Militantët e Berishës kanë hedhur në mënyrë të vazhdueshme molotovë, teksa janë drejtuar nga godina e Kryeministrisë për te godina e Drejtorisë Qëndrore të Policisë së Shtetit.

Madje molotovë u hodhën edhe gjatë momentit kur kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte duke folur për mediat.

Berisha gjatë fjalës së tij e pranoi që militantët e tij hidhnin molotovë, por shtoi se ato ishin elementë diversiteti dhe shprehje e revoltës.

“Protesta sot ka formën e një marshimi revoltë për të shprehur zemërimin popullor ndaj qeverisë shqiptare dhe anëtarëve të saj. Pra për t’i thënë Ramës, jo një lubi, por edhe 30 lubi po të largosh, do jesh ti dhe vetëm ti objekti kryesor i revoltës popullore. Kazus i betejës sonë deri në largimin e tij është Edi Rama, gjeneratori i gjithë të këqijave të lidhura me regjimin e tij. Ndaj edhe largimi i njërit apo tjetrit përbëjnë vetëm përpjekjet e dëshpëruara të tij për të ruajtur lëkurën e tij.

Këto molotovë janë elementë diversiteti. Këto janë shpërthime të revoltës si mund ta shihni. Aty është një nga kryebanditët e narkoshtetit që quhet Ilir Proda. Ndaj edhe revolta shkon aty për t’i thënë atij se aq sa e ka të ardhmen Edi Rama, aq e ke edhe ti. Në zyrën e tij është edhe Ergys Agasi. Kjo nuk është revoltë ndaj policëve të thjeshtë, por ndaj këtij banditi që është një nga njerëzit më të rrezikshëm të narkoshtetit”, tha mes të tjerash Berisha.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Protestë marshim/ Nga Kryeministria, Berisha dhe militantët te Policia e Shtetit dhe e Tiranës! Breshëri molotovësh te Vila e ish-diktatorit Hoxha