Monografia “Liqenet akullnajore të Shqipërisë”, e hartuar nga prof. dr. Perikli Qiriazi, dr. Adriatik Balla dhe dr. Florian Fusha, përbën një nga veprat më të rëndësishme të dekadave të fundit në fushën e gjeografisë fizike dhe studimeve mjedisore shqiptare; është një ndër botimet më të plota dhe tërësore që i janë kushtuar ndonjëherë natyrës së Shqipërisë. Ky vëllim i përmasave të gjera, i botuar nën kujdesin shkencor të Akademisë së Shkencave, përfaqëson një sintezë enciklopedike të kërkimeve limnologjike, gjeomorfologjike dhe ekologjike, duke e renditur ndër veprat themelore të gjeografisë shqiptare bashkëkohore. Në thelb të saj qëndron një përpjekje e gjerë dhe e sistematizuar për të dokumentuar, analizuar dhe interpretuar një pjesë të veçantë të trashëgimisë natyrore të vendit - liqenet akullnajore, që jënë relikte të drejtpërdrejta të epokës së fundit akullnajore (Pleistoceni i vonë) dhe një dëshmi e rrallë e evolucionit morfologjik të maleve shqiptare.
Në kontekstin shkencor bashkëkohor, kjo monografi vjen si një përgjigje ndaj mungesës së studimeve të plota dhe të integruara mbi sistemet limnologjike të origjinës akullnajore në territorin shqiptar. Autorët arrijnë të ndërthurin me sukses traditën e gjeomorfologjisë klasike me mjetet e reja të teknologjisë bashkëkohore, si imazhet satelitore me rezolucion të lartë dhe analizat morfometrike digjitale. Ky kombinim e vendos studimin në një nivel të krahasueshëm me literaturën europiane dhe ndërkombëtare, duke e integruar Shqipërinë në rrjetin e kërkimeve moderne për trashëgiminë glaciare të Evropës Juglindore.
Në këtë kuptim, vepra jo vetëm që plotëson një boshllëk të rëndësishëm në literaturën shkencore vendase, por edhe ndërton një urë të re midis kërkimit akademik, ruajtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Qasja metodologjike dhe burimet
Në radhë të parë, libri mbështetet mbi një metodologji të qartë shkencore, që dallohet nga një qasje ndërdisiplinore, që ndërthur gjeografia fizike, limnologjia, paleogjeografia, ekologjia malore dhe trashëgimia kulturore. Autorët - Prof. dr. Perikli Qiriazi, pionier i studimeve fizikogjeografike shqiptare; dr. Adriatik Balla, me formim të gjerë në gjeografi dhe përvojë kërkimore në terren, si dhe dr. Florian Fusha, studiues i rinjohur i Alpeve dhe i trashëgimisë natyrore - kanë arritur të ndërtojnë një mozaik të gjerë të peizazhit akullnajor shqiptar, me detaje të dokumentuara, harta, tabela dhe imazhe satelitore që e bëjnë veprën një atlas të plotë natyror. Për këtë ata kanë ndërtuar një bazë të gjerë të dhënash që mbështetet në: vëzhgime të drejtpërdrejta në terren; matje morfometrike (thellësia, sipërfaqja, volumi, shtrirja); analiza fizike të ujërave dhe të regjimit të niveleve; përdorimin e imazheve satelitore dhe hartave topografike bashkëkohore, si dhe shfrytëzimin e burimeve historike dhe dokumenteve të ekspeditave të shumta gjeografike.
