Qeveria holandeze është rrëzuar për shkak të një mosmarrëveshjeje midis partive të koalicionit në pushtet mbi politikat e azilit. Kryeministri Mark Rutte tha se katër palët nuk ishin në gjendje të gjenin marrëveshje për kufizimin e imigracionit, gjë që do të shkaktojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në vjeshtë.
Qeveria u krijua një vit e gjysmë më parë dhe mediat lokale raportuan se zgjedhjet e reja ka të ngjarë të mbahen në nëntor. Kriza u shkaktua pasi partisë konservatore VVD, e kryeministrit Mark Rutte ishte përpjekur të kufizonte fluksin e azilkërkuesve në Holandë, pas debateve vitin e kaluar për qendrat e mbipopulluara të migracionit. Kjo përpjekje nuk u mbështet nga dy parti të koalicionit qeveritar katërpartiak.
"Nuk është sekret që partnerët e koalicionit kanë mendime të ndryshme rreth politikave të imigracionit. Sot, për fat të keq, kemi arritur në përfundimin se këto mosmarrëveshje janë bërë të pakapërcyeshme. Prandaj, unë do t'ia paraqes mbretit dorëheqjen e të gjithë kabinetit", tha Kryeministri Rutte në një konferencë shtypi.
Tensionet arritën kulmin këtë javë, kur Kryeministri Rutte kërkoi mbështetje për një propozim për të kufizuar hyrjen e fëmijëve të refugjatëve të luftës që janë tashmë në Holandë dhe për t'i detyruar familjet të presin të paktën dy vjet përpara se të bashkohen.
“Vendimi ishte shumë i vështirë për ne”, u tha zoti Rutte gazetarëve ndërsa njoftoi dorëheqjen e kabinetit të tij. Dallimet në pikëpamjet midis partnerëve të koalicionit ishin "të papajtueshme", shtoi ai.
"Të gjitha palët bënë përpjekje të mëdha për të gjetur një zgjidhje, por dallimet mbi migracionin, për fat të keq, janë të pamundura për t'u kapërcyer."
Ky propozim i fundit shkoi shumë larg për Unionin e vogël të krishterë dhe liberal D66, duke shkaktuar një ngërç.
"Katër palët vendosën se nuk mund të arrijnë një marrëveshje për migracionin," tha zëdhënësi i Unionit të Krishterë, Tim Kuijsten. "Prandaj ata vendosën t'i japin fund kësaj qeverie."
Rutte konfirmoi rënien e qeverisë gjatë një konference për shtyp të premten në mbrëmje, pas mbajtjes së një takimi urgjent të kabinetit. Ai tha se do t'ia dorëzonte dorëheqjen mbretit Willem-Alexander të shtunën. Koalicioni i Kryeministrit Rutte do të qëndrojë në pushtet si një qeveri e përkohshme derisa të formohet një administratë e re pas zgjedhjeve të reja, një proces i cili në peizazhin e përçarë politik holandez zakonisht zgjat me muaj.
Kërkesat për azil në Holandë u rritën me mbi një të tretën vitin e kaluar në mbi 47.000, dhe shifrat e qeverisë thanë në fillim të këtij viti se ata presin afërsisht 70.000 aplikime në 2023.
Rutte, 56 vjeç, është kryeministri më jetëgjatë i vendit dhe ka qenë në detyrë që nga viti 2010. Qeveria aktuale, e cila mori detyrën në janar 2022, është koalicioni i tij i katërt.