Zbulimin e korrupsionit nga ana e ish zv.ministres së Brendshme, Rovena Voda, SPAK e ka zbuluar krejt rastësisht gjatë hetimit të një çështje tjetër. Nga përgjimet e SPAK, zbulohet se Voda ka pranuar nga avokatja Florida Beu 2 mijë euro, një telefon dhe një arkë me peshk për punësimin e saj në Ministrinë e Brendshme, por që në fund procedura mbeti në mes. Marrja e eurove dhe të mira materiale janë filmuar, përgjuar dhe fotografuar nga SPAK, ndërsa ato janë marrë në momente të ndryshme dhe jo të gjitha njëherësh.

Hetimet për çështjen tjetër kanë nisur që në 2019, ndërsa SPAK zbuloi edhe marrjen e ryshfetit nga ana e ish zv.ministres Voda.

Sipas përgjimeve të SPAK, më 13 shkurt 2020 avokatja, Florida Beu dhe Rovena Voda zhvilluan një takim avokatja u kërkoi Vodës që ta favorizonte atë  për t’u punësuar në Ministrinë e Brendshme.

“Nuk të bëjë dot shefe, por mund të të fus specialiste diku”, mësohet t’i ketë thënë Voda. Më pas ajo ka telefonuar dikë në Departamentin e Administratës Publike, duke i thënë se do e rregulloj specialiste.

Më pas është futur në lojë avokatja nga Durrësi, Majlinda Hasani, e cila ka folur me Floridën dhe sipas SPAK, Beu i kanë dhënë shumën prej 1 mijë eurosh të futur në një zarf dhe 1 mijë euro të tjera më pas. Pas këtij momenti, Florida i thotë Majlindës se i ka ngelur mendja se mos duheshin më shumë para për t’i siguruar një vend të mirë pune.

Nga përgjimet e SPAK, dëgjohet se pas këtij momenti Majlinda të ketë thënë “se leku e hedh ujin përpjetë” dhe se “tani Rovena na përgjigjet menjëherë”.

Takimi tretë është filmuar dhe është zhvilluar në Portin e Durrësit, ku ka marrë si dhuratë edhe një arkë me peshk. Nga ana tjetër dyshohet sipas SPAK që Rovena ka marr dhe një aparat telefon.

Më 28 shkurt 2020, tre gratë janë takuar në Ministrinë e Brendshme dhe Florida Beu, ka aplikuar në 11 vende punë të hapura në këtë ministri. Sipas verifikimeve, Florida Beu, nuk u shpall fituese në asnjë nga vendet ku aplikoi.

Pjesë e përgjimeve të SPAK, është edhe një bisedë me Florida beut dhe nënës së saj, duke i thënën se “lekët që do i sjell Gerti dhe do i jap diçka asaj Rovenës që ta ndjej si detyrim”.

Këto ishin prova të mjaftueshme që SPAK të kërkojë “arrest shtëpie” për Rovena Vodën, Majlinda Hasanin dhe Florida Breun, të cilat akuzohen për veprën penale "Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike".