'Mos flet shoferi se gjermanet jan te hidhur shok... Ma shum kena fitu se hum ' Zbardhen përgjimet e shefit të krimeve Dedan GJonit me Albert Prengën për ngarkesën me 166 kg drogë e kapur në Gjermani

Në dosjen e siguruar nga Report Tv dhe Shqiptarja.com flitet për episodin e zbulimit të sasisë prej 166 kg marihuanë në Erwitte, nisur nga Spanja nëpërmjet Francës dhe Luksemburgut me destinacion final Gjermaninë.

Droga u sekuestrua më 3 nëntor 2020. Kjo lëndë narkotike ishte ngarkuar në kamion, që drejtohej nga shtetasi shqiptar Bajram Grabova.

Në dosje shkruhet se nga përmbajtja e komunikimeve mes bashkëbiseduesve të paidentifikuar, rezulton se Albert Prenga është “porositës dhe bashkëfinancues në trafikimin e një sasie lënde narkotike e llojit marihuanë, në bashkëpunim me shtetas të tjerë shqiptar të paidentifikuar”

Rreth datës 21.10.2020 Albert Prenga nis të sigurojë sasi të lëndës narkotike, e dyshuar e llojit marihuanë në disa qytete të Spanjës. Pas sigurimit të kësaj lënde narkotike, transporti i saj realizohet nga shtetas shqiptar të paidentifikuar, të cilët bashkëpunojnë me njeri-tjetrin duke përdorur këtë skemë: 2 persona udhëtojnë të parët në një automjet të "pastër", i cili nuk ka lëndë narkotike në brendësi të tij, me qëllim kontrollimin e rrugës nëse ka prezencë të policisë apo organeve të tjera ligjzbatuese, të cilët kanë si detyrë kontrollin e automjeteve.

Gjatë gjithë udhëtimit ata komunikojnë në aplikacionin SkyECC dhe makina që transporton sasinë e lëndës narkotike, drejtohet nga udhëzimet e dhëna nga makina e parë.  Në këtë mënyrë ata realizojnë transportin e sigurtë të lëndës narkotike në destinacion, me qëllim trafikimin e saj.

Pas sigurimit, grumbullimit, paketimit të lëndës narkotike të dyshuar e llojit marihuanë, transportohet rreth datës 31.10.2023 me kamion drejt Gjermanisë. Internerari i ndjekur është nisja nga Spanja, nëpërmjet Francës dhe me destinacion final Gjermaninë. Transporti i lëndës narkotike realizohet nëpërmjet një kamioni, në të cilën është shofer shtetasi Bajram Grabova.

Nga analiza e bisedave dhe këqyrja e të dhënave të sistemit TIMS, rezulton se shtetasi Bajram Grabova udhëton drejt Spanjës dhe mbërrin me datë 25.10.2020, ku do të pritet në port nga përdoruesi AUKVIK, i paidentifikuar.  

Pjesë e kësaj droge kishte destinacion edhe Kosovën. Në këtë trafik del dhe emri i shefit të komisariatit nr 6 Dedan Gjoni  arrestuar më 20 nëntor 2023 së bashku me ish nëndrejtorin e policisë së Tiranës Erzen Breçani.

Në episodin e zbardhur nga aplikacioni Sky ECC Albert Prenga komunikon me shefin e Krimeve, Dedan Gjoni dhe i tregon se ka humbur ngarkesën me drogë në Hanover të Gjermanisë. Shefi i krimeve, Gjoni e ngushëllon, duke i thënë se nëse i bëjnë llogaritë më shumë kanë fituar se kanë humbur.

Pergjimi

Më 21 tetor 2020 Albert Prenga komunikon me një përdorues C8BCF9, i paidentifikuar, në lidhje me sigurimin e lëndës narkotike dhe dyshohet se janë organizues të trafikimit të saj CMMN6S.

CMMN6S (Albert Prenga) E jan 11 kile tujat e 50 te miat me u ble... Vec kam marr tel ne valencja...
C8BCF9 (I paidentifikuar): Po nuk harrove thuaju tjua vejne nje shenim atyre pakove te mija qe ta dime ca jane...

CMMN6S (Albert Prenga) Po shok i them un nipit.".

Gjatë komunikimit zbulohet se droga ishte dhe për tu dërguar në Kosovë

CMMN6S (Albert Prenga) -Dy te zezat jan per kosoven... Shok kto ganta do marrish...E kto tjerat jan tonat...Ktu jan 39 kile ...

UFFVKQ- (I paidentifikuar) Jan me shkronja shok....Se kshu spo i dalloj dot..