Qasja e ndërthurur e autorëve është e trefishtë: deskriptive, në kuptimin e përshkrimit të hollësishëm të çdo liqeni; analitike, në evidentimin e proceseve dhe faktorëve që kanë ndikuar në formimin dhe evolucionin e tyre; dhe normative, në nxitjen e politikave për ruajtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të këtyre ekosistemeve. Ky kombinim metodash e kthen monografinë në një model të kërkimit shkencor të integruar, ku gjeografia fizike ndërthuret me ekologjinë dhe planifikimin hapësinor
Struktura dhe organizimi i punimit
Vepra është strukturuar në mënyrë logjike dhe progresive, duke e udhëhequr lexuesin nga konceptet teorike drejt analizave konkrete. Struktura përfshin:
- Kapitullin hyrës mbi konceptet themelore të liqeneve akullnajore dhe tipologjinë e tyre në kuadër të formave glaciare;
- Rishikimin historik të studimeve të huaja dhe vendase mbi liqenet malore shqiptare;
- Inventarizimin dhe klasifikimin e liqeneve akullnajore sipas njësive malore, si: Lura, Korabi, Jezerca, Biza, Valbona, Shebeniku etj.;
- Analizat morfometrike dhe limnologjike, ku për secilin grup liqenesh jepen të dhëna të hollësishme mbi shtrirjen, thellësinë, origjinën dhe karakteristikat hidrologjike;
- Vlerësimin e gjendjes mjedisore e ndikimeve antropike, duke evidentuar faktorët e degradimit;
- Analizën e potencialeve ekonomike dhe turistike të zonave përreth;
- Përfundimet dhe rekomandimet për mbrojtjen ligjore dhe menaxhimin e qëndrueshëm.
Në total, autorët kanë evidentuar 223 liqene akullnajore, të ndara sipas njësive morfologjike dhe vargmaleve kryesore. Kjo strukturë e qartë e bën monografinë një instrument referimi për kërkuesit shkencorë, mësuesit, planifikuesit territorialë dhe institucionet e mbrojtjes së mjedisit.
Kontributi shkencor dhe inovativ
Vlera më e madhe e kësaj monografie qëndron në kontributin e saj të shumëfishtë shkencor. Ajo përditëson të dhënat mbi: origjinën dhe zhvillimin e liqeneve akullnajore; shtrirjen gjeografike dhe kufijtë e veprimtarisë glaciare në Shqipëri; klasifikimin morfometrik dhe hidrografik, si dhe tipologjinë limnologjike të secilit grup liqenesh.
Autorët kanë arritur të përcaktojnë me saktësi kufirin altitudinal të veprimtarisë akullnajore (rreth 1300–2500 m mbi nivelin e detit), duke ndihmuar në rishikimin e hartave morfogjenetike të Shqipërisë.
Një risi e veçantë është edhe koncepti i Atlasit të Liqeneve Akullnajore të Shqipërisë, që buron nga ky studim dhe shërben si bazë për ndërtimin e një platforme digjitale të monitorimit dhe ruajtjes së tyre.
Në monografi, autorët, për herë të parë, sjellin një qasje krejtësisht origjinale: lidhjen e liqeneve akullnajore me mitologjinë dhe traditën shqiptare. Kjo pjesë është një ndërthurje e rrallë mes gjeografisë dhe etnologjisë, ku liqenet paraqiten jo vetëm si forma fizike, por si pjesë e simbolikës popullore, të personifikuara nga figura si “Floçka - Nusja e ujërave”, “Shtojzovallet”, “Zana” apo “Vidasusi”. Për herë të parë, liqenet shqiptare përfshihen në analizën e trashëgimisë shpirtërore së bashku me artin popullor dhe toponiminë e tyre. Kështu, autorët japin një dimension njerëzor e shpirtëror studimit të liqeneve, një prurje e re, që rrallë haset në monografi gjeografike. Ky trajtim i ri, me të drejtë, i cilëson liqenet si pasuri edhe kulturore e mitologjike.
Monografia mbyllet me Kartotekën e liqeneve akullnajore, që është një inventar i plotë kombëtar. Këtu janë regjistruar liqenet sipas bashkive dhe sipas rendit alfabetik, me të dhëna për çdo objekt: pozicioni, përmasat, origjina, statusi mjedisor dhe lidhjet me rrjetin hidrografik. Ky syth e kthen monografinë në një manual referimi, libër tavoline për institucionet shtetërore, për studiuesit dhe për të gjithë ata që merren me planifikimin e territorit, mjedisit dhe turizmit.
