KUKES - Ish-Presidenti Alfred Moisiu ka reaguar nga Kukësi në lidhje me akuzat e opozitës për implikim të Forcave të Armatosura në trafik narkotikësh, duke i cilësuar si qesharake dhe të pavërteta.

​Sipas Moisiut përfshirja e ushtrisë në trafik droge është e pamundur pasi sipas tij, hapësira ajrore monitorohet nga dy vende të NATO si Greqia dhe Italia.  
 
“Është qesharake që Forcat e Armatosura të përfshihen në trafik të lëndëve narkotike. Kjo pasi edhe për arsye se hapësira jonë ajrore kontrollohet nga vendet fqinje si Greqia dhe Italia, që janë edhe vende aëntare të NATO.” shprehet Moisiu
 
Jo vetëm kaq por për ish-Presidentin kohët e fundit edhe kontrolli kohët e fundit është bërë më i rreptë dhe më rigoroz.
 
Në fjalën e tij ish-Presidenti dhe ish-Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura i bëri apel politikës për të qenë më e kujdesshme në zgjedhjen e strukturave të shtetit, ndërsa tha se ka ardhur koha që të bëhen ndryshime kushtetuese dhe që Presidenti të zgjidhet nga populli. 

MOISIU: OPOZITA TE BEJE AUTOKRITIKE, QEVERIA TENDENCA POZITIVE
 
Duke vazhduar më tej Moisiu u ndal edhe tek opozita dhe puna e deritanishme e qeverisë. Ai theksoi se vendi ka nevojë për një opozitë të fortë dhe jo një opozitë që bën zhurmë. Sipas tij Partia Demokratike duhet të analizojë më parë arsyet e humbjes së zgjedhjeve dhe më pas të merret me problematikat e ditës.
 
“Vendi ynë ka nevojë për një opozitë të fortë dhe jo për një opozitë që bën zhurmë sepse opozita është një pasuri kombëtare. Ne kemi akoma një opozitë që ende nuk e ka analizuar humbjen në zgjedhje dhe pasi të bëjë analizën, PD mund të flasë për problematikt e ditës.” tha ish-Presidenti.
 
Ndërkohë sa i përket punës së qeverisë, Moisiu u shpreh se “akoma është herët për ta gjykuar por sipas tij tendencat janë pozitive”

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)