Banorët në kompleksin “Kadiu” në zonën e “Ali Demit” janë tmerruar mbrëmjen e së dielës për shkak të një zjarri që ka rënë në një prej pallateve.

Dyshohet se flakët mund të kenë nisur nga një shkëndijë elektrike që ka përfshirë kabinën e automateve elektrike. Ambientet e pallatit janë mbushur me tym duke vënë në rrezik jetën e banorëve, të cilët pas aktivizimit të alarmit, kanë dalë me nxitim dhe të frikësuar.

Në pamje, shihet teksa shërbimet zjarrfikëse evakuojnë banorët. Nuk raportohet për të lënduar.

Fatmirësisht, zjarrfikësit kanë arritur të neutralizojnë flakët, ndërsa ende nuk ka një informacion zyrtar mbi dëmet e shkaktuara.

Ngjarja në pallatin e kompleksit “Kadiu” vjen vetëm një muaj pas zjarrit te “Arlis” përballë QSUT që shkrumboi gjithë pallatin duke rrezikuar dhjetëra banorë, ndërsa një pjesë prej tyre përfunduan në spital.