shprehur Rama.

“S’më ka thënë ndonjëherë plaka gjë për vathin, çdo gjë që më pëlqente, ok thoshte, vetëm bëji me mend.”-replikoi djali i familjes Gjana.

Në fund nuk mund të mungonte edhe sugjerimi i Ramës për të riun, duke i thënë se veshja apo se cfarë aksesorësh mban është diçka personale, dhe s’ka arsye të ndikohesh nga të tjerët.

“Hajde se do vijë dita, nuk është puna e të tjerëve çfarë vesh e çfarë mban ti, është puna jote se mua më thonë pse me atë xhup, hiq xhupin se je bërë si prift.”-përfundoi kryeministri.

Ora 12:04
'Kur pashë dritë mu duk si jetë...' Rama takon të mbijetuarin që humbi gruan nën rrënoja, Fatmir Gjana: Luani, heroi më nxori pas 24 orësh (VIDEO)

'Kur pashë dritën nga vrima që hapi heroi Luani, aty mu duk jetë' kështu e kujton tmerrin e përjetuar nga tërmeti i 26-nëntorit, Fatmir Gjana, i cili fatkeqësisht nën rrënoja humbi bashkëshorten e tij, Xhuljeta Gjana 60-vjeç, por vetë arriti të mbijetonte.

Gjana tregon se ai ishte zgjuar nga bashkëshortja e tij dhe në tentativë për të dalë jashtë banesës aty pallati 6 katësh në Durrës i ishte shembur mbi kokë. Gjana u arrit të shpëtohej pas 24-orësh nga zjarrfikësi hero nga Vlora i quajtur Luan.

Rama: Ju bëri komshinj fatkeqësia. Është një ndjenjë pafuqie dhe fjalët me duket sikur flet kot. Por hallin që s'ma zgjidh të paktën ma qaj.

Gjana: Është natyrore. Unë mbijetova ajo iku. Në 89 është bërë. Ishte dy kate poshtë.

Rama: E kam parë vetë një aksion, O zot çfarë tmerri. Ata hapën tunel dhe u futeshin, futeshin... Kapnin copa të vogla dhe i nxirrnin. U thash që është e pabesueshme. Por greku tha se për ne që kemi parë shumë. Të gjithë po flisnin për Luanin. Ai e kapërceu shkencën. Ai që bëri ai na tha italiani është përtej cdo kriteri teknik. Ai ishte në bast me jetën e vet.

Gjana: Isha e me solet sipër se dija që ëhstë pallati sipër meje. Luanit i thash ti vetëm kujdes për vete. I thash me hap një vrimë sa për ajër. Të vriste qetësia e madhe. Se me ça e hapi vrimë me thonj a nuk e di. Aty kam pa një rreze drite.

Rama: Njëri ishte 20 orë nën rrënoja dhe kur e kishin pyetur sa bëjnë 3x3 i kishte thënë se e do sipas Bashës apo sipas Ramës. Luani dhe ata të tjerët nuk e di ça, nuk e di ça janë, kanë rrezikuar jetën. Ai futej kudo. Ai më tha është pjesë e jetës tonë. Ne kshu jetojmë më tha mes jetës dhe vdekjes.

Gjana: Më tha se nuk duhet t rrotullohesh. Isha i bllokuar. E pash në ftyrë pastja. I thash qenke Luan me vërte. Ai ma ktheu edhe ti qenke Fatmir. Pastaj më tërhoqën. Kanë kaluar banjon dhe kanë ardhur tek unë në korridor dhe me ka marrë mua, nën rrënoja 20 metra.

Gjana: Kemi qenë poshtë. Katër katet sipër nuk janë prek fare. Djalin e vogël e patëm çu diku tjetër. Nuk ishte në shpi. Gruaja më tha ngrihu se tërmet. Por aty e kam pa veten pa frymë. Gruaja ka qenë një hap e gjysëm para meje. Por aty mbaroj çdo gjë. Shpresoja të ishte gjallë. E pyes Luanin për gruan, por pastaj më thonë që është e vdekur. Mu tek kuadrati i derës, aty isha unë. 4 kate ranë kuti. Vetëm tek i pari dhe i dyti. Më pas ra qetësi. Nuk shifja asgjë, deri kur erdhi Luani dhe më pyeste a ka njëri gjallë. Ai më qetësoi dhe më dha shpresë. Kur pashë dritën mu duk jetë. Nga ajo vrima që ka bërë Luani. Mendoja se nuk do më nxirrte dot. Ja ka dhën perendia atij.

