Rusia do të furnizojë deri në vitin 2023 me tetë reaktorë bërthamorë, me një vlerë që arrin 40 deri në 50 miliardë dollarë në Afrikën e Jugut në kuadër të një partneriteti mbi energjinë bërthamore të arritur mes dy vendeve, njoftoi sot agjencia ruse e energjisë atomike, Rosatom.

"Livrimi i këtyre reaktorëve do të mundësojë vendosjen në punë të centralit të parë bërthamor që bazohet në teknologji ruse të eksportuar në kontinentin afrikan dhe mund të sjellë deri në 10 miliardë dollarë porosi për kompanitë lokale", njoftoi "Rosatom" në një komunikatë.

"Një reaktor kushton rreth pesë miliardë dollarë. Duke përllogaritur edhe kushte të tjera, çmimi i tetë njësive mund të vlerësohet mes 40 dhe 50 miliardë dollarë", deklaroi drejtori i "Rosatom", Serguei Kirienko, për agjencinë e shtypit rus "Itar-Tass".

Dokumenti i nënshkruar nga Rusia dhe Afrika në Jug për momentin është vetëm një marrëveshje ndërqeveritare, që ka vokacion të shndërohet më pas në kontratë të mbyllur./ATSH/