CMMN6S -Po jan 4 qanta ngjyr tjeter... E dy te kosoves jan te zeza...

Më 28 tetor 2020 në skyECC komunikohet dhe mes Albert Prengës dhe Dedan Gjonit i cili në aplikacion është identifikuar si DMI6CF

Në orën 16:55, në vijim të komunikimeve Dedan Gjoni, i ka dërguar Albert Prenga 2 (dy) fotografi. Në njërën nga këto fotografi dallohet një paketim drejtkëndësh, të thyer në mes, ku dallohet një lëndë e me ngjyrë kafe, e përpunuar dhe presuar. Në fotografinë e dytë dyshohet së është i njëjti paketim, i pa dëmtuar, ku dallohet një lëndë e me ngjyrë kafe, e bluar dhe presuar, e mbështjelle me amballazh të tejdukshëm, me mbishkrimin "ARRIBA ARRIBA ANDAL ANDALE". Këto pako kanë ngjashmëri me pakot si ato të cilat paketohet lënda narkotike e llojit canabis sattiva e përpunuar, e cila në zhargonin e bashkëbiseduesve njihet me emërtimin "çokollatë".

CMMN6S((Albert Prenga)... Shoku im barin e kam ble... Kan shku me marr qunat... E masneser e kam per rrug...

DMI6CF (Dedan Gjoni) ...Na shkofte mbare shok... Po per cokollat...A ti themi atij ti marrim...A ke rruge per gjermani... Qe te bejme nje pune bashke... Ti marrim 100 klg e 50 per ket shokun e 50 une e ti... Ti vetem merru me rrugen... Ose me thuaj sa duhen per nje rruge e ta bejme... Pastaj shikojme fare mund te bejme..."

Më datë 03.11.2020 nga Policia Gjermane sekuestron sasinë e lëndës narkotike prej 166 kg, e dyshuar e llojit marihuana në kamionin që drejtohej nga Bajram Grabova

Me datë 04.11.2020 në orën 08:50, Albert Prenga komunikon me Dedan Gjonin në SkyECC

CMMN6S (Albert Prenga) --Shok ke qen me fat... Ti byrazeri im nipi e shoqi jot...Se me ra kamjoni mram...Plot me mall..

DMI6CF( Dedan Gjoni)  --Ku mo shok...

Albert Prenga--Prz masi ka shkarku... Tu shku per hanover...40 kile te miat kam pas mren...

Dedan Gjoni: I njejti kamion mo...Cfare thu...Si ka mundesi mo habitshme

Albert Prenga: Do jet ngatrru shoferi e fut kundravajtje...700 metra pa hy ne shok...E garazh...

Dedan Gjoni: Mos ja qi nanen...Po me vjen keq shok... Cfare tersi...

Albert Prenga: --Me vje keq se ishte shoferi im ma i besushem... Dhe kamjoni...

Dedan Gjoni: Po gjynah mo shok me ngel ne fund..

Albert Prenga: Tani me ka qit pun... Dhe ni her me gjet tjeter kan...Po me fat esht kjo pun o shok.

Dedan Gjoni: -Mos flet shoferi se gjermanet jan te hidhur shok... Leket e mia shok merri e bej cfare te duash... E organizo punen e te bejme ate qe te kam thene...

Albert Prenga: Joooo...Lekt e tuja vetem ti... Kam shit te bardh ne angli... E kam fitu prz e madh...Jam prap ne pun...

Dedan Gjoni: Zot mbare shoku im...

Albert Prenga: Por shoferi shum i besushem e tani esht veshtir me... ...gjet tjeter... Vetem kjo... Se kjo pun kshu e ka

Dedan Gjoni: Po do gjesh mo shok do gjesh

Albert Prenga: Po te bajm llogarit ma shum kena fitu se hum hahahha.

Dedan Gjoni: Por shikoni hiqni malli se mos kerkojne ndalesat... E shkojn kontroll tek magazine...Se shikojne krejt ndalesat qe ka ne navigator...

Albert Prenga: Jo jo e kam rregullu..."


Lajmi kryesor:

DOSJA/ ‘Mos u hap shumë në Brazil se është vështirë’, si u kap 69 kg kokainë! Djali i Breçanit: Babai më tha se po zbërthehet SkyECC, ishalla biem gjithë në një sektor


S.G/KT/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Protestë në Beograd kundër presidentit Vuçiç dhe qeverisë së tij

Protestë në Beograd kundër presidentit Vuçiç dhe qeverisë së tij