Morën peng biznesmenin, Italia:
Fshihen në Shqipëri,arrestojini

ROME- Prokuroria italiane firmosi sot urdhërarrestin ndërkombëtar ndaj 2 shqiptarëve të cilët dyshohet se së bashku me Simon Halilaj dhe Fabjian Vila  morën pjesë në rrëmbimin e biznesmenit italian Andrea Calevo. Historia e pengmarrjes që zgjati 15 ditë,  dhe operacioni i lirimit më 31 dhjetor në gjitha mediat italiane është në faqet kryesore dhe përditësohet orë pas ore me detaje të reja nga hetimet.

Mediat italiane zbuluan se rrëmbimi i i Calevos natën e 16 dhjetorit është kryer nga 4 shqiptarë. Simon Halilaj tashmë të arrestuar, ndërsa dy të tjerët janë ende në kërkim dhe dyshohet se janë kthyer në Shqipëri. Ndërkohë që Fabjian Vila u arrestua teksa po shoqëronte sipërmarrësin 70-vjeçar Pierluigi Destri, i cili dyshohet se është dhe organizatori i rrëmbimit.

ZBARDHET LETRA E CALEVOS PER TE EMEN
Rrëmbyesit e Andrea Calevos dhe sipërmarrësi i Lericit i liruar në fundvit po zbardhin detaje të tjera për hetuesit e ngjarjes. Koka e bandës, Pier Luigi Destri ndihej tashmë i kapur nga policia dhe për këtë arsye kishte vendosur t’ua shiste pengun njerëzve më ekspertë. Calevo do të jepej për një milion euro një klani tjetër mafioz.
Në një letër e cila është shkruar nga Calevo nën mbikëqyrje e dy shqiptarëve, ai i drejtohej të ëmës duke e siguruar se ishte mirë dhe se ajo duhet të paguante pa thënë asgjë në shtyp apo polici rreth ngjarjes. Zarfi që mbante letrën e cila iu dërguar familjarëve në 21 dhjetor, sipas “La Repubblica” mbante edhe një tjetër letër të shkruar me makinë shkrimi nga rrëmbyesit e cila paraqiste qartë nervozizmin e tyre.
Në letër shkruhej: “Zonja Calevo boll po e ekzagjeroni me policinë. Ne nuk na frikësoni dot. Por kujtohuni tani duhet të veproni ashtu siç themi ne, ndryshe djali juaj do të shitet tek një tjetër organizatë kriminale e cila ndodhet shumë larg. Paratë duhet të dorëzohen nëpërmjet një avokati që gëzon besimin e djalit tuaj”, përfundon letra në të cilën shkruhej me gabime të dukshme ortografike. Pier Luigi Destri, kapoja i bandës e kishte kuptuar se nuk ishte në gjendje të menaxhonte situatën, pasi ai dhe banda e tij ishte gati ta jepnin pengun për një shumë parash shumë më të vogël seç iu kërkua familjes, ndoshta dhe për 4 milion euro. Nga hetimet pritet të dalin detaje të reja.

ITALIA KERKON ARRESTIMIN E 2 SHQIPTAREVE

Prokuroria italiane firmosi urdhërarrestin ndërkombëtar ndaj 2 shqiptarëve, duke i hapur rrugën arrestimit të tyre në Shqipëri. Emrat e dy personave për arsye hetimi mbahen të fshehur.

SHQIPTARI I PENDUAR
Ka qenë Simon Halilaj i cili ka pranuar të bashkëpunojë me hetuesit për të zbardhur të vërtetën dhe organizatorët e rrëmbimit. Burime brenda hetimeve, të cituara nga Tg Com bëjnë të ditur se Halilaj ka bashkëpunuar dhe me 2 shqiptarë të tjerë për të rrëmbyer biznesmenin Calevo, ndërkohë që Destri e Bandoni nuk kishin marrë pjesë në fazën e rrëmbimit.

TELEKAMERA TRADHETOI PENGMARRESIT
Një telekamera sigurie e instaluar në zonën ku u rrëmbye biznesmeni italian Andrea Calevo tradhtoi rrëmbyesit. Në historinë e pengmarrjes u përfshinë katër shqiptarë, dy prej të cilëve tashmë janë arrestuar, Fabian Vila dhe Simon Halilaj. Mbrëmjen 16 dhjetorit, (2012) telekamera filmoi furgonin e bardhë të banditëve, i cili po ndiqte makinën e Calevos.

