Ditën e sotme, dëgjesa e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale u zhvendos në Gjirokastër.
Në këtë takim, veç dy bashkëkryetarëve të Komisionit, Arbjan Mazniku nga PS dhe Luçiano Boçi nga PD, ishte i pranishëm edhe kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule.
Gjatë fjalës së tij drejtuar Maznikut, Dule tha se nuk ishte dakord me dy tezat e Maznikut, për shkëputjen e nocionit bazë të hapësirës dhe që Reforma Territoriale nuk duhej nisur nga kufijtë.
Po ashtu, shqetësim tjetër për Dulen ishte edhe mungesa e përfaqësimit në këshillat bashkiak të Gjirokastrës të disa ish-komunave në jug të vendit.
“Do doja të shprehja nja dy ide, duke u nisur me një kundërshtim kategorik të tezës së shprehur nga zoti Mazniku, që pretendon të na shkëpusë nga nocioni bazë i hapësirës. Nuk duhet të nisemi nga kufijtë. Por asgjë nuk mund të analizohet në të ardhmen pa pasur parasysh dimension e ‘ku’. Më shqetëson një fakt, shumë thelbësor, edhe pushtetin vendor ideal të kemi në funksionin e tij, edhe administrimin e tij ta kemi të përsosur, edhe kufij ideal të kemi, nëse nuk funksionon demokracia jemi të dështuar. Ne i shmangemi demokracisë, që është përfaqësimi. Më thoni në këtë bashki që jemi sot, a përfaqësohet në këshillin bashkiak ish-komuna e Picarit, Antigonëse, Lunxhërisë? Kush do përcjellë zërin e tyre në Këshillin Bashkiak?”, tha mes të tjerash Dule.
Nga ana tjetër, Mazniku në përgjigjen e dhënë ndaj tij, tha se kur flasim vetëm për territorin, nuk shkohet gjëkundi, pasi sipas tij, problemi që duhet zgjidhur është mundësia për të ofruar shërbime për qytetarët.
“Ky është një diskutim i parë, do të kemi mundësi të bëjmë edhe diskutime të tjera, por bashkë me bashkëdrejtuesin e Reformës menduam që të marrim mendime të qytetarëve. Zoti Dule tha që duhet të diskutojmë territorin pa kompetencat. Unë nuk them që nuk duhet të diskutojmë territorin pa kompetencat, pasi kur flasim vetëm për territorin, pa kompetencat nuk shkojmë gjëkundi, sepse duhet të kemi mundësi për të ofruar shërbimin. Unë ju dëgjova të gjithëve pa thënë asnjë fjali, do them argumentin sesi e mendoj unë dhe unë fola vetëm për një shërbim që është ndërtimi i rrugëve, por po kur flasim për pastrimin? Shërbimin social? Çështja është arsyeja pse është e rëndësishme për të folur për kompetencat, për të parë a i kemi shërbimet dhe burimet financiare për këto shërbime? Ndaj them që diskutimi niset nga shërbimet”, iu përgjigj Mazniku-Dules.
Dule nga ana tjetër i cilësoi deklaratat e Maznikut si ‘sofizma’ dhe i kërkoi që të mos abuzonte me fjalët e tij.
‘Këto janë sofizma, nuk mund të abuzoni me sofizma’, iu përgjigj Dule-Maznikut.
Më pas në debatin mes Dules dhe Maznikut ndërhyri edhe bashkëkryetari demokrat i Komisionit, Luçiano Boçi, i cili tha se pushteti lokal është përfaqësim, shërbim, autonomi financiare, demokraci dhe decentralizim.
“Është e natyrshme të ketë debate dhe qëndrime të ndryshme, por pushteti lokal është përfaqësim, shërbim, autonomi financiare, demokraci dhe decentralizim, këtu duhet të përqendrohemi”, tha mes të tjerash Boçi.
Komisioni për Reformën Administrativo- Territoriale ka vijuar me dëgjesën e radhës konsultuese publike në Gjirokastër, ku ndryshe nga tensionet e fundit politike, atmosfera ka qenë e qetë dhe bashkëpunuese, duke nënvizuar gjërat dhe problematikat në shërbime dhe funksione të bashkive.
Bashkëkryetari i komisionit, Arbjan Mazniku, u ndal te perspektiva europiane e vendit, duke theksuar se vitin tjetër synojnë të mbyllin negociatat me Bashkimin Europian, teksa në 2028-2029, ekziston një mundësi që Shqipëria të bëhet anëtare e BE.
“Në vitin 2027 ne synojmë të mbyllim negociatat me Bashkimin Europian. Më pas, në 2028–2029, ekziston një mundësi reale që Shqipëria të bëhet anëtare e BE. Në atë moment do të kemi mundësinë të tërheqim një sasi të konsiderueshme financimi përmes programeve të rëndësishme si ai i kohezionit dhe fondet strukturore. Por këto nuk janë para që vijnë vetë – kërkojnë struktura vendore të afta, me kapacitete njerëzore dhe menaxheriale të certifikuara nga BE”, tha ai.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit politik, duke vlerësuar faktin që diskutimet po zhvillohen me pjesëmarrjen e të gjitha palëve.
“Ja kemi dalë mbanë pas një seri diskutimesh që të jemi bashkarish këtu me opozitën. Besoj shumë fort që një reformë e tillë mund dhe duhet të bëhet me bashkëpunim”, theksoi Mazniku.
Ndërkohë, njëri nga anëtarët e Këshillit Bashkiak vlerësoi klimën e dialogut duke thënë se “Është hera e parë që nga vitet ’90 që e majta dhe e djathta mblidhen në një sallë, pa sherre dhe pa tensione, për të diskutuar për diçka që na prek të gjithëve.”
Komente











Shkodres dhe malesise i jane hequr padrejtesisht territore duke iu dhene lezhes, pukes dhe tropojes do ishte shume me funksional nje forcim i rrenjeve te ketyre zonave edhe ne zhvillimin e tyre rajonal dhe sidomos turizmit me produktet tipike bujqesore dhe blegtorale te cdo krahine. Pak rendesi ka e quajne Shkodra e madhe apo autoktone eshte nje zone po aq e rendesishme sa Mirdita me rrethinat e veta tipike
Përgjigju