ITALI - Duke folur me rastin e publikimit të librit të tij më të fundit, ish-kryeministri italian Mario Monti u shpreh se italianët mund të përballojnë reformat që do të ndihmonin rritjen ekonomike të vendit. Gjithashtu ai tha se në të kaluarën qeveritë në vend nuk kishin ndërmarrë reforma nga frika se mos humbisnin mbështetësit e tyre elektoralë.

“Eshtë e kuptueshme që reformat mund të ndihmojnë vendin dhe do të ishte një hap i madh në pjekurinë e vendit që do të shtynte qeveritë e ardhshme që të jenë më të guximshme. Unë kam përshtypjen se ne nuk po i shmangemi qeverisjes por reformave serioze”, deklaroi Monti.

“Demokracia në Evropë” quhet libri i fundit i Montit shkruar së bashku me autoren franceze, Slivi Gulard. Analistët politikë parashikojnë se pas zgjedhjeve të 24–25 shkurtit do të krijohet një qeveri e qendrës së majtë e udhëhequr nga Pierluixhi Bersani, e cila do të qeverisë e vetme ose me në koalicion me Montin.

Ky parashikim mund të risigurojë investitorët e shqetësuar nga rreziku që lideri i qendrës së djathtë Silvio Berluskoni mund të luajë një rol pas zgjedhjeve, duke e kthyer Italinë në jostabilitetit, që detyroi zëvendësimin e tij nga Monti në nëntor 2011.

Shumë mbështetës të ish-komisionerit europian e shikojnë si një pikë kyçe në qeverinë e ardhshme. Monti, i cili u angazhua në politikë menjëherë pas dorëheqjes si kryeministër i një qeverie teknike ka akuzuar paraardhësin e tij Berluskoni se e kishte çuar vendin në recesion në kohën kur dha dorëheqjen në vitin 2011.

(lc/Gre.M/Shqiptarja.com)