Rama: Atë që ke humb nuk ta zëvendëson dot askush, por të paktën një gjë e bëmë. Po përpiqemi që të bëjmë maksimumin.

VIDEO/Shpëtimi i Fatmir Xhanës nga zjarrëfiksët e Vlorës
Ora 11:37
Rama në familjen Meçja, kryefamiljari mes lotëve: Mbesa nën rrënoja më thërriste ‘o gjyshi, o gjyshi’! (VIDEO)

Ajet Meçja nuk e kishte menduar që mëngjesin e 26 nëntorit, do të zgjohej nën dridhjet e vdekjes, e më pas do të përjetonte dhimbjen më të madhe të jetës: atë të humbjes së vajzës, mbesës së vogël dhe gruas së tij.

Babai i Diana Meçjes, e cila edhe pse doli nga rrënojat e gjallë por që humbi jetën në spital, ka rrëfyer tmerrin që përjetoi mëngjesin e 26 nëntorit teksa u vizitua nga Kryeministri Edi Rama. 

“Si mund të zgjidhet halli kur njeriut i ikin njerëz. Ne jetët që ikën nuk i kthejmë dot. Gjyshja ime thoshte se vdekja: zgjedh dhe nuk pyet për radhë dhe shpeshherë zgjedh më të mirët. Për një të keq merr disa të mirë.”-u shpreh Kryeministri Rama.

Ajet Meçja shprehet se pas tërmetit mundi që të dilte nga rrënojat, ndërsa vajza e tij, mbesa dhe gruaja nuk mundën që të shpëtonin dot.

“Unë jetoja në pallatin e Edison Konomit, nga që e kanë bërë për vete, mendoja se do ishte i fortë. Nga ora 4, pas u tund shumë, bëri një goditje lart-poshtë. U kujtova që kisha një kartonxhez, dhe dola. Dola zvarrë dhe pashë Nardin. Nardi, çfarë është kështu, ku është pallati?”-ka treguar mes lotëve Ajet Meçja.

Ajet Meçja ka treguar detaje rrëqethëse, kur mbesa e tij kishte ngelur nën rrënoja e ndërsa i kërkonte ndihmë gjyshit.

“E dëgjoja atë të voglën: Gjyshiiii!  E vogla ka rezistuar, më shumë frika i mori jetën.”-ka vazhduar me tej Ajet Meçja në bisedën me kryeministrin Rama.

Ajet Meçjas tani ka një djalë dhe nënën e tij, ndërsa me të ardhur nga Italia, djali i ka thënë: “O babi po ne paskemi jetuar me vdekjen.”

Ora 09:37
Meta takon ekspertët izraelitë: Na ndihmuan, por edhe na mësuan shumë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta,  është takuar me ekipin e ekspertëve nga Izraeli të cilët kanë ardhur në vendin tonë për të inspektuar objektet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Me një shkrimi në rrjetet sociale kreu i shtetit thekson se  ekipi nga Izraeli ka dhënë një kontribut të madh për Shqipërinë në këto ditë të vështira.

"Kënaqësi e veçantë të bisedoja mbrëmë në Durrës me ekipin e mrekullueshëm izraelit që ka bërë një punë të shkëlqyer gjithë këto ditë në ndihmë të institucioneve tona dhe komuniteteve të prekura rëndë nga pasojat e tërmetit tragjik. Ata jo vetëm na ndihmuan shumë, por edhe na mësuan shumë! Falënderoj ambasadorin e Izraelit, Noah Gal Gendler për kontributin e çmuar që po jep në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tradicionalisht të shkëlqyera mes dy vendeve e popujve tanë." shkruan Meta.

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Dursak I demtuar emigrant: 12/12/2019 13:15

    Nje kerkese per median sidomos per shqiptaria.com qe kam shume respect dhe vecanerisht per Artur korikun gazette te pasqyrojne me teper vjedhjet qe u behen shtepive te emigranteve pas termed it dhe pas vendosjes se vules nga instituti i ndertimeve me ndrimin e bojes nga jeshile ne te kuqe qe u jep shenje hajduterve filloni e vidhni

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Bota e tenisit është e kaltër, Sinner dhe Berrettini mposhtin Holandën! Italia fiton Kupën Davis

Bota e tenisit është e kaltër, Sinner dhe Berrettini mposhtin Holandën! Italia fiton Kupën Davis