Corriere della Sera shkruan se grupi hetimor kishte mbikëqyrur të gjitha kamerat që ndodheshin në zonën ku ishte gjetur makina e sipërmarrësit të rrëmbyer. Nga pamjet është konstatuar se makina e Calevos ndiqej nga një furgon i bardhë. Më pas i njëjti furgon i bardhë është regjistruar sërish por këtë herë pa makinën e pengut.

PERGJIMET ME CIMKE
Ka mjaftuar kaq që të arrihet në pronarin e furgonit dhe më pas të nisin pëgjimet. Brenda në furgon ishte vendosur një përgjues,  ku janë regjistruar dhe bisedat shpesh me tone të egërsuara mes rrëmbyesve, të cilët kërcënojnë ta rrahin, t’i presin një gisht, apo t'i hedhin metadon në ujë që ta zërë gjumi.

KOKA E RREMBIMIT BIZNESMENI 70-VJECAR
Koka e rrëmbimit sipas policisë është sipërmarrësi 70-vjeçar Pierluigi Destri, i cili në momentin e arrestimit ishte shoqëruar me shqiptarin 20-vjeçar, Fabian Vila, që mendohet se ishte përfshirë në këtë pengmarje.

PICAT DHE KERCENIMET PER TI PRERE NJE GISHT
Strategjia e Davide Bandonit, nipit të 70-vjeçarit ishte t’i plotësonin preferencat sa i takon të ushqyerit në mënyrë që Calevo të ishte sa më i qetë. Madje ata filmohen duke blerë një pica për pengun, të cilën gjysmën ia japin atij dhe gjysmën e hanë vetë.
Po kështu Bandoni, një narkoman, vendos të shkrijë në ujë metadonin që duhet të merrte ai vetë për terapinë kundër varësisë ndaj drogës. “Nëse na e çan…. ia japim vërtet kuptove?”- përgjohet ai duke thënë në një bisedë telefonike. Po kështu kur familjarët kërkojnë prova që njeriu i tyre të ishte gjallë, Davide përgjohet duke i thënë gjyshit të tij “t’i pres një gisht”, ndërkohë që në një përgjim tjetër thoshte “Mund ta nxij pak, kam dëshirë ta rrah.”, “Jo” i përgjigjet gjyshi.

CALEVO: S’I NJIHJA RREMBYESIT
Absolutisht nuk e kam kuptuar se kush ishin, madje nuk njihja as Destrin. Më thanë se ishte një klient i imi, por unë nuk e kam njohur asnjëherë. Asnjëherë nuk kam pasur probleme me klientët dhe me asnjë. Asnjëherë nuk kam pasur kërcënim dhe nuk jam zënë asnjëherë për çështje parash. Calevo tregon se rrëmbyesit qëndronin me fytyrë të mbuluar, i jepnin për të ngrënë dhe e trajtonin mirë por pas 15 ditësh që nuk po ndodhte asgjë i thonin se mund t'i ndodhte diçka. "Ata më thonin se do të më shisnin dhe rrëmbyesit e tjerë do më trajtonin më keq”- deklaroi Kalivaro për mediat.

Biznesmeni italian 31-vjeçar u lirua më 31 dhjetor (2012) falë një operacioni të forcave speciale të Karabinierëve. Mediat italiane pohojnë se asnjë qindarkë prej 8 milionëve eurove që kishin kërkuar, nuk u është paguar rrëmbyesve.

Deri tani në pranga kanë përfunduar 4 persona mes tyre dhe shqiptarët, Fabjan Vila dhe Simon Halilaj, i cili punonte në sipërmarrjen e 70-vjeçarit Pierluigi Destri. Mendohet se në këtë rrëmbim u pëfshinë 7 persona.

itali 4 te arrestuarit
(Në foto majtas lart Davide Bandoni, majtas poshtë Pierluigi Destri, djathtas lart Simon Halilaj, djathtas poshtë Fabjan Vila)

Redaksia online
(sg/eç/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Kontrata që i shkaktoi humbjen e madhe, në Spanjë zbulojnë pse erdhi divorci i papritur i Pep Guardiolës

Kontrata që i shkaktoi humbjen e madhe, në Spanjë zbulojnë pse erdhi divorci i papritur i Pep Guardiolës