Policia ka arrestuar 4 militantë të Sali Berishës, pas protestës së dhunshme të organizuar mbrëmjen e djeshme nga Partia Demokratike. Personat e arrestuar janë Leonardo Marku, Robespier Dervishaj, Doris Rista dhe Sergei Rapo.

Ndërkohë Policia dorëzoi materialet në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) edhe për deputetin 'organizator' Klevis Balliu, i cili dyshohet se ka shkelur ligjin “Për Përgjegjësinë Penale të Personave Juridikë” si dhe për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

Kjo është hera e parë që Policia referon materialet në SPAK, lidhur me protestat e dhunshme të PD-së. Menjëherë pas protestës së mbrëmjes së djeshme, Policia shoqëroi në Komisariat mbi 10 persona, pas dyshimeve se ishin të përfshirë në akte dhune.

Në protestën e 28 shkurtit mbizotëroi kaosi dhe dhuna, ku militantët e Berishës sulmuan me molotovë vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha (brenda së cilës ndodheshin 7 artistë dhe disa pjesëtarë të stafit), bizneset private dhe koshat e mbeturinave.

Po ashtu pati edhe përplasje mes militantëve dhe Policisë, përkatësisht përballë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe në zonën e ish-Bllokut, ku efektivët u goditën me gurë dhe sende të forta.

Në protestën e djeshme, ndryshe nga tubimet e organizuara herë të tjera, nuk kishte fjalime politike në podium, por u zhvillua një marshim në zona të ndryshme të Tiranës dhe në një moment kur po mendohej se gjithçka po shkonte më qetë se herët e kaluara, militantët e Berishës zbrazën breshëri molotovësh e fishekzjarresh te vila e Enver Hoxhës.

Kujtojmë se protestat fundit të organizuara nga Berisha janë kthyer në një rutinë ku përdoret dhunë dhe goditen me molotovë dhe sende të forta efektivët e Policisë, por edhe institucionet dhe prona private.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:57
Çfarë nuk u pa nga protesta e djeshme e PD, militantët e Berishës nuk kursejnë as makinat me molotovë

 

Protesta e Partisë Demokratike mbrëmjen e djeshme u shoqërua me akte të shumta dhune dhe hedhje të molotovëve e fishekzjarrëve në drejtim të vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha (sot qendër kulture), disa bizneseve private dhe koshave të plehrave.

Por ajo që kaloi pa marrë vëmendje gjatë protestës së djeshme, është se militantët e Berishës hodhën molotovë edhe pranë disa makinave të parkuara, duke rrezikuar shkrumbimin e tyre.

Në pamjet e siguruara nga Report TV, duket qartë në disa raste që militantët kanë hedhur molotovë pranë gomave të makinave që kanë qenë të parkuara në zonën e ish-Bllokut.

Ndërkohë në një fotografi të publikuar nga vetë Partia Demokratike, duken qartë 2 persona, të cilët ndodhen brenda ‘Vilës 31’ në momentin e sulmit me molotovë nga ithtarët e Berishës.

1772369935_xgfhjuyy.jpeg

Pamje nga 'Vila 31' ku duken qartë 2 persona brenda gjatë sulmit
Ora 10:17
Të miturit në protestën e Berishës i gjendet municion për armë sportive, nisin hetimet

1772316989_zdfhgyhjjjj.JPG

Pas protestës së dhunshme të zhvilluar nga PD mbrëmjen e djeshme, kanë nisur hetimet edhe për një 16-vjeçar.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se të miturit iu gjet me vete municion i dyshuar për armë sportive.

Ndërkohë pas akteve të dhunës dhe molotovëve të hedhur te vila e Enver Hoxhës nga militantët e Berishës gjatë protestës së PD, Policia po kqyr pamjet filmike për të identifikuar personat e tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Njoftimi i Policisë:

DVP Tiranë-Në lidhje me protestën e organizuar mesditën e djeshme, më datë 28.02.2026, në orën 18:00, thirrur nga subjekti politik Partia Demokratike, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale, arrestoi shtetasit:

L. M., 20 vjeç, R. D., 33 vjeç, D. R., 21 vjeç dhe S. R., 36 vjeç, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se këta shtetas, gjatë protestës, kanë ushtruar akte të dhunshme, kanë kundërshtuar punonjësit e policisë, si dhe kanë hedhur lëndë piroteknike dhe molotov në drejtim të punonjësve të policisë dhe të Vilës 31, në momentin kur në ambientet e saj ndodheshin persona brenda, shtetas të huaj, duke rrezikuar sigurinë e tyre. Si pasojë janë shkaktuar dëmtime në këtë godinë, si dhe janë dëmtuar 32 kosha mbeturinash të vendosura nga Bashkia Tiranë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar objekte dhe sende të hedhura (molotovë dhe lëndë piroteknike), të cilat janë dërguar për ekspertime të mëtejshme kriminalistike.

Më tej, është proceduar në gjendje të lirë një shtetas i mitur, 16 vjeç, pasi iu gjet me vete municion i dyshuar për armë sportive.

Si dhe u referuan materialet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shtetasin K. B., deputet, pasi ka shkelur ligjin nr. 9754, datë 14.06.2007 “Për Përgjegjësinë Penale të Personave Juridikë” si dhe për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

Gjithashtu, janë administruar pamjet filmike të protestës dhe vijon këqyrja e tyre për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.