Banorët e Mokrës me qëllim kthimin e vëmendjes nga vendlindja prej vitesh organizojnë “Mokra n’festë”. Aktiviteti synon bashkimin e të larguarve nga zona, promovimin e krahinës dhe traditave të saj.

Tradita, historia dhe shijet unike të gatimeve tradicionale të zonës së Mokrës erdhën sëbashku në edicionin e shtatë të “Mokra n’Fest”.

Festa mblodhi banorë të zonës, vizitorë dhe emigrantë të kthyer enkas në vendlindje.

Panairi i produkteve artizanale, gatimet tradicionale dhe këndi i dollisë ishin si  pjesë e identitetit të krahinës.

Kulaçi në saç, lakrori, djathi, gjalpi e produkte të tjera vendase vazhdojnë të përgatiten sipas traditës së trashëguar ndër breza.

"Edhe kulaçi bëhet me djath, me kos, edhe e zëmë brumin e pjekim në moment. Edhe në saç, por edhe me sobë korenti. Por me saç është më tradicionalja nga ana jonë", tha amvisa Dhurata Shuli.

"Paçë, djath, domate, byrek lakror me lakra. Sekreti është që kulaçi bëhet në teri", tha një tjetër amvisë.

Në festë u ekspozuan edhe mjete të vjetra të përdorura dikur nga familjet mokrare. Mes tyre, mulliri prej guri për bluarjen e grurit, i cili vihej në punë vetëm me forcën e krahut.

Shefqet Lushka tregon se mjete të tilla janë ruajtur brez pas brezi dhe disa prej tyre datojnë, sipas tij, prej 300 deri në 400 vitesh.

"Ai që e ka prodhuar këtë ka qenë nga kjo zonë dhe e ka quajtur Mokër dhe fshati ka marrë emrin e saj", tha banori Shefqet Lushka.

Festa e cila po kthehet si pjesë e traditës shërben dhe si një pikëtakimi për mokrarët e shpërndarë në Shqipëri dhe jashtë saj.

Organizime të tilla duket se po shtyn dhe pushtetin vendore drejt investimeve të reja në infrastrukturen e zonës.

"Edhe për Mokrën e sipërme, pavarësisht se kemi mbaruar atë me rrugë të bardha, ne do të bëjmë përpjekje për t'o hedhur një shtresë me asfalt", tha mes të tjerash Ilir Xhakolli, kryetar i Bashkisë Pogradec.

Mokra n’festë organizohet për të shtatin vit si një aktivitet që synon bashkimin promovimin dhe rikthimin e vemendjes drejt vendlindjes.