Monitorimi mjedisor, BE
2 mln euro per Shqiperine

TIRANE- Ministria e Mjedisit dhe Universiteti Bujqësor i Kamzës tani kanë pajisje moderne për të kryer analiza të cilësisë së tokës, falë një projekti të financuar nga Bashkimi Evropian për të forcuar sistemin e monitorimit mjedisor në Shqipëri. Pajisjet u mundësojnë specialistëve në Universitetin e Kamzës dhe Ministrinë e Mjedisit nxjerrjen e të dhënave të besueshme mbi cilësinë e tokës në Shqipëri, çka përbën themelet e politikave bujqësore dhe produktivitetit. Nëpërmjet këtij projekti Bashkimi Evropian përkrah një sistem tërësor të monitorimit të mjedisit në Shqipëri, që do të përfshijë edhe cilësinë e ajrit, ujit, dhe biodiversitetin. Sistemi jo vetëm që do të lejojë që Shqipëria të ketë të dhëna të sakta mbi gjendjen e mjedisit të saj, por do të mundësojë edhe formulimin e politikave të duhura dhe të informuara për të adresuar shqetësimet mjedisore dhe ta bërë rritjen ekonomike të vendit të qëndrueshme për brezat r ardhshëm.

Nxitja e rritjes ekonomike në mënyra që mbrojnë mjedisin është një element kryesor i politikave të BE-së pasi sakrifikimi i mjedisit për përfitime ekonomike afat-shkurtra rrezikon vetë vazhdimësinë e kushteve të nevojshme për një jetë të shëndetshme për brezat e ardhshëm. BE-ja është në pararojë të përpjekjeve për mbrojtjen e mjedisit në nivel botëror dhe përvoja e saj ka treguar se mbrojtja e mjedisit nuk nënkupton sakrifica në ekonomi. Përkundrazi, sektori i mjedisit është një burim shumë i rëndësishëm punësimi dhe integrimi i mjedisit në të menduarit tonë mbi ekonominë ka ndryshuar modelet e biznesit në mënyra që e rrisin ekonominë. Asistenca e BE për Shqipërinë në këtë fushë mbulon një sërë çështjesh themelore, duke përfshirë sistemet e ujërave të bardha dhe të zeza, menaxhimin e mbeturinave dhe kontrollin e ndotjes. Të dhëna të besueshme për tregues mjedisorë si cilësia e ajrit, ujit dhe tokës janë të rëndësishme për zhvillimin e politikave të përshtatshme për të përmirësuar kushtet e jetesës për qytetarët. Prandaj, përmes këtij projekti prej 2 milion euro, BE-ja po ndihmon Shqipërinë në forcimin e sistemit të saj të Monitorimit Mjedisor, nëpërmjet zhvillimit të legjislacionit dhe të sigurimit të pajisjeve shkencore. Pajisjet e vendosura tashmë në Universitetin Bujqësor të Kamzës janë një mjet i rëndësishëm në duart e specialistëve shqiptarë për të gjeneruar të dhëna për cilësinë e tokës që mund të nxisin rritjen e prodhimit bujqësor dhe produktivitetit. Projekti synon të ndihmojë Shqipërinë të miratojë dhe të zbatojë parimet dhe standardet mjedisore të BE-së.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Incidenti me Osmanin në aeroport, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Iu kërkua të kalonte telefonin në skaner, sigurimi i saj kërcënoi punonjësit