Në ditën e Këshillit Evropian që do të vendosë për përdorimin e aseteve ruse të ngrira, Banka Qendrore e Rusisë paralajmëron se do të padisë bankat evropiane në gjykatat e arbitrazhit rus për të kërkuar dëmshpërblim për fitimet e humbura si pasojë e bllokimit dhe përdorimit të paligjshëm të aseteve të saj.
Në një njoftim të shkurtër për shtyp, Banka Qendrore ruse deklaroi se, “në lidhje me përpjekjet aktuale për të sekuestruar dhe përdorur në mënyrë të paligjshme” pasuritë e saj, do të ndërmarrë veprime ligjore për të “rikuperuar dëmet nga bankat evropiane në një gjykatë arbitrazhi ruse”, duke kërkuar jo vetëm vlerën e “aseteve të mbajtura në mënyrë të paligjshme”, por edhe “fitimet e humbura”.
Javën e kaluar, BE-ja nisi një procedurë për të ngrirë për një afat të pacaktuar rreth 210 miliardë euro asete ruse të bllokuara në Evropë, të cilat pritet të përdoren si garanci për një hua prej 90 miliardë eurosh për Kievin.
Si përgjigje, Rusia paralajmëroi masa të mundshme nëse fondet e saj do të përdoren për të mbështetur Ukrainën. Si masë hakmarrëse, ndër të tjera, Moska po shqyrton mundësinë e konfiskimit të pasurive perëndimore të mbetura në territorin e saj.
Banka Qendrore e Rusisë ka ngritur një padi prej 229 miliardë dollarësh kundër depozitarit belg Euroclear, i cili mban asetet ruse të ngrira; seanca e parë është parashikuar për në mesin e janarit. Ndërkohë, janë përgatitur masa për të thjeshtuar sekuestrimin e pronave të huaja në përgjigje të “veprimeve armiqësore”.
Lajmi kryesor:
Asetet ruse ose kredi/ Këshilli Europian vendos sot për rindërtimin e Ukrainës! Zelensky: Mund të mbrohemi vetëm me ndihmë financiare









