Vlorë - Brajan Habazaj, 24-vjeç ka rënë prangat e policisë së Vlorës pasi së bashku me dy të tjerë morën peng një 20-vjeçar. Bashkëpunëtorët e të riut, vëllezërit Roberto Lapa, 29 vjeç dhe Leandro Kapllani (Lapa) janë shpallur në kërkim.

"Strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Vlorë, menjëherë pas marrjes së informacionit për një shtetas që e kishin marrë me forcë në automjet, organizuan punën për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

Falë reagimit dhe veprimeve të shpejta hetimore, të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “STRIKE 2”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin B. H., 24 vjeç, banues në fshatin Risili, Vlorë, si dhe shpallën në kërkim policor shtetasit R. L., 30 vjeç dhe L. K.(L.), 34 vjeç (vëllezër), të dy banues në fshatin Risili, Vlorë", njoftoi sot policia .

Sipas hetimeve paraprake dyshohet se tre të rinjtë në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë marrë të riun me forcë në automjet dhe më pas kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij për t'i marrë 6 mijë euro.

"Nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë marrë me forcë në automjetin në përdorim të dy vëllezërve, një 20-vjeçar, dhe më pas e kanë çuar në një ambient të veçuar, ku kanë ushtruar dhunë ndaj tij, me qëllim përfitimin e shumës monetare 6000 euro. Vijon puna, në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, si dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim", thuhet më tej në njoftim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, të kryera në bashkëpunim.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë