Drejtuesi i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj dhe Avokati i Popullit, Endrit Shabani janë përfshirë në replika me njëri-tjetrin gjatë raportimit të këtij të fundit në komision.

Diskutimi nisi pasi Shabani u shpreh se vetëm 21% e rekomandimeve që vijnë nga Avokati i Popullit zbatohen, një vlerësim aspak i arrirë sipas Shabanit. Xhafaj u shpreh se kjo gjuhë i ngjason një kryetari partie dhe jo një përfaqësuesi institucioni jo partiak.

Pjesë nga diskutimi

Shabani: Vetëm 21% e rekomandimeve të Avokatit të Popullit zbatohen. Nëse ju jeni të kënaqur në lidhje me këtë performancë, unë nuk jam.

Xhafaj: Me çfarë jemi të kënaqur je dhe me çfarë jo… Duhet ta ndryshosh gjuhën, se po më flet këtu sikur je kryetar i partisë, jo Avokat i Popullit.

Shabani: Unë kam ardhur të përfaqësoj institucionin tim, ky koment nuk ju nderon. Nuk jam politikan.

Xhafaj: Ke qenë.

Shabani: Nuk kemi ardhur këtu të tregojmë çfarë kam bërë unë dhe ju në të shkuarën.