Mes përplasjeve dhe akteve të dhunës që kanë shoqëruar ditën e katërt të protestës në Tiranë, nuk kanë munguar as momentet e paqes mes protestuesve dhe Policisë.
Një grup protestuesish kanë ngritur duart lart dhe më pas edhe i shtërnguan me efektivët, duke thirrur “Jemi në paqe, policia është me ne”, ndërsa njëra prej tyre, me flamurin kombëtar në duar, është afruar drejt Policisë.
Disa të tjerë janë ulur këmbëkryq në rrugë dhe kanë kënduar himnin kombëtar. Dhe menjëherë më pas “refreni” i protestës “Rama jepe dorëheqjen”.
Një prej protestuesve, në një prononcim për gazetaren e Report Tv, Raziela Myslimaj tha se edhe Policia duhet të bëhet bashkë me protestuesit.
“Si protestuesit, si policia, duhet të jemi të gjithë bashkë. Ai që ndahet prej shqiptarit nuk është shqiptar. Duhet të jemi të gjithë bashkë, nëse duam të ecim përpara”, u shpreh ai.
Ata po ashtu ndaluan një protestues të qëllonte me gurë në drejtim të efektivëve, duke i thënë "jemi në paqe".
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Protesta/ Pas sulmeve me breshëri gurësh, protestuesit ‘paqe’ me policët, u japin ujë! Rikthehen sërish te Kryeministria





