Moore tha se ishte shumë e rëndësishme që rotacioni politik në Shqipëri u bë në një mënyrë të rregullt dhe tha se qeveria aktuale, ashtu si edhe ajo e kaluara janë të angazhuara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Ishte e rëndësishme që krerët e të dyja palëve, opozitës dhe qeverisë së atëhershme e bënë të qartë që do të respektonin rezultatin e zgjedhjeve dhe pikërisht kjo ndodhi, megjithëse u harxhua gjithë ajo energji duke spekuluar se votat do të vidheshin nga njëra palë ose nga tjetra”, deklaroi Moore.
Kjo, tha Moore dërgon një mesazh të rëndësishëm jo vetëm për Shtetet e Bashkuara por edhe për Bashkimin Evropian. Ai tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që vendimi, i cili nuk u mor dot, për statusin e kandidatit rekomanduar nga Komisioni Evropian, të merret këtë vit.
“Ka shumë arsye për një gjë të tillë dhe shumë opinione të ndryshme se pse ndodhi, kush votoi në favor dhe kush kundër në BE, por thelbi është se qeveria që sapo kishte ardhur në pushtet, nuk kishte kohë të bënte shumë nga mesi i shtatorit e deri kur Këshilli Evropian mori vendimin”, theksoi kreu i Zyrës për Evropën Juglindore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore.
Duke pasur parasysh se Këshilli Evropian do ta diskutojë këtë çështje përsëri në qershor, Moore tha se, në muajt në vazhdim, qeveria së bashku me opozitën, ka shansin që të punojë intensivisht për çështjet që kanë të bëjnë me shtetin ligjor.
Sipas tij, “të luftosh korrupsionin nuk do të thotë që, ata që kanë pushtetin sot të ankohen për ata që kishin pushtetin më parë. Të luftosh korrupsionin dhe të konsolidosh shtetin ligjor bëhet përmes ngritjes së akuzave nga prokororët, nëse ka nevojë për ngritje akuzash. Nuk duhet të bëhet fjalë thjesht për fajësim të paraardhësve”.
Moore tha se kjo duhet të bëhet përmes ngritjes së çështjeve nga institucionet ligjore dhe juridike. “Në Shqipëri ka shumë prokurorë dhe gjykatës të zotë dhe ata mund të merren me rastet që u parashtrohen atyre, apo kur i ngre organi i akuzës. Por këto çështje nuk duhet të diskutohen vetëm në arenën politike”, deklaroi Moore.
Moore tha se shteti ligjor do kohë të ndërtohet, por se duhen ndërmarrë hapat fillestarë. Ai përmendi si shqetësim për shqiptarët dhe komunitetin ndërkombëtar, Lazaratin, duke thënë se shteti duhet të vërë të gjithë territorin nën kontroll.
“Pika e rëndësishme, që u vu në pah edhe nga tranzicioni i qetë dhe demokratik, është se këtu nuk ka rol vetëm qeveria, por edhe opozita, pra për të gjetur mënyra për të mbështetur procesin jo vetëm duke u përpjekur të sigurohet mbështetje në BE, drejt së cilës kanë bërë një punë efektive, por ta vënë theksin tek mënyrat e bashkëpunimit”.
Ai tha se qeveria e sotme, kur ishte në opozitë, jo gjithmonë i ka mbështetur hapat që duheshin marrë nga parlamenti.
“Opozita e sotme ka premtuar se do t’i mbështesë hapat e nevojshme në parlament. Kjo duhet të vazhdojë. Qeveria duhet të gjejë një mënyrë të bashkëpunojë me opozitën, të forcojë mesazhin, që të mos shihet si një parti ose koalicion kundër tjetrit. Dhe ka një farë kohe për ta bërë një gjë të tillë, por jo edhe aq. Pra duhet vepruar së më shpejt”.
Ai theksoi se gjithsesi vendimi do të merret nga Bashkimi Evropian, por Shtetet e Bashkuara e mbështesin atë plotësisht.
“Ne jemi dakord me Parlamentin Evropian dhe struktura të tjera se Shqipëria e ka merituar statusin e kandidatit por ne nuk kemi të drejtën ta marrim këtë vendim”.
Zoti Moore vlerësoi ecurinë e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Përparimi në këtë dialog, është shumë më i madh se sa e kishte menduar gjithkush”.
Gjithsesi ai thotë se do të ketë ende punë për detajet dhe zbatimin e këtyre marrëveshjeve. Ai vlerësoi zgjedhjet komunale dhe shprehu shpresën për një proces të rregullt për zgjedhjet në komunën e Mitrovicës.
“E rëndësishme është që raundet e zgjedhjeve në Mitrovicën Veriore dhe në të gjitha komunat e Kosovës, kanë qenë në përputhje me legjislacionin e Kosovës dhe jo të ndonjë vendi tjetër”.
Zoti Moore tha se populli i Kosovës duhet të jetë krenar për sukseset që ka arritur, përfshirë marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që, siç tha ai, po e afron Kosovën me Bashkimin Evropian.
Marrë nga Zëri i Amerikës
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)