Moska keqtrajton gazetarët
 në Krimenë e aneksua

Moska keqtrajton gazetarët<br /> në Krimenë e aneksua
Një vit pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, autoritetet de facto pro-ruse vazhdojnë të shtypin gazetarët e pavarur atje.
 
Javën e kaluar, agjentët e Shërbimit të Sigurimit të Rusisë në kryeqytetin e Krimesë, Simferopol, kanë bastisur shtëpitë e dy gazetareve nga Qendra për Gazetari Hulumtuese, një grup i gazetarisë së pavarur, i cili është detyruar të zhvendoset në Kiev, pasi Rusia ka aneksuar Krimenë në mars të vitit 2014.
 
Në një deklaratë të lëshuar më 13 mars, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, një organizatë joqeveritare me seli në Nju Jork, i ka cilësuar bastisjet si “sulme represive” dhe ka thënë se gazetarët që mbulojnë Krimenë “janë keqtrajtuar, sulmuar, burgosur dhe u janë konfiskuar pajisjet”.
 
Gazetarja Natalya Kokorina ka thënë se Shërbimi i Sigurimit të Rusisë ka kontrolluar shtëpinë e prindërve të saj, ku Kokorina ka qenë e regjistruar, më 13 mars. Në orën 8 të mëngjesit, Kokorinës i është kërkuar të shkojë menjëherë në apartament.
 
“Në mëngjes, më ka telefonuar një burrë duke thënë se është nga policia. Më ka thënë se dyert e apartamentit ku unë jam e regjistruar dhe ku prindërit e mi jetojnë, kanë qenë të mbyllura. Telefonat e prindërve të mi kanë qenë të fikur”, ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë Kokorina.
 
Më pas, ajo është marrë në pyetje për më shumë se gjashtë orë.
 
“Natalya është autore e shumë hulumtimeve për problemet në shoqërinë e Krimesë, korrupsionin në pushtet dhe pushtimin rus”, ka shkruar në Facebook themeluesi i Qendrës për Gazetari Hulumtuese, Dmytro Gnap.
 
Në ditën e njëjtë, Shërbimi i Sigurimit i Rusisë ka bastistur shtëpinë e prindërve të gazetares Anna Andriyevskaya. Andriyevskaya thotë se nuk ka jetuar në këtë shtëpi për rreth 10 vjet dhe se nuk ka qenë në Krime në 10 muajt e fundit.
 
Ajo ka shkruar në faqen e saj në Facebook se Shërbimi i Sigurimit i Rusisë i ka treguar babait të saj disa dokumente, që tregojnë se është ngritur kallëzim penal kundër saj, në lidhje me disa artikuj që supozohet se bëjnë thirrje për t’i dhënë fund kontrollit të Rusisë mbi Krime.
 
Ajo ka thënë se kompjuteri i babait të saj është konfiskuar po ashtu gjatë basisjes.
 
Deri pak kohë pasi Rusia ka aneksuar Krimenë, Andriyevskaya ka punuar për gazetën Argumenty Nedeli-Krym, por ajo është larguar pasi gazeta ka miratuar politikën që ndalon kritikat për autoritetet de facto apo Rusinë. Prej atëherë, ajo punon si kontribuese për shërbimin e Ukrainës të Radios Evropa e Lirë.
 
Një zëdhënës i agjencive të zbatimit të ligjit në Krime ka thënë se nuk ka asnjë koment për bastisjet. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme lokale, Dmitry Polonsky, ka thënë se nuk ka dëgjuar për arrestimin e ndonjë gazetari.
 
Avokati i Kokorinas, Dzhemil Temishev, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ajo është marrë në pyetje në lidhje me raportet e publikuara nga Qendra për Gazetari Hulumtuese.
 
“Nuk mund t’i them të gjitha detajet. Deri më tash, nuk kemi ndonjë akuzë konkrete në lidhje me marrjen në pyetje. Por, tani për tani nuk shoh ndonjë rrezik për Natalyan”, ka thënë Temishev.
 
Dunja Mijatoviq, përfaqësuese e OSBE-së për lirinë e mediave, ka dënuar kërcënimet ndaj gazetarëve të pavarur në Krime../REL/
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?