Moraliteti i abuzimit

Moraliteti i abuzimit

Foto ilustruese

Me anë të internetit, të gjithë mund të ndajnë mendimin e tyre. Fatkeqësisht, e keqja e tij është po kjo. Së fundmi mediat sociale janë përmbytur me lajme për përdhunimin e një 15-vjeçareje nga roja i shkollës së saj. Nga tërë kjo situatë kam parë të dalin në pah dy lloje qëndrimesh, njëri prej tyre mëse njerëzor dhe tjetri tepër barbar. Dhe unë dua ta shqyrtoj këtë të dytin, për shkak se fatkeqësisht, e kam parë të mbrohet, pikërisht në rrjetet sociale, edhe nga të rinjtë.Kjo ngjarje nxiti mbajtjen e një proteste me datë 4 qershor, me një pjesëmarrje të admirueshme, me vajza dhe djem, kryesisht të rinj. Mesa duket, shumë persona kanë disa gjëra tepër “interesante” për të thënë për këtë situatë (konkretisht në një video që po qarkullon nëpër Instagram, dikush shfaqet duke mbrojtur përdhunuesin), dhe unë kam shumë për të thënë në lidhje me mendimet e tyre.

Së pari, le të flasim për çdo person që ndjeka keqardhje për 65-vjeçarin e shkretë, që u provokua nga një e mitur. Sigurisht, dhe mua më vjen keq për të, por jo për të njëjtat arsye. Nuk më vjen keq që iu “shkatërrua jeta”, por për arsyen e thjeshtë që ky burrë i rritur nuk ka mjaftueshëm logjikë apo vetëkontroll, sa për të mos fjetur me një vajzë 15-vjeçare. Gjithashtu më vjen keq për çdo person që nuk arrin të kuptojë që viktima e vërtetë është vajza që ka mbetur me traumë nga abuzimi seksual, fizik, dhe psikologjik që i ushtroi ky burrë. Dhe më vjen keq për çdo person që mendon se “e provokoi vetë” e justifikon përdhunimin e një të miture. Nëse mendoni ashtu, keni ngushëllimet e mia më të përzemërta. Të njëjtët njerëz thonë dhe se “përdhunimi është thjesht një fjalë që femrat e përdorin kur duan vetë”. Në fakt, “Fjalori i shqipes së sotme”; botimet Toena (Tiranë 2002), i përpiluar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Insituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, thotë:

PËRDHUN/OJ ̴ OVA, ̴ UAR. 1. E shtrëngoj dikë me forcë që të bëjë diçka kundër dëshirës së vet; çnderoj me dhunë një vajzë a një grua. 2. Shkel rëndë një ligj etj.; dhunoj. U habita shumë, pasi prisja që fjalori të thoshte se përdhunimi s’ishte veçse një fjalë e përdorur nga femrat... ama na dilka që është problem shumë i rëndësishëm jo vetëm në Shqipëri, por kudo. Sidomos për faktin se është i vetmi krim ku fajësohet viktima. Por, duke bërë kështu, ata meshkuj a nuk pranojnë se femrat duhet të kenë kujdes të mos t’i provokojnë, pasi ata nuk janë të aftë të përmbahen?

Së dyti, shoh të gjykohen shumë femrat që vishen në mënyrë “provokuese”, si të “pamoralshme”. Ajo që më habit është vështirësia që këta gjykues hasin për të kuptuar diçka shumë të thjeshtë: femrat nuk vishen për ta. Në këtë mënyrë, ata humbasin automatikisht kur përpiqen të përdorin moralitetin për të treguar se femrat nuk duhet ta tregojnë trupin nëse nuk duan të abuzohen seksualisht. Pse kështu? Le të flasim për moralitetin. Është fjalë shumë e madhe, dhe për këtë arsye nuk mund të përdoret vend e pa vend. Në fakt, jo çdo gjë mund të quhet morale apo imorale, pasi ka rregulla. Në filozofi, që diçka të bjerë brenda sferës së moralitetit, duhet të përmbushë patjetër dy kushte: të jetë veprim i qëllimshëm dhe të ketë ndikim mbi mirëqenien e dikujt, pa përfshirë personin që e kryen. Duke ditur se lloji i ndikimit që ka përcakton sa moral apo imoral është veprimi, le të analizojmë veshjet provokative. A janë të qëllimshme? Po. Por a e ndikojnë mirëqenien e dikujt përveç femrës që vishet ashtu? Jo. Si rrjedhojë, kjo gjë nuk është as morale, as imorale. Ndaj, i tërë ky argument i lodhur në lidhje me imoralitetin e vajzave bie automatikisht.

Tani le ta çojmë një hap më tej, duke analizuar përdhunimin në të njëjtën mënyrë. Është i qëllimshëm, dhe i shkatërron jetën viktimës. Dhe kështu na del se fjala që vërtet po hidhet vërdallë vend e pa vend nuk është “përdhunim”, por “moral”… Kujt do i kishte shkuar mendja!? Së fundmi, mund të përmendim dhe një fjali tjetër që e kam dëgjuar shpesh këto ditë, si një përpjekje për t’i hequr seriozitetin ngjarjes, e cila është: “edhe djemtë dhunohen”.

Dua të jem e qartë kur them se dhuna nuk ka ndarje gjinore. Çdo vajzë është e aftë të kryejë çdo lloj krimi që mund të kryejë një djalë. Por duhet pranuar që kryesisht viktimat e dhunës dhe abuzimit seksual kanë qenë dhe janë femrat. Për më tepër, e vetmja herë që kam dëgjuar një mashkull të ngrihet kundër dhunës ndaj meshkujve është në momentin kur dhunohet një femër. A nuk është e çuditshme që kujtohen për këtë problem vetëm kur u hyn në punë? Për ta mbyllur me diçka pozitive, dua të them se protesta ishte shumë mbresëlënëse dhe më pëlqeu tej mase shfaqja e solidaritetit ndaj çdo viktime të abuzimit seksual. Ata që mbrojnë 65-vjeçarin janë minoritet. Sidoqoftë, e pashë të arsyeshme të jepja mendimin tim dhe të shpjegoja se pse nuk ka asnjë arsye për të fajësuar viktimën. Ngjan si diçka e panevojshme për t’u thënë, por ja që s’është. Së paku deri tani.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja