MORINE- Rreth 1350 kilogramë kafe “robusta” dhe 8.5 ton pleh kimik kontrabandë janë sekuestruar në degën Doganore të Morinës, ndërsa janë pezulluar 4 doganierë përgjegjës. Zbulimi i këtyre produkteve u realizua nga Strukturat e Departamentit Operativo-Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave në datat 14 deri më 21.04.2014, në zbatim të një plani të detajuar antitrafik. Mallrat transportoheshin nga dy automjete të tipit “Furgon” që vinin nga Kosova dhe kishin destinacion tregun e brendshëm shqiptar.
 
Pas kontrolleve të ushtruara janë sekuestruar mallrat kontrabandë dhe mjeti transportues i “kafes robusta”.
 
Ndërkaq, janë penalizuar subjektet dhe janë pezulluar doganierët përgjegjës.
 
“Nga hetimet e kryera është konstatuar që doganierë të Degës Doganore Morinë kanë kryer veprime në kundërshtim me Kodin Doganor dhe dispozitat zbatuese të tij, me qëllim favorizimin e subjekteve për mbulimin e shkeljes doganore. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka marrë menjëherë masën e pezullimit për katër doganierët përgjegjës të Degës Doganore Morinë, të cilët do të procedohen administrativisht si dhe ka referuar çështjen për ndjekje penale pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)