/ATSH-AFP/ - Krerët e diplomacisë ruse dhe saudite, Sergueï Lavrov dhe Adel al-Jubeir deklaruan sot qëndrime të kundërta për çështjen e Sirisë dhe fatin e presidentit Bachar al-Assad ku Riadi thekson në mënyrë të prerë largimin e tij.
"Qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar. Nuk ka më vend për Assadin në të ardhmen e Sirisë", deklaroi Adel al-Jubeir, gjatë një konference shtypi të përbashkët me Lavrovin në Moskë.
Kreu i diplomacisë saudite akuzon nga ana tjetër presidentin sirian si përgjegjësin kryesor për shfaqjen në Siri të grupit të Shtetit Islamik nën pretendimin se Bashar al-Assad do të kishte preferuar t'i drejtonte armët kundër popullit të tij e jo kundër Shtetit Islamik.
"Bashar al-Assad është pjesë e ngërçit në Siri dhe jo e zgjidhjes së krizës siriane", theksoi ai.
Nga ana e tij, Lavrov vuri theksin se vetëm populli sirian mund të vendosë për fatin e presidentit Assad./