24 marsi shënoi ditëlindjen e ish-presidentit Ilir Meta. Kjo ngjarje nuk është anashkaluar nga ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, e cila e uroi gjatë spektaklit të së martës të “Big Brother VIP”.
Ajo tha se pavarësisht të gjithave nuk mund t’i hedhë poshtë 33 vitet e kaluara me të, duke shpresuar edhe në lirimin dhe kthimin e tij në politikë.
“24 marsi është ditëlindja e babait të fëmijëve të mi, ish-bashkëshortit tim dhe e presidentit të PL-së. Patjetër që urohet, pavarësisht gjërave, unë nuk mohoj 33 vite të jetës sime dhe luftës politike bashkë me të. Përfitoj nga rasti, t’i uroj ditëlindjen, lirim sa më të shpejtë dhe t’i kthehet jetës politike”, tha Monika Kryemadhi.
Të martën, GJKKO e rrëzoi kërkesën e Metës për të lënë qelinë. Ai kërkoi edhe zëvendësimin e masës së sigurisë kundrejt një garancie financiare prej 50 mijë eurosh.
Ish-presidenti mbahet në burg që prej tetorit 2024 dhe përballet me akuza për korrupsion në lidhje me aferën CEZ-DIA, kontrata lobuese të LSI-së në SHBA, si dhe për pastrim parash e fshehje pasurie. Dosja ndaj tij dhe ish bashkëshortes Kryemadhi, tashmë është kaluar në gjykim në themel dhe pritet hedhja e shortit.
Komente