Dimensioni mjedisor dhe ekonomik
Një aspekt me rëndësi thelbësore në vepër është vlerësimi i gjendjes mjedisore të liqeneve dhe ndikimeve të faktorëve antropikë dhe klimatikë. Autorët evidentojnë se rreth gjysma e liqeneve akullnajore ndodhen sot në faza të ndryshme degradimi, për shkak të: ndotjes nga aktivitetet turistike dhe bujqësore; ndërtimit të rrugëve dhe ndërhyrjeve në shtratin e ujërave; ndryshimeve klimatike, që kanë çuar në tharjen graduale të disa baseneve. Në këtë kuadër, monografia ngre një alarm shkencor për mbrojtjen ligjore të liqeneve, duke propozuar që ato të përfshihen në kategorinë e “Monumenteve të Natyrës”.
Përveç aspektit mjedisor, autorët theksojnë edhe potencialin ekonomik të liqeneve, sidomos për zhvillimin e turizmit malor të qëndrueshëm, edukimin mjedisor dhe ekoturizmin. Ky vizion e lidh gjeografinë me zhvillimin rajonal dhe e bën studimin të vlefshëm edhe për politikat publike.
Vlerë të madhe ka krahasim me përvojat europiane, veçanërisht me Italinë, Zvicrën dhe Austrinë, ku liqenet akullnajore menaxhohen në kuadër të parqeve kombëtare dhe strategjive të turizmit ekologjik. Veçanërisht i rëndësishëm është rasti i Parkut Kombëtar “Gran Paradiso”, që shërben si shembull për ndërtimin e një sistemi të integruar të ruajtjes, studimit dhe zhvillimit.
Autoret propozojnë një model të ngjashëm për Shqipërinë, ku liqenet akullnajore mund të shndërrohen në laboratorë të hapur për kërkime shkencore, turizëm malor dhe edukim mjedisor. Kjo pjesë shënon kalimin nga studimi deskriptiv në qasje aplikative, duke ofruar udhëzime konkrete për politikat e ardhshme.
Dimensioni kulturor dhe simbolik
Përtej dimensionit shkencor, monografia bart edhe një vlerë kulturore dhe filozofike të veçantë. Liqenet akullnajore shihen jo vetëm si objekte natyrore, por si “kujtesë e ngrirë e natyrës shqiptare”- dëshmi e marrëdhënies së gjatë midis njeriut dhe mjedisit alpin.
Autorët, sidomos në përshkrimin e liqeneve të Lurës, i japin veprës një ton reflektues dhe estetik, duke i paraqitur liqenet si laboratorë të hapur për shkencën dhe simbol shpirtëror i harmonisë ekologjike. Kjo ndërthurje midis racionalitetit shkencor dhe poetikës së natyrës e bën librin unik në llojin e vet dhe i jep atij një dimension human që e tejkalon kufirin e thjeshtë të gjeografisë.
Në përfundim, monografia “Liqenet akullnajore të Shqipërisë” është një gur themeli në studimet e natyrës shqiptare, një testament shkencor, mjedisor dhe kulturor, që u flet jo vetëm studiuesve të fushës, por edhe brezave të ardhshëm. Ajo është një hartë e kujtesës natyrore dhe një udhërrëfyes për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave alpine. Nëpërmjet saj, autorët dëshmojnë se gjeografia nuk është vetëm shkencë e relievit, por edhe shkencë e kujtesës dhe përgjegjësisë – një thirrje për të ruajtur harmoninë midis njeriut dhe natyrës.
Ky botim e vendos gjeografinë shqiptare në një etapë të re zhvillimi dhe shërben si një shembull i shkëlqyer se si studimi shkencor mund të ndërthuret me ndjeshmërinë etike dhe përgjegjësinë mjedisore për të ardhmen e përbashkët të njerëzimit dhe natyrës.
Urime dhe suksese autorëve, Akademisë së Shkencave, gjegjësisht Njësisë së kërkimeve gjeografike!
Komente







