Deputeti Erald Kapri ngriti akuza në Kuvend për trajtim diferencial pasi nisma e tij për lehtësimin e qarkullimit të monopatinave, e depozituar prej 4 muajsh, nuk është marrë në shqyrtim.

“Jeni shumë selektiv në raport sesi trajtohen nismat e deputetëve në parlament. Për Kodin Rrugor unë kam dorëzuar një nismë në parlament që të rinjtë që qarkullojnë me monopatina të qarkullojnë lirshëm e të sigurt. Unë sjell ligjin në parlament dhe mbahet në sirtar prej të paktën 4 muajsh. Mirë që interpelancat i mohoni, na ulni në vend, por nismat merrini në konsideratë. Duam të ushtrojmë detyrën tonë kushtetuese. Është e turpshme, jemi i vetmi vend në Europë që ndalojmë të rinjtë e Shqipërisë të lëvizin me monopatina. Kam sjellë nismën dhe të futet në diskutim, s’ka kuptim të futen vetëm diskutimet e PS e PD”, tha Kapri.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i tha se nisma është përfshirë në kalendar dhe duhet që komisionet të vijojnë punët.

“Nisma juaj është përfshirë në kalendar. E ka kaluar periudhën që duhet të qëndrojë në parlament. Komisionet janë të lira, të inkurajuara madje t’i shqyrtojnë të gjitha nismat. Është procedurë parlamentare, është përfshirë në kalendar. Komisionet të vijojnë punën e tyre”, ia ktheu Peleshi.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Kuvend/ Rrëzohet kërkesa e PD për interpelancë për AKSHI-n, Peleshi: Çështje nën hetim nga SPAK! Bardhi: S’ke guxim të sjellësh Ramën