TIRANË, 12 Shkurt / ATSH - Pas pothuajse 40 vitesh në Urën e Abdyl Agës, pas një inspektimi të zhvilluar së fundmi nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, në kuadër të kartelizimit të objekteve të Trashëgimisë Kulturore, specialistët kanë bërë me dije se struktura është në gjëndje të mirë dhe nuk paraqet cedime apo krisje ndërsa shtresa e kalldremit mbi urë është dëmtuar, në një gjatësi 15m dhe gjerësi maksimale 2m.
Në një njoftim theksohet se duke parë terrenin dhe gjerësinë e urës kjo urë është ndërtuar për këmbësoret apo karvanet e vogla, dhe është e pamundur që në atë terren të kalojnë karro të mëdha.
Ura paraqitet në gjëndje të mirë duke llogaritur sa kohë ka kaluar nga inspektimi i fundit.
Monumenti ndodhet në Grykën e Shkallës së Zezës në Krujë ndërmjet fshatrave Barkanesh e Cudhi të malësisë së Krujës.
Sot ajo lidh fshatrat e Ranxës (Barkanesh, Këlcunjë, Buronjë, Kukaj, Mukaj, Rradhesh, Herraj) me malësinë e Krujës (Cudhi Bruz, Ranxë etj).
Nën të kalon lumi i Zezës, i cili pasi kalon Fushë Krujën i drejtohet ultësirës bregdetare. Sipas burimeve të vendit ndërtimi i urës rezulton rreth viteve 1810-1820.
Në ndërtimin e urës është përdorur gurë gëlqerorë i malit pranë.
Ngjitur me urën ruhen gjurmë kalldrëmesh mesjetarë të kohëve të ndryshme.
/k.m/ /a.g/










