Moisiu: Nishani mund të vendosë
ekuilibrin politik, unë e bëra

TIRANE - Në një intervistë për televizionin A1Report, ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu foli për zhvillimet më të fundit, lidhur me festimet për 100-vjetorin, por edhe çështje të tjera aktuale, siç është Prokurori i Përgjithshëm.

Moisiu u shpreh i pakënaqur lidhur me fesimet e 100-vjetorit, ndërsa bëri përgjegjëse kryesore qeverinë dhe përfshirjen në debate politike në këto ditë historike për vendin.

Duke iu shmangur ngjyrimeve politike lidhur me festimet e këtij 100-vjetori, ish-presidenti tha se do të festojë atje ku e kanë ftuar, përfshirë Vlorën e Tiranën.

Për Moisiun, përgjegjësia e vendosjes së ekuilibrave mes forcave politike është në duar e presidentit, duke theksuar se presidentit aktual Bujar Nishani “i takon që këto përplasje të mos ishin të kësaj kategorie që janë tani.”

Lidhur me Prokurorin e Përgjithshëm, Moisiu tha se Nishani duhet të dëgjojë fjalën e tij dhe të ish-presidentit Rexhep Mejdani, të cilët në sajë të studimeve me ekspertë të drejtësisë, thonë se afati i mandatit të prokurores aktuale Ina Rama përfundon në maj 2013, dhe jo në nëntor të këtij viti.

“I PAKENAQUR PER FESTIMET E 100-VJETORI, FAJTORE POLITIKA”

Jam i pakënaqur me zhvillimet për 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe përgjegjësinë kryesore për këtë e ka qeveria. Kështu deklaroi ish-presidenti Alfred Moisiu i ftuar sot në studion e lajmeve në televizionin A1Report.

Për ish-presidentin, kjo ditë duhet t’i gjente shqiptarët më të bashkuar se kurrë dhe jo të përçarë. Lidhur me këtë fakt, Moisiu bën përgjegjëse kryesore politikën, e cila në këto ditë të rëndësishme për vendin është përfshirë në debate politike.

Ish-presidenti i referohet kritikave që janë bërë ndaj kryeministit Sali Berisha lidhur me nderimin e figurës së Ahmet Zogut dhe lënin në harresë sipas tyre, të Islamil Qemalit, por edhe zhvillimeve të tjera lidhur me përqëndrimin e festimeve në Vlorë e Tiranë.

“Kjo ditë duhet të na gjente më të bashkuar se kurrë. Ka një decentralizim, një spontanitet i paparashikuar. Unë do të them që përgjegjësinë kryesore e ka qeveria. Nuk duhej të hynin në këto ditë debate politike. Këto ditë duhet të jenë jo thjesht për të festuar 100-vjetorin, por edhe për të menduar se cdo të bëjmë më tej. Ku do eci ku vend përpara, se është gjithë kjo rini, dhe të rinjtë me të drejtë janë të shqetësuar. I takon politikës të hap prespektivën për këtë shtresë të popullisisë.”, u shpreh Moisiu.

“SHQIPERIA, SI MIZA PA KOKE”
I pyetur nga gazetarja Mira Kazhani, se a i ngjan Shqipëria asaj që dëshironte ish-presidenti të realizonte, Moisiu iu referua një shprehje të popullit, duke thënë: “Jemi si miza pa kokë, që vjen vërdall dhe s’di çfarë bën.”

“Përfat të keq edhe ne në këtë gjendje jemi. Dhe përgjegjësia kryesore është e politikës, e asaj që është në pushtet. Unë nuk mendoja se në këtë 100-vjetor ne do të ishim kaq të përçarë me njëri-tjetrin.”, tha Alfred Moisiu.

“UNE I VENDOSA EKUILIBRAT MES POLITIKES, TA BEJ EDHE NISHANI”
Moisiu tha se gjatë kohës që ka mbajtur postin e presidentit ka ditur të vendosë ekuilibrat mes forcave politike, duke shmangur debatet mes tyre. Për këtë fakt ish-presidenti iu referua festimeve për 90-vjetorin e pavarësisë, në vitin 2002.

“Në 2002 ishte 90-vjetori i shpalljes së Pavarësisë dhe zëvendës kryeministri Ilir Meta më solli programin, dhe kishin parashikuar që paradën ushtarake ta bënin në 29 nëntor. Unë i thash jo, paradën do e bëjmë në 4 dhjetor kur është dita e ushtrisë. Pasi nuk dua që të përfshihemi në debate, 28 nëntori apo 29 nëntori.”, u shpreh Moisiu në studion e A1Report.

Për ish-presidentin, roli i ekuilibrimit të forcave mbetet në dorën e Nishanit, dhe se atij i takon që këto përplasje të mos ishin të kësaj kategorie që janë tani.

“Unë smund të kritikoj një president në detyrë, por atij i takon që këto përplasje mos të ishin të kësaj kategorie që janë tani. Duhet gjetur mënyra për t’i kapërcyer këto”, tha Moisiu.

“NISHANI T’NA DEGJOJE PER INA RAMEN, AFATI MBARON NE NENTOR”
I pyetur për zhvillimet e fundit lidhur me çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, Moisiu tha se presidenti Nishani duhet të marrë në konsideratë mendimin e ish-presidentëve të tjerë, siç është ai i bashkëpunimit mes tij dhe ish-presidentit Meidani.

Ai tha se në sajë të studimeve që ka bërë me ekspertë të fushës së drejtësisë, së bashku me ish-presidentin Rexhep Meidani, afati i prokurores aktuale, Ina Rama përfundon në muajin maj të vitit 2013 dhe jo në nëntor të këtij vitit siç pretendon presidenti Bujar Nishani.

“Afati i prokurorit aktual nuk mbaron në nëntor, por mbaron në maj të vitit 2013 sepse llogaritet afati nga dita zyrtare kur është ndryshuar kushtetuta në vitin 2008. Mendimet e dy ish-presidentëve duhet të merren në konsideratë, Mejdani dhe unë në tryezën që bëmë si forum. Shpresoj që presidenti do ta gjykojë drejt.”, -u shpreh ish-presidenti .

“DO FESTOJ ATY KU ME KANE FTUAR”
Së fundi, ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu tha se se do të jetë i pranishëm aty ku e kanë ftuar, duke iu shmangur konotacioneve politike që kanë përfshirë festimet në kuadër të 100-vejtorit të Pavarësisë.

“Më ka dërguar bashkia e Vlorës një ftesë, sot do nisem atje. Nesër do marr pjesë në ngritjen e flamurit i fuar nga presidenti i Republikës dhe në darkë do jem te Pallati i Brigadave po nga presidenti. Këto ftesa kam marrë, këtu do shkoj.”, tha ish-presidenti.

Alfred Moisiu u zgjodh president i Shqipërisë nga parlamenti më 24 qershor të vitit 2002 dhe e mori detyrën më 24 korrik 2002 duke zëvendësuar presidentin paraardhës Rexhep Meidani. Këtë funksion Moisiu e ushtroi deri më 24 korrik 2007, kur kreun e shtetit e mori presidenti Bamir Topi i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë më 20 korrik 2007

alfred mojsiu mira kazhani studio
(Foto, ish-presidenti Alfred Moisiu dhe gazetarja Mira Kazhani në studion e lajmeve të televizionit A1Report)

Redaksia Online

(Greta Malaj/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Në pranga shoferi i droguar në Vorë, bllokoi rrugën me makinë dhe kërcënoi efektivët

Në pranga shoferi i droguar në Vorë, bllokoi rrugën me makinë dhe kërcënoi efektivët